Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Gjenden në Romë eshtrat e Qazim Mulletit


(Botuar në gazetën “Panorama” më 3 tetor 2011)

Kohët e fundit gjatë një bisede me Tanush Mulletin, nipin tashmë të njohur të të shumë më të njohurit Qazim Mulleti, ky papritmas përmendi emrin e poetit Gëzim Hajdari, cili prej afro dy dekadash jeton e shkruan në Itali, duke u bërë edhe ai një emër mjaft i ndjerë. Citimi i Hajdarit erdhi sepse fjala ishte për të vuajturit nga gjysmëshekulli totalitar i para nëntëdhjetës dhe se poeti, duke u shpalosur fort në shtyp, ka sipër marrë prej vitesh misionin e zbulimit dhe rivlerësimit të figurave të shquara kombëtare. Sigurisht Gëzim Hajdari nuk është i vetmi në këtë përpjekje, por Tanush Mulletit i kishte bërë përshtypje pasioni i tij, një lloj betimi që i kishte nënkuptuar.
Me postë elektronike, një ditë më pas, e vura në dijeni poetin për fjalët e ngrohta që dëgjova. Ai mu përgjigj me disa radhë, ku nuk kishte pak befasi. Ai njihej me Mulletët. “Ruaj një kujtim me djalin e xhaxhait të Tanushit, Rushitin (djalin i Qazimit)”, më shkroi, “Ishte një ditë vjeshte e vitit 1986. Në fushat me misër të Savrës, në qytetin tim të Lushnjës, takoj Rushitin dhe ndër të tjera i them: \\\\\\\"Shiti (kështu i thërrisnin shkurtimisht), nëse do të ishte yt at, Qazim bej, ku do të ishe sot?” Shiti, me shtat jo fort të gjatë e të imët, më thotë \\\\\\\"Do të isha ambasador në Zvicër\\\\\\\". Dhe unë përsëri \\\\\\\"Pse jo në Itali?\\\\\\\" Prapë ai: \\\\\\\"Jo nuk dua në Itali, në Zvicër më pëlqen\\\\\\\". Ky ishte takimi im i vetëm e i paharruar me djalin e të madhit Qazim Mulleti, ish-prefekti i Tiranës”.
Më pas do ta pyesja Gëzim Hajdarin për ndonjë hollësi tjetër rreth kësaj ngjarjeje dhe ai do të shtonte se rasti dhe fati i njohjes me Rushitin kishte ndodhur kur për disa muaj pati punuar edhe ai si punëtor bujqësie në brigadën e një bashkëvendasi me emrin Llazar Stambolliu. Pikërisht këtu në brigadën e tretë të plehut (kështu quhej saktësisht), ishte, sigurisht si i internuar, edhe i biri i ndëshkuar padrejtësisht i Qazim Mulletit. “Në atë trup të vogël të bënin përshtypje krahët e tij shumë të gjatë”, shpjegoi poeti, “dhe kur me kujdes e pyeta përse i kishte ngjarë kjo, ai u përgjigj “Për shkak të peshës së tezgave të rënda me pleh”. “Qe njeri i gëzuar, gjithsesi”, shqiptoi pikëllueshëm Hajdari, “përherë rrinte me buzë në gaz”.
Në ditët e mëpasshme poeti do të shprehte edhe një brengë, të cilën e kishte ruajtur përherë në shpirt: të shkonte në varrin e Qazim Mulletit, i cili ndodhet në rrethinat e largëta të Romës, në qytezën e njohur Roka di Papa (Rocca di Papa). Do të vendoste atje një tufë me lule. Ndoshta edhe ato fjalë të ngrohta të Tanushit, duke e prekur, e kishin shtyrë edhe më shumë të mos vononte.
Kështu një ditë (qe e enjtja e kësaj jave, 29 shtator), mori udhën për të plotësuar një amanet që në heshtje ia kishte bërë Rushitit, pas asaj bisede të dhimbshme e të largët, kur njerëz përreth nuk kishte dhe në fusha sapo qe korrur misri.
Në Roka di Papa e priti një nga nëpunësit e komunës, me të cilin pati folur para se të nisej. Ai i tha se hë për hë nuk mbante mend të gjithë emrat e të vdekurve, por do të shkonin në arkivë e shihnin dokumentet. Kur hapën një nga regjistrat e gjetën emrin e Qazim Mulletit. Ishte shkruar se pati ndërruar jetë në 28 gusht 1956, ora dy e pasdites. Si profesion i qe shkruar “nëpunës”. Adresa ku në Roka di Papa ish-prefekti i Tiranës pati jetuar qe një lagje në pjesën e vjetër të qytezës, në Vikolo dele Grote (Vicolo delle Grotte), numër 8. Pastaj njeriu i komunës u shpreh se tani mund të shkonin në varreza.
Kur hynë në Cimitero Comunale San Sebastiano Martire, Qazim Mulleti nuk qe mes varreve të zakonshme, por i futur në një arkë alumini, në një nga depot. Punonjësi i varrezave shpjegoi se personi për të cilin poeti Gëzim Hajdari po interesohej qe hequr prej andej në 2004. Sqaroi se kjo ndodhte me të gjithë pas tridhjetë vitesh. Liroheshin vendet për jetëhumburit e radhës. Pastaj shtoi se varri ku Qazim Mulleti kishte qenë më parë tani mbarte një të vdekur tjetër, me emrin Xhuzepe. E vijoi fjalën e tij duke thënë se tashmë mund të shkonin në depo e ta shihnin me sy arkën e vogël arkivol. Tha gjithashtu se do ta nxirrte jashtë dhe se do ta hapte që Hajdari ta shihte. “Kjo nuk lejohet”, shtoi, “po ashtu edhe të bëhen fotografi në varreza, por ti vepro si të duash e unë nuk do të them asgjë”.
Ndërsa do të shihnin që brenda kutisë mortore do të ishin një grusht kockash, shenja të dhëmbëve, gjurmë të tretura të një tufe flokësh, dy mbetje këpucësh dhe po ashtu copëra të imta çorapesh, punonjësi italian i bashkisë do të thoshte me trishtim se në qytetin e tyre të vizituar nga njerëz të shquar, nga Zhorzh Sand, Stendhal e deri tek Anderseni, ku kishte jetuar e qe varrosur edhe këngëtari i shquar italian Klaudia Vila, për shqiptarin Mulleti nuk kishte asgjë të botuar, artikull apo libër, qoftë kjo edhe ndonjë broshurë.
Gazim Hajdari atëherë nisi t’i fliste për figurën e bashkëkombësit të tij, jetën e trazuar nga politika dhe njëkohësisht familjen e shquar që përfaqësonte, se sa mirë do të qe që eshtrat e tij të riktheheshin në Shqipëri....
Rrëfimi mbi këtë ngjarje të së enjtes vijon edhe më tej, por po e ndërpresim një çast këtu, për të mos e lënë apo braktisur absolutisht, por për ta çuar më tej, duke e vijuar në një shkrim shumë më të plotë.

Ylli Polovina

.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com