Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”


Fragment

Kur në Napoli, kryeqendër mbretërie që shtrihej në të gjithë jugun e gadishullit Apenin, në vitin 1510, princi i krishterë shqiptar Gjon Muzaka nisi të shkruajë testamentin, qe i mbushur plot me entuziazëm se fëmijët e tij do të ktheheshin një ditë në pronat e tyre të pushtuara nga osmanët. Ato shtriheshin përtej detit në anën tjetër të tokave italiane, jo atij të Mesdheut, të cilin e shihte çdo mëngjes dhe mug mbrëmje, por ujërave të Adriatikut dhe Jonit. Ata dy dete të kaltër ndodheshin në bregdetin e Apulisë, Pulies së sotme, shumë larg prej andej ku po kalonte ditët e fundit të jetës.
Princi Muzaka i njihte ato brigje, sepse i ngarkuar nga mbreti i Napolit kishte punuar ca kohë si admiral i portit të Brindisit dhe pambarimisht i pati ngrysur ditët me vështrimin mbi ujërat që e ndanin mizorisht nga trojet ku kishte lindur. Sa herë i pati kapërcyer me sy dhe mendje, herë i ngazëllyer dhe në më të shumtën e rasteve me lot në sy! Po i vazhdonte ky mall gërryes edhe tek shkruante atë testament dhe u përmendte një nga një tre bijve të vet dhe dy vajzave emrat e viseve që në mëmëdhe qenë pronë e tyre.
Ditë pas dite, jo me shumë ngut, por për shkak të moshës edhe pa u vonuar tepër, po u shkruante se principata e Muzakajve përhapej që nga jugu i thellë në kufi me grekët, qyteti dhe krahina e Kosturit, deri afër zemrës së Arbërisë, shumë më në veri të fushës së madhe të Myzeqesë, përtej lumit Shkumbin, atje ku ndodhej Kavaja.
Kryeqyteti i shtetit të tyre ishte Berati.
Ato kohë nëpër kronikat italiane, por edhe nëpër të gjithë Europën, ai ende shkruhej e thirrej në formën sllave të shqiptimit: Belgrad. E pati marrë këtë emër nga pushtimi bullgar i fundmijëvjeçarit të parë dhe donte të thoshte Qyteti i Bardhë.
Por nuk qenë këta që e kishin shpikur këtë emër vezullues. Thjesht me një metaforë sllavizuan atë që gjetën: Pulheriopolis. Në gjuhën zyrtare të Perandorisë së krishterë të Bizantit, në greqishten e vjetër, donte të thoshte qytet i bukur, i mahnitshëm.
“Unë Don Gjon Muzaka, Despot i Epirit, mbasi u përzura prej Turkut nga shtëpia ime dhe u zhvesha prej zotërimit tim, erdha në Mbretërinë e Napolit, ku Mbreti emërmirë i Aragonës, Ferrante Plaku, kujtimi i të cilit nuk do të më shqitet nga mendja kurrë, më zgjati dorën, dhe jo vetëm që më priti në pallatin mbretëror, së bashku me pjesëtarët e familjes sime, duke na mbajtur me bukë, por edhe më premtoi se do të më jepte për vendbanim tokën e quajtur Apice dhe pasurira të tjera.
Për fatin tim të keq, ai vdiq, u zhvilluan luftëra të vazhdueshme, dhe unë mbeta si anije pa timonier midis dallgëve të furishme, pa katandi e pa njohur as gjuhën italiane. I mbetur pa mbrojtjen e tij, në këto troje, mu desh të rris dhe të ushqej në varfëri dhe me shumë vështirësi, si desh Zoti, bijtë e mi: Teodorin, Adrianin, Kostandinin e ju Elena e Porfida”.
Ndërsa me pendë gërvishte butësisht letrën dhe hidhte një pas një në bardhësinë e saj bojën e germave, Gjon Muzaka, edhe pse tashmë qe gjashtëdhjetë e dy vjeç, nuk mund ta dinte se jetën e mbetur gjithsesi e kishte mjaft të shkurtër. Do t’i fikej si qiriri ende pa dalë ai vit.
Për të 1510-ta ndrynte brenda vetes njëherësh mosvdekjen dhe ikjen e tij të trishtuar nga kjo botë.
