Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vojsava bijë është një bllof, megjithatë Kastriotët ekzistojnë


Bisedë e Admirina Peçit me Ylli Polovinën, autor i librit të botuar në vitin 2008 “Gjysma e harruar e Skënderbeut”

(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, 19 korrik 2011)

Admirina Peçi-Zoti Polovina, mund ta kryejmë tani bisedën që filloi me email-in tuaj, ku disa ditë më parë më shkruanit se historia e asaj vajzës së Skënderbeut, të quajtur Vojsava, është një blof.
Ylli Polovina-Meraku im kur me internet ta dërgova atë mesazh qe edhe më e ndërlikuar sa kaq. Në 10 korrik lexova, si çdo të diel, edicionin e ri të “Milosao”. Që në faqen e parë shtrohej çështja mos Gjergj Kastrioti përveç se Gjonit kishte edhe një vajzë. Gjer këtu, në rast se duhet të rrahim një temë diturie, qoftë edhe historike, gjithçka duket e pranueshme ose të paktën në klimën e përgjithshme të lirisë së shprehjes edhe e tolerueshme. Kur lexova në brendësi shkrimin nisa të shqetësohem. Atje problemi shtyhej tepër larg. Jo vetëm ekzistenca e kësaj vajze konsiderohej punë e besueshme, por i bëhej thirrje historianëve t’i hynin verifikimit dhe studimit të kësaj teme. Këtu thashë se e drejta e natyrshme e autorit kishte tejkaluar. Skënderbeu ka pasur vetëm një fëmijë, një djalë, Gjonin. I kishte vënë emrin e të atit. Kjo çështje është e mbyllur prej të gjithë studiuesve të huaj dhe vendas, nga të gjithë historianët seriozë, nga çdo skënderolog. Dokumentet mund të mungojnë për shumë nga pjesët e jetës së Gjergj Kastriotit para se të niste kryengritjen, pra para çastit kur filloi të hynte në histori dhe kanceleritë e Ballkanit, të Sulltanit e Portës së Lartë, të Evropës ca më shumë, të mbanin shënim e regjistronin bëmat e tij. Kur lindi Gjonin, 1456, Skënderbeu qe një person i famshëm, një lloj “mbreti” i Shqipërisë, i çmuar shumë nga Selia e Shenjtë, qendra e botës së atëhershme. Po të kishte lindur Donika, gruaja e tij e florinjtë për dinjitetin e mençurinë që kishte, një fëmijë të dytë, kronikat do ta shënonin ngjarjen dhe për rrjedhim historianët, këta dijetarë të përkorë e të palodhur në depërtimet e tyre nëpër kthina të fshehta arkivash, do ta kishin shkruar. Nuk mund të kuptohet e përfytyrohet asnjë interes, qoftë edhe madhor, politik apo thellësisht familjar, që të shtynte mbajtjen e misterit mbi këtë fëmijë të dytë të Gjergj Kastriotit. Vojsava nuk ka ekzistuar dhe pikë. Të kuptohemi: “pikën” e kanë vënë të tjerë, njerëzit e zanatit të historisë.
Admirina Peçi-Por në pemën gjenealogjike që solli me vete pasardhësi Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg thuhet se Vojsava jo vetëm ka lindur, por edhe është rritur dhe martuar, madje dasma e ka çuar në një derë të madhe, tek familja princërore e Malit të Zi.
Ylli Polovina: Pikërisht kjo e dhënë, e vetmja që në pemën gjenealogjike shoqëron emrin e saj pa vitlindje e as ditëvdekjeje, e mbush kupën e gabimit dhe e bën të derdhet.
Admirina Peçi: Qenkeni shumë këmbëngulës në idenë e blofit.
Ylli Polovina: Ngul këmbë jo thjesht se u bë një blof. Të tillë gjen çdo ditë dhe jo vetëm në kufijtë e vendit tonë. Blofi bën pjesë në jetën njerëzore, bashkëjeton me të. Kur të shkrova email-in kishin kaluar disa ditë nga e diela e botimit të tij. Në fillim mendova se lexuesi di të gjykojë vetë dhe shumica e tyre do ta interpretonin atë histori si një përpjekje radhe për “scoop”, teknika të zakonshme kur një autor, jo rrallë edhe inteligjent, kërkon të bjerë në sy, të paktën të tërheqë vëmendjen. Për ngazëllues të tillë shtypi ynë është mirëdashës, inkurajues dhe dehës.
Admirina Peçi: Por autori shkakun nuk e kishte sajuar, as fantazuar, ia kishit dhënë ju.
Ylli Polovina: Unë?
Admirina Peçi: Pema gjenealogjike e Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg. Atë në Shqipëri e sollët ju. Vite të shkuara po ju keni mbartur deri në Tiranë një pasardhës tjetër të Skënderbeut.
