Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Në kërkim të Princit të Beratit


(Botuar në gazetën “Telegraf” në 9 dhjetor 2011)

Në mëngjesin e 27 nëntorit ishim që të pesë në sheshin qendror të Beratit: mjeku Dervish Hoxha, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës “Mehmet Qiprilliu”; Abedin Kajo, gazetar dhe po ashtu i pasionuar pas temave historike; Servet Hoxha, shef i Policisë Pyjore të rrethit, prej mbi tridhjetë vitesh oficer karriere; Beqir Shite, punonjës mjaft i vjetër i kësaj Policie.
Do të niseshim sa më shpejt drejt malit të Tomorit. Shkaktari i atij udhëtimi atë të diel, kur mund fare mirë të pushonin, qeshë unë. Po shkruaj një libër për Princin e Beratit, Gjon Muzakën, të emigruar në Itali, Napoli, në vitin 1478. Në testamentin e tij të çmuar, drejtuar tre djemve të vet në 1510, vit kur mendohet se edhe ka ndërruar jetë, mes shumë të pazakonshmeve që ka dëshmuar, shumica shprehur me fare pak fjalë e plot të pathëna, për fat tashmë të deshifruara dhe të interpretuara prej meje, çfarë i japin shkëlqim edhe më të madh qytetit të Beratit, një gjë mbetej enigmë. Pas vdekjes së Skënderbeut, të cilin e kishte edhe kushëri, Gjoni rezistoi në kushte të vështira në territorin e fshatrave buzë Tomorit. Duke qenë se në testament në përdorimin prej tij të emërtimeve Tomor i Vogël, Tomornicë dhe Tomonishtë nuk bëhet fjalë për të njëjtën hapësirë gjeografike, por lë të kuptohet për pjesë para malit dhe pas tij, pamje kur shihet nga Berati dhe kur ky vështrim kryhet nga Skrapari, më duhej ta “shkelja” terrenin vetë. Ndryshe as kisha për ta zbardhur kurrë atë mister, asnjëherë nuk do të mundja ta përfytyroja ku qe vendosur për vitet para se fshehurazi osmanëve të shkonte në Durrës dhe prej andej, në kushtet e përndjekjes këmbë për këmbë prej tyre, një terr nate t’i hipte një anijeje dhe kapërcente detin,
Kur ajo ditë e lodhshme të diele, sa kishte dritë e mbushur me diell dhe sapo ra nata e stërpikur nga yjet, qe mbyllur, u rikthyem në qytetin e llamburitur. Ndiheshim fitimtarë. E patëm pikasur vendin ku Gjoni duhej të kishte kaluar vitet e qëndresës së tij përballë sulltanit të fuqishëm, të ditur, dinak e të mençur, Mehmet II, të pranuar më pas në histori si “Pushtonjësi i botës”. Në viset përreth malit të Tomorit, grimcë e imtë e mbetur nga pronat e mëdha të Muzakajve, princi i Beratit duhej të qe strehuar në një shpinë kodrine, pa asnjë shenjë jete prej disa shekujsh, por që mbante emrin e një vendbanimi: Qytezë. Sigurisht Gjon Muzaka një pjesë të atyre viteve patjetër e ka kaluar në Lavdar, vendlindjen e dinastisë së tyre, ku nëpërmjet testamentit dëshmon se pranë një kishe të familjes gjendeshin varret e të ëmës dhe të atit. Prej Qytezës të mbetur vetëm emër toponomistik dhe fshatlindjes të Muzakajve, edhe tani i banuar, në vijë ajrore nuk kapërcehen më shumë se një duzinë kilometrash.
Nga ai udhëtim buzë malit të Tomorit kisha tashmë në duar edhe një fakt tjetër, krejtësisht të pamenduar e të parashikuar kur u kërkova ndihmë katër miqve të mi të vyer. Zbulova një provë me të cilën mund të shpjegoj shtysën e formimit të stemës së familjes Muzaka, stemë që e mban edhe bashkia e Beratit dhe po ashtu vetë qyteti: atë shatërvanin e dlirët me ujë i cili, duke u hedhur shkumëzueshëm lart, ndahet pastaj vrullshëm në dy currila të mëdhenj.