Qe ai testament i shkruar veçanërisht për tre trashëgimtarët meshkuj, ajo e thjeshtë tufëzë letrash intime e hartuar me dëshirë të qëndronte dhe ruhej vetëm brenda familjes, e cila mjaft shekuj më vonë do ta nxirrte kujtimin e tij të zbehur nga koha dhe kurbeti, duke e shpëtuar prej mbetjes pezull në buzë të greminës së harrimit. Madje këtë rikthim në kujtesën e atdheut të tij përtej detit Adriatik ato pesëdhjetë e pak fije letre do ta bënin shumë vrullshëm, si të qe shpërthimi i një vullkani të fjetur tepër gjatë.
Patën qenë të parët studiuesit dhe më pas bashkëkombësit, të cilët të mbetur pothuaj të pagojë, morën vesh se princi i qytetit të njohur të Beratit, disa herë kryeqytet i Epirit, kishte pasur një jetë plot andralla jo vetëm në viset e tij, por edhe në atë mërgim politik të detyruar. Prej atij testamenti u mor vesh edhe se në mbretërinë e Napolit, atë vit 1510, ai mbushte plot tridhjetë e dy vite. Në kurbet pati kaluar më shumë se gjysmën e jetës.
Tashmë, pasi mbaroi të shkruari dëshminë pronësore, qe gati t’i thoshte kësaj bote lamtumirë. E dinte, që në dhé të huaj, duke u futur nën tokë, të mos kujtohej më. Nga ta dinte Gjon Muzaka se ishte me fat. Do ta shpëtonte kujtimin e tij pikërisht ai testament. Që kur pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, prijësit e qëndresës antiosmane patën emigruar në trojet e italianëve, në veri, në Venecie, në Padova, Ankona apo Gjenova, në jug, në Napoli dhe në Pulia, më thellë akoma drejt fundit të gadishullit, në Kalabri e Sicili, harrimi kishte nisur të ishte rrebesh i furishëm.
Kur trupi i pajetë i princit të Beratit u fut nën dhé, nuk i duhej thjesht një varr. Fisnikët kishin kishat e tyre dhe atje preheshin brez pas brezi. Në dekadën e fundit të shekullit të shkuar ndodhi që u hap një debat për vitvdekjen e tij. Shkak u bë një shenjë që tregonte se ku mund t’i kishte eshtrat. Një pllakë e mermertë në Kishën Mëmë, në Chiesa Maggiore, siç i thonë banorët vendas, në qytetin italian Frankavila Fontana, shënonte emrin e tij si edhe vitin e ndarjes nga jeta: 1510.
Në latinisht në atë pllakë gjenden edhe tani këto fjalë: “I gjithëpushtetmi Jezu, ky është varri i Gjon Muzakës, biri i Despotit Gjin, zot i Epirit dhe i Myzeqesë, i cili vinte prej qytetit të Bizantit dhe në emblemën e tij mbante shqiponjën me dy koka. Atij i është kushtuar kjo kurorë në vitin 1510 të Zotit tonë” (“Omnipotens Iesu, sacrarium hoc tibi Ioanes Mosachi, filius En Ghini Despotis Epirothae et Mosachiae domini ex urbe Bisantis oriundi bicipem habentis insigne coronatan religiose dedicat anno domini 1510”).
Sipas një teze tjetër, kundërshtuese e të parës, e cila mbron pikëpamjen se princi nuk ka ndërruar jetë në motin kur shkroi testamentin e tij, por katër pesë vite më vonë, kjo shenjë e mermertë përkujtimi i kushtohet një Gjon Arianit Komneni, kushëri i parë i dinastisë së Muzakajve, edhe ky njëri prej të mërguarve të mëdhenj të krishterë shqiptarë të pas pushtimit osman. Gjoni tjetër qe kapiten i Frankavilës.
Dyshimi se pllaka nuk i përket Gjon Muzakës së vërtetë gjen mbështetje edhe në një arsyetim fare të thjeshtë. Princi i Beratit, edhe pse për disa kohë punoi në Brindisi, gjithë pjesën tjetër të jetës e kaloi në Napoli. Po aty ndërroi jetë. Asnjë arsye bindëse nuk ka përse trupi i tij duhej të mbartej nga brigjet e Mesdheut deri në ato adriatikojoniane, pra të kapërcente të gjithë gjerësinë e gadishullit Apenin e të strehohej në kishën dhe nëntokën e Frankavila Fontanës. Ky qytet ndodhet njëzetë kilometra larg Mezanjës, vendbanim me shumë shenja të dukshme të disa familjeve fisnike shqiptare në mërgim, mes tyre edhe një varr i një luftëtari me mbiemrin Kastrioti, një grumbull shtëpish me emrin e vjetër Masseria Albanesi si edhe i një rruge me fjalët Muzaki (Musachi).