Ylli Polovina: Faleminderit që i kujton këto fakte, sepse kështu më ndihmon ta bëj të kuptueshme para lexuesit përse pas katër ditësh hezitimi ta nisa atë mesazh të shkurtër, ku vura në dukje se historia e Vojsavës bijë të Donikës dhe Skënderbeut jo vetëm është një blof, por duhet bërë diçka që të mos besohet si e vërtetë. Do të më lejosh tani ta shpjegoj më plotësisht këtë çështje, si edhe “fajin” tim.
AdmirinaPeçi-Patjetër. Do të ishte shumë e dobishme.
Ylli Polovina-Siç ju e dini “Milosao”, gazetarja Fatmira Nikolli, botoi këtu në katër faqe speciale, një intervistë të plotë me Xhorxho Maria Kastriota Scanderbeg (Giorgio Maria Castriota Scanderbeg) si edhe pemën gjenealogjike. Këtë mundësi takimi dhe intervistimi ia propozuan ne dhe në këtë kuptim edhe shkakun e “zbulimit” të bujshëm ia dhamë po ne, pra edhe unë, ankuesi i tanishëm. Isha unë po ashtu që bashkëkombësit me origjinë të vjetër nga Kastriotët i propozova, madje i vura kusht, në vizitën e tij të parë në Shqipëri të sillte me vete të gjitha dokumentet zyrtare që i provonin pasardhjen nga Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut, i emigruar bashkë me të ëmën, Donikën, në pranverë 1468 në Itali, Mbretërinë e Napolit. Po njëlloj veprova edhe me Alesandro Kastriota Skanderbeg (Alessandro Castriota Scanderbeg), pasardhësin tjetër, vite të shkuara, në 28-30 nëntor 2004. Në të dy “protokollet” e vizitave nuk mungonte një element themeltar: transparenca para opinionit publik dhe shtetit shqiptar. Kështu në rastin e Alesandros u bë një konferencë e madhe shtypi në Muzeun Historik Kombëtar dhe akti i dorëzimit të pemës gjenealogjike të tyre tek drejtori i përgjithshëm i atëhershëm i Arkivave të Shtetit, studiuesi Shaban Sinani. Edhe këtë herë nëpërmjet të përditshmeve të shumë lexuara “Shqip” dhe “Gazeta Shqiptare” u botuan intervista të gjëra me Xhorxho Marinë. Harta e pemës gjenealogjike, përveç se në këto dy gazeta, iu tregua enkas shikuesit edhe në një intervistë që gazetari Rezar Xhaxhiu i bëri në televizionin “Vision Plus”. Ndërkohë iu dorëzua në zyrën e saj edhe drejtoreshës së përgjithshme të Arkivave të Shtetit, studiueses Nevila Nika.
Admirina Peçi: Kjo është e vërtetë.
Ylli Polovina: Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg, i cili është një njeri mjaft i ndershëm, që jo vetëm nuk dëshiron të manipulojë, por as di si bëhet kjo punë, u tregua ekstremisht i dëshiruar të qe i hapët. Ai përgatiti një dosje me tri xhepa. E theksoj këtë për të vënë në dijeni lexuesin se ajo mbarte tre dokumente. E botuara në gazeta apo e publikuara në ekran ishte vetëm njëra. Nga njëzetë kopje të tyre që solli me vete tetëmbëdhjetë i dorëzoi në institucione dhe tek individë përfaqësues në Tiranë, në Dibër të Madhe, Maqedoni, ku bëri një vizitë të shkurtër dhe në Peshkopi, ku populli dhe autoritetet lokale e nderuan me një pritje të veçantë e së bashku shkuan gjer në fshatin Sinë, vendlindjen historike të familjes Kastrioti.
Në të tetëmbëdhjetë dosjet e shpërndara dhe në të tre dokumentet brenda tyre emri i Vojsavës ekzistonte. Mbi të nuk mund të ndërhyhej edhe pse mendimin për mos qenien e saj si fëmijë e dytë e Skënderbeut ia kisha thënë Xhorxho Marisë që në vitin 2006, kur u njohëm për herë të parë dhe i bëra vizitë në shtëpinë e tij në Kazerta afër Napolit. Madje ato kohë, i dëshpëruar shumë nga grackat që sajohen me pemët gjenealogjike false, treg aspak i fashitur edhe në Itali, sapo pashë emrin e një gjoje vajze të Gjergj Kastriotit, u bëra gati t’i ktheja shpinën atij dokumenti dhe vazhdimit të kërkimeve tek ai burim për pasardhësit realë në Itali të Skënderbeut. Por Xhorxho Maria, drejtor shembullor i një dege banke në qytetin e tij, me sinqeritetin e vet prekës dhe po ashtu natyrën timide, më bëri të veproj në të kundërtën: t’i gjendesha pranë, sidomos në atë dëshirë të madhe dhe të çiltër që kishte për të parë viset shqiptare dhe vetëm kaq.