Por këto janë “sekrete” të librit që planifikoj ta botoj në muajin e ardhshëm prill, me këtë rast edhe unë si shumë bashkëkombës, me një gjest për të nderuar 100-vjetorin e Pavarësisë.
Ndërkohë të njohësh fatin e trazuar të princit Gjon dhe të gjithë familjes pothuaj dhjetë brezëshe të Muzakajve është një mundësi e rrallë për të kuptuar jo vetëm ata që kanë populluar qytetin e një mbi një dritareve, por shumë më shumë se kaq. Ndihmohesh të bësh edhe tjetrën, rikthimin në kujtesë të së harruarës, të të munguarës: të njohësh pjesë të jetës së banorëve të Myzeqesë, dikur pronë e kësaj dinastie, territor shumë i gjerë me bashkëkombës me flokë biondë të quajtur Lalë dhe që për shekuj të tërë Beratin e kanë pasur kryeqytet. Lexuesi i tanishëm e ka të vështirë të përfytyrojë një Shqipëri tjetër, shumë ndryshe nga kjo sot, ku harta gjeografike është transformuar e mbushur me vendbanime të reja. Në mesjetë në të gjithë jugun e vendit qytet i madh qe vetëm Berati, në të mesmen Durrësi dhe në atë të veriut Shkodra. Tërë të tjerët ose ishin qyteza ose kala garnizonesh, ose fshatra të mëdhenj.
Të njohësh jetën e princit Gjon Muzaka dhe nëpërmjet vetëm pesëdhjetë faqeve të testamentit të tij ta kuptosh atë dhe tërë historinë e Arbërisë, do të thotë të rikthesh në memorien kombëtare afro njëzetë fshatrat që ndodhen në gju të Tomorit, përballë Beratit, dhe pothuaj trefishin e tyre që rrinë në pëqinjtë e malit, nga ana tjetër. Ata ekzistojnë edhe sot emër për emër siç më 1510 i ka shkruar në mërgim Gjoni, dhe siç një regjistrim osman i ka fiksuar pothuaj një shekull më parë tij. Të tillë mbeten, jetëgjatë, edhe më në thellësi të kohës. Fikja e disave prej tyre, fare pak, ka ngjarë vetëm në të papriturat e mijëvjeçarit të parë. Për fat të keq po ndodh edhe sot. Shumë prej tyre kanë mbetur me vetëm pesë a gjashtë apo diçka më shumë familjesh të përgjysmuara, vatra jete të zbrazura prej emigracionit jashtë vendit apo edhe prej migrimit të brendshëm, ikja drejt Tiranës, Vlorës apo Durrësit.
Në fshatrat buzë e përkëtej Tomorit, me pamje nga Berati, veçanërisht në atë hapësirë që kishte privilegjin nga familja Muzaka, por edhe prej bashkëkohësve, të quhej Myzeqeja e Vogël, emërtim tashmë i zhdukur nga hartat administrative të shtetit tonë, por edhe nga përmendjet gojore, prania e historisë thellë shekullore është befasuese, njëkohësisht e mahnitshme, që të lë pamend. I sapo shkëputur prej qytetit 2400 vjeçar të Beratit, ku historia ndodhet në çdo pëllëmbë, dhe duke u ngjitur gjer te themelet shkëmbore të malit Tomor ndodh habitshëm që sërish këtu rikthehesh menjëherë dy mijëvjeçarë më pas, atëherë kur në këto vise jetonin ilirët dhe ata u bënin qëndrese maqedonasve helenikë apo Perandorisë Romake. Ka një rrugë iliro-romake këtu dhe mbetjet e dukshme të një kështjelle antike pranë fshatit me emrin Tomor. Brenda mureve të saj një garnizon i vogël vigjilonte dhe ruante këtë korridor të madh komunikimi të ushtrive që vinin nga Roma apo bënin rrugën e kundërt, nga thellë Ballkani apo prej hapësirave të largëta të Perandorisë Bizantine, edhe përtej Bosforit. Këtu kalonin vazhdimisht karvanët e tregtarëve, bënin ec e jake funksionarët e lartë të shteteve të kohës.