Ndërkohë mes dy tezave të para kërkon të hapë e gjejë vendin e vet edhe një e tretë. Sipas saj jo Gjoni vetë dhe as homonimi i tij Arianitas, por një degë e princit të Beratit, pra e Muzakajve, është zhvendosur pas vitit 1510 prej Napolit në Frankavila dhe atje, në vite të mëvonshme, mbase është ajo nismëtarja e përkujtimores së mermertë. I këtij mendimi është edhe Xhankarlo Valone, studiuesi më i mirë bashkëkohës italian i familjeve fisnike arbërore të Mesjetës të mërguara në tokat e krahinës së Pulies dhe Salentos. Historiani Ferit Duka në “Muzakajt-një lidhëz e fuqishme midis kohëve paraosmane dhe osmane”, botuar në revistën “Studime historike”, Tiranë, 204, nr.1-2, shkruan “Ndërkohë, një nip i Gjon Muzakës nga i vëllai, Gjini, shërbente si kështjellar në Mezanjë, shërbim të cilin e trashëgoi edhe i biri, Andrea. Ka të ngjarë që edhe një nga djemtë e Gjonit, Teodori, të kryente detyra të ndryshme administrative në Mezanjë dhe në Kastelaneta”.
Sidoqoftë nëse ajo pllakë debatngjallëse i është kushtuar posaçërisht Gjon Muzakës apo jo, peshë ka fakti që teksti i shkruar atje përmbledh mjaft ngjeshur thelbin e vetë testamentit të tij. Ata që e kanë shkruar, për t’ia mbajtur gjer në amshim kujtimin apo thjesht për ta përdorur në të mirë të ndonjë fame vetjake, ngjan sikur ia kanë ditur përmbajtjen.
Megjithatë kur në vitin 1510 hidhte në letër dëshminë e tij doemos princi Muzaka nuk mund të përfytyronte asgjë të tillë nga sa po diskutojmë ne në këtë dekadë të dytë të vitit dymijë. Ai do ta ketë pritur vdekjen pa ndonjë brengë të tillë.
“Kur erdha në këtë vend, ti Teodor ishe një vjeç e gjysmë, dhe Adriani një muajsh e gjysmë, ndërsa ti Kostandin ke lindur në këtë mbretëri.
Që ju të dini si filloi shkatërrimi i perandorisë së Kostandinopolit, dhe yni, po ju them, se pat një mosmarrëveshje midis Paleologut dhe Kantakuzenit, lidhur me sovranitetin mbi perandorinë, dhe aq u ndez grindja sa Paleologu u shtrëngua të thërriste në ndihmë Muratin I...
Murati I i përshkroi të gjitha këto toka dhe pushtoi shumë troje, duke përfshirë edhe qytetin e Adrianopolit, pastaj erdhi Murati II, me tërbim të madh, për të pushtuar Serbinë dhe Bullgarinë.
Atëherë u bashkuan, për të luftuar kundër Muratit II, Llazari, Despoti i Serbisë, Marku, Mbreti i Bullgarisë e Teodor Muzaka, djali i dytë i familjes sonë, me plot zotërinj të tjerë shqiptarë.
U zhvillua beteja dhe të krishterët u mundën. Teodori, që kishte marrë me vete një aradhë të dendur shqiptarësh, ra në betejë, ndërsa Llazari, Mbreti i Serbisë, u zu rob dhe pastaj u vra.
Për Shqipërinë ky qe fillimi i luftërave të vazhdueshme kundër turqve, në të cilat ranë shumë zotërinj e burra fisnikë; mungesa e trimërisë bëri që të humbisnin shtetet e tyre.
Humbëm qytetin e Krujës, në kohën e Bajazitit I, e pastaj edhe Vlorën, edhe pse e kishim mbrojtur gjithmonë. Shkaku i gjithë kësaj u përcaktua nga rritja e vazhdueshme e fuqisë së turqve dhe nga pamundësia jonë për t’u mbrojtur, që vinte duke u rënduar çdo ditë e më shumë”.