Kështu që unë kam mbi pesë vite që e di këtë gafë e blof të asaj peme gjenealogjike dhe po ashtu e prisja që para historianëve seriozë të vendit tonë, sapo ta shihnin të botuar, do të bëja figurën e keqe të një amatori, pse jo edhe të një thekuri për të bërë të diturin apo “përmbysësin” e skënderlogjisë. Mirëpo tingëllimin e qypit bosh e bëjnë të tjerë. Mes tyre, të lutem Admirinë, nuk dua të fus autorin e shkrimit për ekzistencën e Vojsavës, sepse në thelbin e vet artikulli qe hartuar shumë mirësisht dhe me elegancë.
Megjithatë e prisja një reagim qortues të historianëve, por falë maturisë së tyre shpëtova para se të shprehem edhe unë. Ndërkohë e prisja që kjo “Vojsavë” të ngjallte kërshëri në publikun e zakonshëm. Druhesha po ashtu edhe se e pangjara bijë e Skënderbeut mund të provokonte edhe hamendje gjithfarësh, ndonjë fjalënajë. Për shembull: do të thoshin se e ka fëmijë jashtë martese, krijesë ilegale. Të bësh një libër me këtë subjekt i ke të shitura të gjitha kopjet, edhe pse në këtë rast do të ndihej keq një autor tjetër, emrin e të cilit nuk ka arsye ta them. Ky ka ca kohë që u bë gati të shkruante një libër për të dëshmuar se Gjergj Kastrioti qe një gej.
Me një fjalë, Admirinë, ajo që nuk prisja nga rrahja e temës për Vojsavën si bijë e Skënderbeut, ishte fakti që prania e saj virtuale të mund të krijonte një arsye apo të jepte një shkak për të qortuar klasën tonë të historianëve si njohëse e sipërfaqshme e zanatit të tyre. Rikthehem tek kjo temë sepse e kam brengë. Ata nuk janë të përkryer, shpesh mbeten jashtë shumë debateve për identitetin kombëtar apo për kulturën shoqëri e shtetformuese shqiptare, ritmin e kontributit në këtë Shqipëri tjetër nga ajo e totalitarizmit ideologjik ende të plogët. Por edhe vetë mediat e keqmësuara të inkurajojnë një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh, shpesh me profesione një mijë vite drite larg nga historia profesioniste, i lënë jashtë. Ndërkohë ju siguroj se që prej dymbëdhjetë motesh, kur kam nisur interesimin për temën e Gjergj Kastriotit dhe rolin e tij në Evropë, përfshi veçanërisht Italinë, kam botuar një libër e prej katër vitesh kam dy të tjerë të shkruar ende të pa publikuar, kam riparë e rilexuar pjesën dërmuese të korpusit të librave dhe studimeve të historianëve të huaj e mbi të gjitha të atyre shqiptarë. Janë me dhjetëra mijëra faqe. Kjo njohje e thelluar ma ka rritur shumë respektin për ta. Kur pohoj këtë gjë menjëherë ty do të të shkojë mendja tek Profesor Kristo Frashëri, pa dyshim më i miri skënderolog, tek Fan Noli, patjetër më pasionanti, tek Marin Barleti, më gjeniu i kohës së vet, tek Skënder Biçoku, tepër i veçanti, tek Aurel Plasari, më kërkuesi dhe më aktivi aktualisht e deri tek i shumë debatuari gjermano-zviceran Jens Oliver Shmitt. Në të vërtetë nuk janë kaq, një grusht me emra, por një armatë e tërë, duke mos harruar deri edhe arbëreshin e një shekulli e gjysmë më parë Xhuzepe Skiroi apo të tanishmit Françesko Altimari e Mateo Mandala.
Admirina Peçi-Në ato libra nuk flitet kurrkund për një vajzë të Skënderbeut apo ndokush e hedh qoftë edhe si tezë?
Ylli Polovina-Në femrat tona të shekujve të shkuar ka pasur shumë Vojsava. Ai është emër sllav, por qe i përdorur edhe prej shqiptareve, sidomos në vendbanimet e tyre në kufi me serbët. Dy prej këtyre Vojsavave kanë qenë të rëndësishme, janë pjesë e historisë. Njëra qe e shoqja e princit Gjon Kastrioti, babait të Skënderbeut. Ajo vinte prej një dere princërore Tripalti në Polog, hapësirë që sot ndodhet në Maqedoni me qytetin e Manastirit në qendër. Vojsava e dytë ishte sërish bijë princi, vajza e Gjergj Arianit Komnenit, vjehrrit të Gjergj Kastriotit. Donika, bashkëshortja e Skënderbeut dhe Vojsava, qenë dy motra. Pikërisht kjo kunatë e tij ishte e martuar princin malazez Ivan Cërnojeviç. Ivani ishte i biri i Stefanit. Me princin Stefan Gjergj Kastrioti e kishte një lidhje të fortë. I kishte dhënë motrën e tij Mara (jo vajzën e fantazuar siç thuhet në pemën gjenealogjike). Kështu dhëndër dhe vjehërr, Skënderbeu dhe Gjergj Arianiti, kishin bërë lidhje martesore me dinastinë malazeze të Çërnojeviçëve. Shënojmë për lexuesin se nëna Vojsavë ndërroi jetë një dekadë pas vdekjes së të shoqit, Gjonit, dhe para se Skënderbeu të niste kryengritjen e tij. Gjoni, djali i vetëm i Gjergj Kastriotit, doli në jetë një duzinë vitesh më pas dhe nuk e njohu kurrë të gjyshen. Ndërsa emigroi në Itali model dhe idhull i femrës Kastriotase ai pati të ëmën, Donikën, jo gjyshen. Aq e vërtetë është kjo sa në pemët e shumta gjenealogjike të familjes Kastrioti në Itali, ku nuk ndesh pak kontradikta dhe truqe të errëta, nuk gjen asnjëherë rast tek femrat e shumta pasardhëse të jetë përsëritur emri Vojsava, por gjen me shumicë Adronica (Donika).