Këtu, pranë malit të Tomorit, lashtësia e jetës së shqiptarëve është pamje që për syrin e zakonshëm nuk dallohet, po ashtu për fat të keq edhe për ata që, prej çastit kur jemi pavarësuar, e kanë qeverisur vendin tonë dhe njëkohësisht atdheun e tyre. Kemi një ves të përbashkët ne, popull dhe elitë: i harrojmë vlerat e të djeshmes, po nuk na shërbyen sot. Ne jemi “veza sot dhe jo pula mot”.
Ne na përkëdhel dhe na trullos sedrën për t’u dukur më shumë legjenda se mali i Tomorit në mote pellazgësh ka qenë streha e hyjnive të lashta sa vetë njerëzimi, vetë Tempulli i Dodonës. Ndërkohë harrojmë se të dymijë e katërqind vitet e jetës qytetare të kështjellës së Beratit dhe përballë saj edhe të asaj të Goricës, shtrihen denjësisht në dy shekuj e gjysmë deri tek kalaja e Tomorit.
Rruga iliro-romake, korridor jo krahinor, as nacional, por ndërkombëtar, kontinental, është akoma në disa pjesë e ruajtur me fragmente kalldrëmesh. Nëpër të dhe përreth saj ka buisur qytetërim i lartë, çfarë mund ta kërkosh e gjetur edhe sot, ndërsa gjithçka duket e zakonshme dhe e rëndomtë. Duke u zbuluar dhe studiuar ajo u duhet bërë e ditur, që të mos e tërheqë zvarrë gjer në harrim, mijëra turistëve vendas dhe të huaj që vijnë në Berat, apo fatmirësisht edhe më tej, deri në kanionet marramendëse të lumit Osum, në Skrapar.
Tomori është një mal luan, jo vetëm nga pamja e shtati i tij. Ai bashkë me rrethinat, me dhjetëra vendbanimet që mban tek këmbët e pëqinjtë, është i mbushur me histori madhërisht të denjë për Evropën, pse jo edhe krejt rruzullin. Nuk mund të kuptohet Berati si Trashëgimi Kulturore Botërore e UNESKO-s pa këtë pjesë të natyrshme dhe kryesore të tij.
Tomori këtu, mes beratasve dhe skraparllinjve, deri thellë në Myzeqe apo në afërsi të Devollit, është një perëndi e vërtetë. Edhe kur nuk e kanë kuptuar ndërgjegjshëm si një forcë të tillë, vendasit e kanë të shkrirë pavetëdijshëm brenda vetes. Secili banor i këtyre anëve shumë apo pak, edhe pse e thërresin apo në regjistrat e Gjendjes Civile e kanë shënuar me një emër tjetër, është një Tomor.
Për të kuptuar sado pak si ky mal hyjnor bën jetë brenda gjithsecilit prej tyre, duke e mbyllur këtë reportazh të shpejtë, do të sillnim një emër: Xhevahir Spahiun.
Poezia e tij gurgulluese në ndjenjë dhe gjëmimtare në mendime, shkurtimat e tij, vjershat pakvargjëshe që mes shqiptarëve vetëm ai i thur, janë shenja më e sigurt se ky poet e ka Tomorin në çdo qelizë të vetvetes.
Këtë gjë e kam kuptuar shumë vite para se Xhevahirit t’i ndodhte ai cenim i rëndë i shëndetit, i njohur nga të gjithë ne. Por të shndërruar realisht në Tomor e kam parë pak ditë para se t’i avitej kurthi i sëmundjes. Ishim në Berat, në një përkujtim shkencor për Qiprillinjtë, treçerek shekulli kryeministra të Perandorisë Osmane. Pasi konferenca mbaroi, shtruar në një drekë miqësore në një restorant që kishte malin e lartë përballë, Xhevahir Spahiu papritur u ngrit nga tavolina dhe nisi të vallëzojë. Tek lodronte hijshëm hapat, një çast nderi lart duart. Ato momente që e fiksova pamjen Tomori rrinte në sfond dhe menjëherë mu duk sikur i hodhën krahun njëri-tjetrit. Pastaj të dy u bashkuan dhe u tretën në një.
Sepse është njëkohshëm njeri dhe mal, sëmundja mbi të, si një rrufe që bie mbi shkëmbinjtë e Tomorit duke më pas u shuar si të qe një hiçmosgjë, ashtu u kthye ajo mbrapsht, e bërë copë e thërrime.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com