Siç shihet fare qartë ajo që shkruante nga pak përditë i krishteri Gjon përherë e më shumë qe edhe testament, por edhe kronikë. Ishin bashkërisht historia e familjes së tij, por edhe ajo e Arbërisë. Do të qe e pronave të principatës Muzaka, por edhe e asaj të Arianitëve, të Kastriotëve, të Topiajve, të Dukagjinasve, të Ballshajve...
Ato fletë që i mbushte me shënime dhe bashkonin një testament personal me një histori populli, nuk qenë nisur kurrsesi për t’u bërë libër. Kështu që atyre Gjoni nuk u vuri ndonjë titull të përshtatshëm për lexues të shumtë, veç asaj që lyp një krijesë intime, pothuaj një ditar. Nga që në këtë zgjedhje ishte tërësisht i sinqertë por edhe i përpiktë, prej studiuesve si edhe botuesve të mëvonshëm, në më të shumtën e rasteve u pranua mirësisht ai që i pati vënë vetë shkruesi: “Përkujtesë e shkurtër për pasardhësit e Shtëpisë sonë Muzaka”. Jo rrallë ky titull origjinal u këmbye edhe me formën “Historia dhe Gjenealogjia e familjes Muzaka”.
Ndërkohë që prej çastit kur dëshmia e princit të Beratit ra në duart e të parit dijetar askush prej tyre nuk ka ndërhyrë të mos pranohet edhe një term tjetër: kronikë. Kjo fjalë, edhe pse del shumë prej sinorëve të rrëfimit të gjërave thjesht personale dhe mban një ngarkesë të thekshme publike, në dekadat apo vitet e fundit prej asnjë njeriu të ditur nuk është shpërfillur, hequr apo zëvendësuar. Në këtë pranim të padiskutueshëm të sinonimisë testament-histori-kronikë studiuesit kanë shkuar edhe më tej. Gjon Muzaka quhet prej tyre edhe kronist.
Pak a shumë kjo do të thotë se vlerësohet si historian.
Të tillë titull e status, vlerësim kaq të lartë, në atë vit të largët 1510 Gjon Muzaka doemos as që e ka ëndërruar.


Kronika-testament kishte dremitur pa u parë veç prej pak syve dhe prekur nga shumë të rralla duar, kryesisht studiues vendas, për 353 vite, kur albanologu gjerman Karl Hopf në 1863, gjatë kërkimeve të tij në Itali, veçanërisht në Napoli, e pati gjetur tufëfletëshin në shtëpinë e sekretarit mbretëror Skipion Volpiçela. Përse ndodhej atje hë për hë nuk ka shpjegime, veç kjo rrjedhë e fatit të saj dëshmon sa në fill të perit i qe mbijetimi për sa kohë pati dalë nga duart e fëmijëve të tij apo prej arkivit mbretëror napolitan. Madje testamenti i gjetur nuk ishte origjinali, por një kopje.
Dorëshkrimet fillikate e të pashumëfishuara janë fatalisht ndër më të humbshmet gjurmë të njeriut. Prodhimi i kopjeve të përkujtesës së shkurtër të princit të Beratit e ka ndihmuar, ia ka vështirësuar zhdukjen. Ka ndonjë studiues i cili gjetjen fatlume të dorëshkrimit të mbijetuar e shtyn disa vite më parë nga çasti i rënies në duart e Hopfit dhe për këtë përmendet emri i një italiani, por ky, edhe nëse e ka kryer këtë vepër të bekuar, nuk e çoi gjer në fund me anë të nxitjes së botimit publik, siç veproi albanologu gjerman.
Ka të tjerë që ngulin këmbë se ky zbulim me fat ka ndodhur jo në shtëpinë e sekretarit mbretëror Volpiçela, historian napolitan me jetë të nisur e të mbyllur në vitet 1810-1883, i cili qe edhe kryepunonjësi i Bibliotekës Nacionale të këtij qyteti, njëkohësisht historian, tregimtar dhe hartues poezish, por brenda vetë këtij institucioni. Ajo quhej ndryshe edhe Biblioteka Brankaçana.