Duhet të dimë po ashtu se Skënderbeu bëri një martesë mjaft të vonuar. Kur lindi Gjoni ai qe në kapërcim të moshës sa një gjysmëshekulli. Fati e desh që fëmijë i parë të ishte djalë dhe kjo e zgjidhte me një “goditje” çështjen thelbësore të dinastisë Kastrioti: trashëgiminë e principatës dhe të të gjithë privilegjeve dhe pronave të tyre. Skënderbeu nuk kishte më nevojë për një shtatzani tjetër të Donikës, sepse një mashkull i dytë vetëm probleme do të krijonte. Mund t’i kthehej, ndërsa nuk do të jetonte më (kur ndërroi jetë në 1968 i biri qe 12 vjeç dhe një fëmijë i dytë sigurisht do të ishte më i mitur), në një luftë të brendshme për pushtet dhe për pasojë kërcënim për qëndrueshmërinë e principatës. Të mos harrojmë se kur Geraldina, e shoqja e Ahmet Zogut, lindi djalë, mbreti shqiptar ishte shumë më i ri se Skënderbeu për t’i shtuar fëmijët e tij. Po ashtu edhe Geraldina e bukur dhe e shëndetshme. Veç kjo nuk ndodhi, sepse me djalin Leka dinastia e Zogollëve quhej e vijuar qetësisht, e trashëguar pa asnjë problem.
Admirina Peçi-Atëherë përse është shkruar në pemë dhe e miratuar nga qeveria italiane e kohës, në mos gabohem në vitin 1910, kjo prani e Vojsavës bijë?
Ylli Polovina-Shpjegimet mund të jenë të shumta. Duke qenë se kam mjaft të dhëna e njoh rrethana të luftës së brendshme e të gjatë disa shekuj të Kastriotëve në Itali për të marrë e zotëruar statusin e degës së parë të trashëgimtarëve të Skënderbeut, material pune kërkimore shumëvjeçare, të cilin qoftë edhe për këtë arsye tani për tani nuk mund ta bëj publike veç me një botim të nesërm të plotë, e interpretoj kështu këtë falsifikim: në 1910 hartuesi i pemës gjenealogjike dhe i kërkesës pranë Konsultës Araldike Italiane, e cila deri në heqjen e titujve fisnikërorë, 1948, qe institucioni kryesor ku ruhej dokumentacioni zyrtar për të gjithë baronët, kontët, dukët, princërit dhe mbretërit italianë, e ka kryer trukun për të sugjestionuar dhe rritur artificialisht vlerën e Kastriotëve. Skënderbeu ka qenë emër dhe bëmë shumë e njohur në Itali, madje kapital politik deri edhe disa dekada më parë, shumë i gjallëruar edhe tani. Ai Kastriot i fillimit të shekullit të shkuar ka dashur ta fitojë patjetër pozicionin e trashëguesit të parë dhe e përsëris: për këtë status dy shekujt e fundit ka pasur një ndeshje të vazhdueshme mes të paktën katër degëve të ndryshme pasardhëse të Skënderbeut, ku më e forta dhe më ngadhënjimtarja ka qenë ajo e Napolit. Këtu kanë vepruar individë aq të fuqishëm sa njëqind e pesëdhjetë vite të shkuara kanë arritur të ndërhyjnë e paguajnë një historian të njohur vendas për ta argumentuar këtë epërsi e të drejtë të tyre. Ky autor është përkthyer edhe në shqip, por emrin nuk po ja përmend. Në 3 shkurt 1910 të drejtën ekskluzive për të qenit trashëguesi i parë e ka kryer një Kastriotas, të cilin nuk po e ekspozoj, por që në histori ka kryer mjaft gjeste si përfaqësues legjitim i Skënderbeut dhe i pretendimit për të qenë deri edhe në qeverisjen e Shqipërisë në prag të shkëputjes nga Perandoria Osmane. Ndërkohë për Konsultën Araldike kjo Vojsavë nuk paraqiste asnjë rëndësi. Ishte thjesht një emër pa pasardhës, degë e tharë. Do të ishte gabim i vërtetë në rast se ajo do të lëshonte një vërtetim për një trashëgues të asaj linje. Konsulta në thelb është korrekte sepse dokumentin konfirmues e ka dhënë për vijimësinë e degës mashkullore reale, asaj të Gjonit.