Por të gjitha këto nuk janë veç hollësira. Testamenti i Gjon Muzakës kishte ndjekur fatin e rrezikuar të një të harruari dhe gjersa Shqipëria do të shpëtonte nga sundimi i osman vetëm në vitin 1912, qenë të panumërta pritat për ta asgjësuar edhe atë. Ndoshta në mbrothësinë që pati, më shumë se gjermani Karl Hopf e ndihmoi vendi ku ndodhej i emigruar: Italia.
Çfarë në tokat e shqiptarëve, sidomos çdo shenjë e klasës fisnike që kishte kundërshtuar pushtuesin turk, prej këtij shfarosej metodikisht, në trojet e të krishterëve po aq në mënyrë metodike ruhej. Ajo që në historinë e jetës së princit Gjon Muzaka duket si të jetë kryer prej një magjie, ka të bëjë me vetë aventurën e të ardhmes së asaj tufe letrash: e shkruar për vetëm një familje u shndërrua në mesazh për të gjithë shqiptarët.
Një kopje të testamentit Karl Hopf ia dhuroi kolegut të tij të shquar, albanologut Johan Georg von Hahn, me dëshirën që me autoritetin e tij të madh ta bënte sa më shpejt publike. Atë kohë ky vetë po bëhej gati për një udhëtim në Ballkan dhe të dhënat e Gjon Muzakës mund t’i shërbenin për t’u orientuar më mirë në terren. Por ky rrugëtim u shty dhe Hahn verifikimin e asaj që shkruante princi i mërguar i Beratit, ia besoi më në fund një miku të tij austriak, diplomatit të Austro-Hungarisë në Vlorë, mjekut Auerbah (Auerbach). Ky shërbente pranë konsullatës së Austro-Hungarisë në Vlorë.
Ndërsa Hahn më 1873, dhjetë vite pas gjetjes në Napoli, e botoi dëshminë pronësore të princit shqiptar në veprën e tij madhore “Kronikat Greko-Romane”, në 1885 kopja e origjinalit, falë Auerbahut, ra në duart e peshkopit të Beratit, Anthim Aleksudhit. Ky qe me origjinë nga Athina.
Gjithçka dukej si një ndërhyrje hyjnore. Gjon Muzaka, i cili me trup nuk u rikthye dot në viset e lindjes, këtë mrekulli ia bëri ajo tufë letrash që kishte shkruar në pleqëri. Në mungesë të trupit, madje edhe të eshtrave, ajo dëshmi malli për vendlindjen e mëmëdheun ishte vetë shpirti i tij që më në fund pati kapërcyer malet dhe detin ndarës. Nuk dihet për sa vite në Berat, i mënjanë prej syve të bashkëqytetësve, dorëshkrimi u çmall heshtur me qytetin dhe hapësirat që drejt lindjes të çonin në malin e Tomorit apo drejt veriperëndimit, ku një luginë me lumin Osum zbriste butësisht në fushën e madhe të Myzeqesë.
Dihet me siguri një fakt tjetër: rigjetja e tij.
Rënia sërish në duart e shpëtimtarëve profesionistë të dokumenteve, studiuesve, ndodhi në Bibliotekën Kombëtare të Athinës, në sektorin e dorëshkrimeve të rralla. Patjetër atje e kishte çuar Aleksudhi. Kështu, pas një gjysmë shekulli, i gjendur mes shqiptarësh, kronikë-testamenti i Gjon Muzakës u bë plotësisht me zë. Përherë e më shpesh fletëve intime të mbushura me shkrim dore, prej rotativave të shtypshkronjave, iu qindrafishua vetja.
Ishte dy herë me fat. I pari i ndodhi se e ruajti Italia, së dyti se këtë punë të vyer e kreu edhe Greqia. Mbase po të ndodhej e mbetej në Berat, në dikur kryeqytetin e principatës së tij, ku osmanët po ta diktonin do ta kishin zhdukur, e nesërmja e asaj kopje mund të qe pa të ardhme.
Edhe dokumentet, librat, veprat artistike janë si njerëzit. Ato lindin bashkë me fatin e tyre. Më shumë se kujdesi njerëzor ato i ruajnë koha, vetë rrethanat. Në botën e krishterë gjithçka që lidhej me luftën antiturke, për pesë shekuj sa kjo betejë zgjati, nuk iu dha harrimit.