Me pak fjalë në atë pemë gjenealogjike Vojsava ireale është një zbukurim dhe në të nuk ka të bëjë fare jo vetëm Xhorxho Maria që solli dosjen me tre xhepat, por as paraardhësit e tij të drejtpërdrejtë.
Admirina Peçi-Tani me të vërtetë kjo histori e Vojsavës u bë e ngatërruar.
Ylli Polovina-E ngatërruar si të gjitha intrigat. Veç kjo që po tregoj është ndër më të thjeshtat. Kastriotët e vërtetë, që janë fare pak, kanë pësuar nga Kastriotët falsë, të cilët janë një ushtri e tërë shumë e stërvitur për të plaçkitur, intriga shumë më të rafinuara. Ka ndodhur në ndonjë rast, për fat të keq, që këtë komplotim nga brenda e kanë kryer edhe vetë të vërtetët, por ta lëmë mënjanë këtë temë.
Njeriu që në fillim të shkurtit 1910 me një shkresë të rregullt zyrtare të Konsultës Araldike Italiane dhe të firmosur nga vetë Komisari Mbretëror i saj, kundërfirmosur edhe nga kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i vendit, e vuri Vojsavën e fantazuar si të martuar me princin e Malit të Zi, ia bashkëngjiti Gjonit, sepse ky realisht kishte një lidhje martesore shumë të epërme, madje shumë më të lartë në shkallë fisnikërie se edhe vetë i ati, Skënderbeu. Gjoni në emigrim në Itali, duke qenë vetë bir princi dhe thirrej si i tillë, të shoqen e kishte po ashtu të të njëjtës shkallë. Jerina qe bijë e princit të Serbisë, që shpesh thirrej edhe mbret, Gjergj Brankoviçit. Por nuk mjaftonte vetëm kjo. Ajo ishte mbesë e Elena Paleogogut. Pra Jerina, për pasojë edhe Gjoni, qenë edhe me një lidhje të drejtpërdrejtë me derën perandorake bizantine.
Nuk e dimë nëse realisht në Konsultën Araldike Italiane në atë fillim të shekullit të shkuar janë sugjestionuar me të vërtetë nga kjo vlerë lidhjesh të ngjeshura fisnike e dy fëmijëve të Gjergj Kastriotit, por personi përfitues, njëqind e pesëdhjetë vite të shkuara i vetmi mashkull mes tre motrave Elena, Roza dhe Maria, siguroi statusin e trashëgimtarit të vetëm. Kështu edhe individi pasardhës i tij që vuri në dorë dokumentin e rëndësishëm. Sqarojmë lexuesin se në rregullin themeltar të titujve araldikë institucionet e specializuara dhe të autorizuara për këtë punë, në një kohë të caktuar lëshojnë vetëm një dokument zyrtar për vetëm një trashëgimtar. Të tjerët pasardhës do të rrinë në radhë pritjeje për ta zotëruar një të drejtë të tillë vetëm në rast se vetë vijojnë në linjë mashkullore dhe po qe se e gjithë dega e fitimtarit të mëparshëm fiket, pra shuhet edhe ai në linjë mashkullore.
Në të gjithë këtë histori pemësh gjenealogjike të Kastriotëve në Itali ka shumë manipulime dhe veçanërisht pasaktësi, por me gjithë synimet e atij arrivistit që siguroi të drejtën e të qenit trashëgues i titullit fisnikëror të princit Skënderbe, për fat të mirë kjo është edhe e vetmja provë e dokumentuar dhe zyrtare për vijimësinë e Kastriotëve në Itali dhe në jetë.
E them këtë sepse sidomos këtej, në anët tona, ka vepruar fort e kundërta: një indiferencë totale ndaj fatit të tyre.
Admirina Peçi-Në çfarë kuptimi indiferencë totale? Mos ndoshta ka qenë një harrim i paqëllimtë? Mbase është edhe pakujdes i vetë Kastriotëve në Itali për ta bërë veten të gjallë e të pranishme edhe në Shqipëri, në historinë e saj të luftës për t’u bërë shtet i pavarur dhe pastaj mëkëmbur.
Ylli Polovina-Ka pak nga të gjitha, si edhe shumë faktorë të tjerë akoma më të përfillshëm. Hapësira e kësaj bisede me ty është e kufizuar, por do të ndihesha mjaft i favorizuar në rast se mund ta zgjasim atë edhe për një gjë shumë thelbësore e që duhet thënë patjetër thënë në këtë rast, pra në çështjen e vajzës false të Skënderbeut.
Admirina Peçi-Po, mund ta vijojmë bisedën edhe pak.
Ylli Polovina-Disa vite të shkuara, madje pasi kishim sjellë në Tiranë përfaqësuesin e Kastriotëve të degës së Leçes, Alesadron, në Tiranë u shfaq një tjetër omonim i tij. Quhej edhe ai Alesandro Kastriota Skanderbeg, por ndryshe nga i pari që është mjek në nivel shkencëtari, i dyti në profesion qe aktor. Pati gjetur si mbështetës një ndërmjetëse dhe pasi në kryeqytetin tonë u prit deri edhe prej një ministri, në Prishtinë e nderuan me grupe valltarësh në veshje kombëtare si edhe me ritin “bukë, kripë e zëmër”. Ky Aleksandër solli me vete një pemë gjenealogjike, e cila e nxirrte pasardhës të Skënderbeut. Ai ia dha shtypit dhe disa të përditshme edhe ato e botuan. Ajo pemë nuk shoqërohej dhe as konfirmohej, qoftë edhe minimalisht, me burime zyrtare apo dokumente historike. Qe thjesht një pemë. Mund të ketë në brendësi të saj elementë të së vërtetës, mund edhe të jetë sajuar.
Krejt ndryshe janë dy pemët gjenealogjike të sjella nga Alesandro në vitin 2004 si edhe ajo së fundi e Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg. Siç thamë ndodhen në Arkivën Qendrore të Shtetit dhe studimi i tyre është i lirë dhe i hapët për të gjithë, veçanërisht të specialistëve. Me rastin e kësaj bisede theksoj se këto dy pemë gjenealogjike janë më të afërtat me të vërtetën shkencore. Ajo që solli Alesandro është shumë më e plotë se e Xhorxho Marisë, sepse përfshin pothuaj rrjedhën e të gjitha degëve të Kastriotëve, kurse e dyta vetëm atë nga vjen Xhorxho. Kjo e fundit ka rëndësi sepse, e pajisur me dy hartat e dy pemëve të tjera (njëra gjer në shkurt 1910, tjetra deri në vitin 1939 dhe e treta gjer sot), të bashkuara jo vetëm pohojnë njëra-tjetrën, por e para zotëron bashkëngjitur edhe një dokument konfirmues të nivelit shumë të lartë profesional dhe shtetëror: atë të Konsultës Araldike dhe të Kryeministrit italian. Ndërkaq e para, edhe pse nuk shoqërohet me ndonjë konfirmim të tillë, është hartuar nën vëmendjen e kujdesin e Profesor Xhankarlo Valones (Giancarlo Vallone), për mendimin tonë aktualisht njohësi më i mirë i Kastriotëve dhe i disa familjeve feudale shqiptare të emigruara në Itali në shekullin e pesëmbëdhjetë. Valone ka bashkëshorte Paolën, motrën e Alesandros. Pra ai është i lidhur edhe “me gjak” me Kastriotët. Profesor Xhankarlo është një studiues mjaft serioz dhe kur vjen fjala tek faktet dëshmon se mbetet i pandikueshëm nga mbajtja me hatër i lidhjes së tij krushkore. Informojmë lexuesin se kur u martua me Paolën ai kishte një dekadë të tërë që merrej me Kastriotët. Vëmë në dukje po ashtu se këta pasardhës të Skënderbeut me banim aktual në Leçe janë një familje njerëzish të ditur dhe të drejtë, plot dinjitet dhe me status të nderuar publik. Xhulio (Giulio), vëllai i Alesandros dhe i Paolës, i cili tashmë, për shkak se bëri djalë (i kanë vënë emrin Gjergj), ka siguruar të drejtën e vijimësisë së nesërme të degës së tyre, është një jurist mjaft i shquar dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Gjykatësve Italianë.
Admirina Peçi-Të shpresojmë që këto dy pemë gjenealogjike të dorëzuara në Arkivat e Shtetit tonë do të tërheqin vëmendjen e historianëve.
Ylli Polovina-Do ta uroja shumë, të paktën për aq sa e meritojnë. Por këtu mund të rishfaqet një pengesë e fortë. Do të thosha më saktësisht edhe një paragjykim i vjetër.
Admirina Peçi-Cili?
Ylli Polovina-Po e shpjegoj sa më shkurt të jetë e mundur. Sipas një rregulli të rreptë profesional, por me të cilën është e një mendjeje edhe bota shkencore kudo në botë, pra edhe në Itali e në Shqipëri, Konsulta Araldike, dokumentet e të cilës që pas mbylljes në vitin 1948 ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit Italian, kur ai Kastriotasi ngulëkëmbës bëri kërkesën të pajisej me të drejtën e trashëgimtarit unik të Skënderbeut, duhej t’i lëshonte vetëm një deklaratë mohuese. Qe punë fare e thjeshtë, sepse sipas konceptit real të trashëgimisë së titujve fisnikërorë të një familjeje, duke qenë se ajo funksionon vetëm në linjë mashkullore, e drejta pasardhëse prej Gjergj Kastriotit formalisht është ndërprerë që në brezin e tyre të katërt, kur meshkujt u shuan dhe gjaku vazhdoi vetëm në linjë femërore.