Tek sa në vitin 1510 Gjon Muzaka shkruante kronikën e jetës shqiptare të shekullit të pesëmbëdhjetë e njëkohësisht testamentin e vet, të gjithë kërkuesit shkencorë, si ata që e zbuluan dhe gjithë të tjerët që e përcollën në besim nga njëra dorë në tjetrën, ishin të huaj. Kur u shfaqën shqiptarët, gjer në 1912 ende pa shtet dhe pa biblioteka, me fare pak studiues dhe fare pa arkiva, mos humbja e dëshmisë së pazakonshme të Gjon Muzakës pati ngjarë.
Fatmirësisht qe kryer.
Evropa e pati ruajtur për pesëqind vite kujtimin e veprës së Gjergj Kastriotit, princit të famshëm të Krujës, me gjithçka që për të ishte e shkruar me fjalë, e thurrur me tinguj muzike apo e vizatuar. Si për të vërtetuar sa jetike ishte ky rrënjëzim i përbashkët me kontinentin evropian, e njëjta gjë u përsërit edhe me princin e Beratit.
Skënderbeu pati zulmuar sa qe gjallë. Ai kishte hyrë në kronikën e kontinentit që në ditën e parë të kryengritjes së tij, menjëherë pasi mori kështjellën e Krujës dhe shpalli rikthimin e bujshëm në fenë e mëparshme, të krishterë. Gjon Muzaka, kur ngjau kjo ardhje profetike e Gjergj Kastriotit, ditët e fundit të nëntorit 1443, ende nuk kishte lindur. Djali i trashëgimtarit të drejtpërdrejtë të principatës me kryeqytet Beratin, Gjinit, pati dalë në këtë jetë pesë vite më pas, në 1448.
Kur Skënderbeu dha shpirt në qytetin e Lezhës në 17 janar 1468 Gjon Muzaka qe vetëm njëzetë vjeç.
Kështu me njëri-tjetrin nuk u takuan dot, nuk bashkëpunuan dot, nuk patën kohë të bënin as mikun, as aleatin, as armikun. Në Shqipëri nga 1443 deri në 1468 i kishe të gjitha gjasat dhe të tëra mundësitë, edhe vetë fatin, të hyje në histori. Madje jo vetëm në atë të vendit tënd apo të Ballkanit, por të gjithë Evropës.
Skënderbeu e pati këtë rast, madje ai qe ndër kryesorët protagonistë të krijimit të kësaj periudhe të bujshme, kurse Gjon Muzaka jo. Ishte i ri. Ndoshta mosfati i tij qe se kishte lindur vonë. Më pas 1468-tës, vitit të jetëhumbjes së Gjergj Kastriotit prej një malarie, sigurisht histori të shqiptarëve do të kishte, gjithaq sublime si më parë, por jo më aq shumë në vëmendjen e ndezur të kontinentit e të gjithë botës së krishterë.
“Andrea, stërgjyshi im, nga vërshimi i Bajazitit humbi një pjesë të Devollit dhe të Muzakisë, që më vonë mundi t’i rimarrë, ndërsa pjesa tjetër e shtetit të tij nuk qe pushtuar asnjëherë.
Gjini, im at dhe gjyshi juaj, sundoi mbi shtetin e të atit, por edhe ai e humbi Muzakinë, veç mundi ta rimerrte përsëri”.
I pushtojnë osmanët dhe Muzakajt sërish çlirohen. Kjo, mbijetesa edhe në çastet më të vështira, ishte cilësia e tyre kryesore. Ndryshe nuk do të rezistonin e t’i shpëtonin shuarjes për tre shekuj me radhë. Qëllonte që mundeshin, por ringriheshin. Sepse besonte në këtë dhunti të familjes së tij, tashmë me të gjitha pronat të pushtuara prej perandorisë së fuqishme osmane, princi Gjon, tek në vitin 1510 shkruante testament-kronikën e tij, qe i bindur se do të vepronte sërish dhuntia e tyre. Prona dhe shteti i rrëmbyer nga sulltani do të rimerreshin. Nuk është shprehje e pavetëdijshme ajo që ai përsërit dy herë për stërgjyshin Andrea dhe të atin Gjin. “Më vonë mundi t’i marrë“ shkruan për të parin, “veç mundi t’i rimerrte përsëri” tregon për të dytin.










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com