Admirina Peçi-Çfarë do të thotë kjo?
Ylli Polovina-E kam pasur fatin ta shpjegoj këtë në një cikël shkrimesh fillimisht në “Gazeta Shqiptare”, në korrik 2008, dhe më pas në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” të Nju Jorkut.
Djali i vetëm Gjon, i martuar në Napoli të Italisë në moshën njëzetë e një apo dyvjeçare, me serben Jerina, pati katër djem dhe dy vajza. Kastriotët zakonisht janë një fis që lindin meshkuj. Njëri djalë, Kostandini, që nga fundviti 1497 qe ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe rreth vitit 1500, në moshë fare të re, ndërroi jetë. Djali Xhorxho (Gjergji), sipas rregullit dinastik vetë trashëgimtari dhe ngjallësi i emrit të Skënderbeut, duke filluar nga fillimi i vitit 1501 i ati Gjon nuk e pa më. Nën nxitjen dhe në shërbim të Republikës së Venedikut ai shkoi për mision kryengritjeje në Shqipëri, ku dështoi keq dhe nuk u kthye më. U bashkua me turqit dhe u vendos në Konstadinopojë. Për fat Gjon Kastrioti iku nga kjo jetë vetëm pak muaj pasi në shtëpi i mbërriti gjëma e kësaj sjelljeje të padenjë të të birit.
Ndërsa tjetri djalë vdiq hershëm shpresa e vetme mbeti i fundit, i vogli Ferrante.
Ky, me titullin trashëgimtar Dukë dhe njëherësh Kont, me kështjellë-rezidencë në Galatina të Leçes, u martua me Adriana Akuaviva (Adriana Acquaviva), e cila qe bijë e dukës së Nardosë, Belizario Akuaviva (Belisario Acquaviva). Lindja e parë qe sipas traditës së Kastriotëve: djalë. Pas diçka më shumë se një viti lindi fëmija e dytë. Ishte vajzë. Duka Ferrante i vuri emrin e nënës, Jerina. Janë afërsisht vitet 1516-18.
Me një djalë u duk sikur problemi jetik i trashëgimit të dinastisë për Kastriotët u zgjidh, por nuk ishte kështu. I biri vdiq dhjetë vjeç dhe përveç Jerinës çifti Ferrante-Adriana nuk lindi më fëmijë.Është ky çasti kur juridikisht familja Kastrioti dhe vijimësia e Skënderbeut fiken.
Mirëpo Ferrante nuk dekurajohet dhe sipërmerr një aksion nga më spektakolarët. Duke qenë se për arsye që duhet të lidhen me shëndetin apo aftësinë e riprodhimit të mëtejshëm të Adriana Akuavivës, fëmijë të tjerë të ligjshëm nuk mund të sillte në jetë, ai shumon të paligjshmit. Këta e kanë emrin shkencor “fëmijë natyralë” dhe lindin prej lidhjesh jashtëmartesore. Kur jetoi Ferrante në Mbretërinë e Napolit edhe vetë monarku Ferdinand nuk ishte bir i martesës zyrtare të të atit të tij Alfons. Qe krijesë lidhjeje jashtëmartesore, të cilin në mungesë të një djali nga martesa zyrtare vetë mbreti Alfons ia kërkoi Papës, siç atëherë qe rregulli, ta shpallte trashëgimtar të fronit të tij. Pas një ngurrimi fëmija formalisht i paligjshëm u kurorëzua mbret. Nën këtë shëmbull Ferrante bëri fëmijën e tretë. Ishte djalë dhe i vuri emrin Federiko (1519). E kishte me bijën e një qytetari të thjeshtë të Galatinës, Pacienca Polastra (Pazienza Pollastra). Krijesa e katërt e Ferrantes qe vajzë, sërish frut dashurie jashtëmartesore. Fëmijët e tjerë të nipit të Skënderbeut janë djem. Njërit iu vu emri Pardo dhe nëna e tij quhej Porcia de Urizio (Porzia de Urrisio), nga një familje e njohur e dukatit të Galatinës. Tjetri u pagëzua me emrin Akile (Achile) dhe për nënë kishte Dianora Koronitën (Dianora Coronita), një skllave, të cilën Ferrante ia kishte blerë një anijeje greke apo venedikase dhe e pati shpallur të lirë. Djali pasonjës quhej Çezare (Cesare). Nëna e tij mbetet e paidentifikuar. Djali i gjashtë Anibali (Annibale), i pagëzuar më 3 shtator 1552, ka mbetur pa të dhëna për nënën. Më 7 gusht 1554 lindi vajza me emrin Porcia (Porzia), frut i lidhjes jashtëmartesore të Ferrantes me Maria Vilamarin (Maria Villamari). Një vajzë tjetër, emri i të cilës do të ngjallë gjyshen Donika (Adronica) do të ishte krijesa e re. Ajo ka nënë Porcia de Urrision, me të cilin nipi i Skënderbeut pati edhe djalin Pardo. Më vonë një vajzë e katërt jashtë martese do të marrë emrin e femërorizuar të gjyshit e quhet Xhovana (Giovanna). Më 3 maj 1562 u pagëzua i shtati djalë. U quajt Ferrante, në kujtim të të atit, sepse tashmë nipi i vetëm i Skënderbeut, Kastriotasi që vuri në lëvizje makinën e madhe të shumimit të pasardhësve të Skënderbeut dhe kështu e shpëtoi atë nga fikja (shtatë djem, katër vajza, katër gra jashtë martese dhe dy të tjera akoma anonime, janë bilanci ndoshta i përkohshëm i jetës intime të dukës Ferrante), kishte disa muaj që pati ndërruar jetë.
Ndërkohë edhe pse formalisht i kishte jashtëmartesorë ai i trajtoi dukshëm si t’i kishte të ligjshëm. Këtë gjë e bëri jo vetëm me vetëdijë, por edhe me pëlqimin e gruas së tij Adriana. Më së pari u dha mbiemrin e tij, pra përkatësinë e dinastisë. Ata ishin të gjithë Kastriotë Skënderbej. U përkushtoi po ashtu emrat më të shtrenjtë të Kastriotëve: Donika dhe Gjon. U dha pasuri. I nipi i Skënderbeut pothuaj të gjithë fëmijëve të tij natyralë u kujdes t’u jepte tituj fisnikërie, kompetencë që e kishte vetëm mbreti. Federikon më 26 gusht 1548 e martoi me Aurelia de Nohan, të motrën e Vinçenso Marias (Vincenzo Maria), baron i Nohës. Djali i tij trashëgimtar Gjoni (Giovanni) u bë baron i Galianos. Akili mori grua Izabela Sanseverinon (Isabella Sanseverino), derë princërore dhe pasardhësit e tij u bënë baronë. Pardo lidhi jetën me Antonela Stafanjolin (Antonella Stefagnoli) nga një familje fisnike vendase. Çezare më 2 gusht 1587 është baron i Bakaricos (Baccarizzo) dhe i Santo Xhorxhos (Santo Giorgio). Lukrecia u martua me Çezare Baronin (Cesare Baroni), feudal i Disos. Xhovana u martua me Mario Kavacën (Mario Cavazza) nga një familje baroni me origjinë nga Taranto.
Ferrante bëri gjithçka që djemtë e tij natyralë të kishin autoritetin dhe të drejtën e të ligjshmëve. Sepse ekzistojnë këta Kastriotë me tituj fisnikërie ndodhi që ndërsa historianët italianë dhe ca më me shumë pasion ata shqiptarë pemën gjenealogjike të Skënderbeut e quajnë të mbyllur që në brezin e katërt, Konsulta Araldike Italiane, institucioni profesionist që ka ruajtur titujt, e vlerëson të drejtë të pohojë vazhdimësinë e tyre deri në brezin e dhjetë dhe më pas dokumentet më të thjeshta të gjendjes civile të shekullit të shkuar e në vazhdim provojnë që ajo ka arritur deri në gjeneratën e katërmbëdhjetë e aktualisht është në lulëzim. Edhe Xhorxho Maria i degës kastriotase të Napolit ka dy djem, edhe Xhulio i degës kastriotase të Leçes ka një djalë.
Saktësojmë se në prejardhje të drejtpërdrejtë mashkullore Xhorxho Maria vjen nga fëmija natyral i Ferrantes, me emrin Akile, Alesandro, Xhulio dhe Paola nga Pardo.
Admirina Peçi-Histori shumë intriguese.
Ylli Polovina-Por edhe shumë e gëzueshme për ne. Kur këta Kastriotas janë e mbeten qytetarë italianë dhe kur në Shqipëri nuk ka as fron dhe as ndonjë pronë për t’u trashëguar si pjesë e principatës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, përse edhe historianët profesionistë, përfshi edhe autoritetet tona shtetërore apo politike, të mbajnë distancë apo të bëjnë kujdes mos shkelin ndonjë kriter shkencor?
Është në mes historia jonë, të cilës i mungojnë ende shumë pjesë të rëndësishme. Por kjo që ndodh, indiferenca apo një lloj droje për të mos bërë ndonjë gabim shkencor dhe hyrë në pleksjen e ngatërruar të interesave dhe lidhjeve politike, nuk mund të quhet një rutinë, thjesht një paragjykim. Shtrëngohem të pohoj se kam kërkuar e gjetur prova të shumta që lënë përshtypjen se kemi të bëjmë me një “komplot” të vijuar, shumë e shumë dekadësh.
Admirina Peçi-Komplot!?
Ylli Polovina-E vura në thonjëza për ta bërë të barasvlershme edhe me fjalën intrigë. Për thurrësit e saj Gjergj Kastrioti duhet të jetë vetëm monument dhe kaq. Kështu përdoret me lehtë dhe përfitohet më shumë propagandë dite



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com