Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ramiz Alia “ngatërron” vitet e ngjarjes me argjentinasin Farran


(Cikël nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)

Edhe pse e rrëfyer në mënyrë romaneske, ku jo çdo gjë e dorës së dytë ka ngjarë saktësisht ashtu, gjithçka tjetër nga sa deri tani shkruam, pra vetë thelbi i ngjarjes dhe emrat e dy protagonistëve kryesorë, argjentinasve Hernando Farrani dhe Mendes, janë në përputhje të plotë me çfarë ka bërë publike dy dekada më pas ndodhisë vetë ambasadori i Shqipërisë në Buones Aires Piro Andoni.
Në vitin 2009 ai botoi librin “Atje larg...në fund të botës”. Është një treqind e pesëdhjetë faqesh ku vetëm dhjetë prej tyre i kushtohen ngjarjes së mësipërme. Edhe këtë rast pjesa më masive e asaj që është hedhur në letër vjen në formën e fragmenteve të shkëputura nga intervista të cilat autori ua ka dhënë më parë mediave të ndryshme shqiptare. Prej kësaj mësohet se me to kontaktin e parë të dëshiruar që t’i njihet publikisht autorësia e misionit të zotërimit të dokumentit e ka nisur në vitin 2004.
Duke qenë se çështja që kemi vënë në qendër të këtij libri është mjaft delikate sepse dëshiron të qartësojë nëse humbja e jetës së kryeministrit Mehmet Shehu kishte shkak luftën e brendshme për pushtet apo vinte si pasojë e një veprimi konspirativ dhe njëkohësisht operacioni të dështuar agjenturor të CIA-s, për rrjedhim një turpërimi të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe duke qenë se jo përherë shtypi dëshmohet korrekt me deklaratat dhe dëshmitë e personave që vë në qendër të publikimit, nuk do t’i drejtohemi çfarë ka shkruar ai, por vetëm kujtimeve “Atje larg...në fund të botës”.
Sipas tij ambasadori pasi u nda me ministrin Reiz Malile nuk u ritakua më me të. Ai shkruan “Pasi qëndrova disa ditë në vendin tim, u ktheva në detyrë. Aty, në fund të botës, nuk merrnim vesh asgjë se ç’bëhej në vend, pa le të mësoje për vlerësimin e këtij dokumenti. Një a dy vjet më pas mora vesh se në një mbledhje të rëndësishme të Plenumit të KQ të PPSh-së, shoku Ramiz Alia kishte folur se “në një ambasadë kemi marrë një material interesant që hedh dritë për komplotin e Mehmet Shehut ...” Vite më vonë kjo çështje është trajtuar edhe në një gazetë të përditshme, duke ruajtur anonimatin”.
Në vijim ambasadori shqiptar në Buones Aires shkon edhe më tej, fikson në letër edhe këto fjalë: “Pa dyshim, pyetja që mund të bëjnë shumë lexues, ashtu siç e kam bërë edhe unë dhe shumë kolegë të mi, është kjo: Përse në Argjentinë të dërgohet një dokument i tillë?
Në radhë të parë nuk dihet se në cilat vende është dërguar e ku jo. Një gjë e tillë dihet vetëm nga Qeveria Amerikane. Por për t’i dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme, që në atë kohë unë ia kërkova një gjë të tillë Mendes. Ai i tha Farranit se kjo është bërë për arsye se ambasadori amerikan në Argjentinë ishte caktuar të vinte në Shqipëri në rast se do të triumfonte plani i Mehmet Shehut për likuidimin e Enver Hoxhës”.
Duke qenë se në dhjetë faqet e librit “Atje larg...në fund të botës” vetëm këto dy paragrafë përmbajnë një analizë të ambasadorit dhe gjithçka tjetër është thjesht rrëfim i ngjarjes, autorit të këtyre radhëve takimi personal me të iu bë shumë i nevojshëm.
Ai u krye në mbrëmjen e 30 shtatorit 2010 në qendër të Tiranës, në kafen me emrin “Roma”.
Pyetjet për këndet e paplota të rrëfimeve të tij, paqartësitë që kërkonin kthjellim, hamendjet e shumta të cilat nuk mund të pakësoheshin përveç me dëshmi sa më të vërteta, disa dyshime që bënin krye dhe pështjellonin gjithçka, përfunduan atë mbrëmje në një lloj qartësimi të parë.
Me shpjegimet e tij ambasadori siguroi që dokumenti kishte dalë nga dera e përfaqësisë diplomatike amerikane në Buones Aires dhe nga asnjë portë tjetër. Për të po qe se do të kishte pasur ndonjë lojë agjenturore a politike ajo mund të ishte kryer brenda mureve të asaj ambasade. Pohoi po ashtu se Mendesin nuk e kishte takuar dhe as parë ndonjëherë me sy. Megjithatë për ekzistencën e tij reale nuk vinte asnjë pikëpyetje. Kjo ndjenjë sigurie i vinte prej Hernando Farranit, karakterit të tij tërësisht të besueshëm. Tregoi se miku i Shqipërisë qe aq shpirt hapur dhe i pa interes sa që njëherë, me që Tirana i kishte kërkuar t’i dërgonte kampione të disa mallrave ushqimorë, i bleu ato për dymijë dollarë dhe nuk u pezmatua kurrë përse shuma e harxhuar nuk iu kthye. Pyetjes nëse edhe pas përfundimit të detyrës në Argjentinë kishte ruajtur marrëdhënie me të ambasadori u përgjigj qartë: Ishte kthyer në Tiranë në fund të 1991-shit dhe e pat ruajtur korrespondencën me Hernandon edhe për tre apo katër vite të tjerë. Më pas e kishin rralluar letërkëmbimin dhe më në fund ndërprerë. Por kjo, saktësoi, nuk pat ngjarë sepse qenë ftohur. Kishte bërë punën e vet largësia dhe pamundësia për t’u takuar fizikisht.
Kur iu drejtuam për të marrë një informim më të plotë për Mendesin doli se ambasadori nga emër-mbiemri i tij mbante mend vetëm njërën gjysmë. Madje nuk qe i sigurt në se Mendes ishte emri apo mbiemri i arkivistit.
Sipas tij ngjarja e sigurimit të dokumentit nuk duhet të jetë e sajuar. Po të qe e tillë, përsëriti jo vetëm një herë, në këmbim do t’i kërkohej një shpërblim financiar.
Ambasadori shqiptar në Buones Aires atë mbrëmje të 30 shtatorit 2010 u shpreh se po të qe pengesë karakteri top sekret i dokumentit dhe për pasojë në rast se nxjerrja e tij jashtë mureve të përfaqësisë diplomatike amerikane do të zbulohej, mbi Mendes do të binte një ndëshkim i ashpër. Kjo natyrshëm do ta frenonte dhe me siguri prej tij nuk do të sipërmerrej. Sipas ambasadorit materiali, të cilit arkivisti Mendes i nxori një kopje, ka qenë ose i çsekretuar ose në vitet e fundit të periudhës së pengimit për t’u bërë publik, pra ishte një gabim i tolerueshëm. Data e plotë e hartimit të atij dokumenti, nguli këmbë ai, edhe pse në të nuk pasqyrohet konkretisht, përcakton vjeshtën e vitit 1960, por me siguri jo në shtator, por në njërin prej tre muajve pasardhës. Kështu në vitin 1986 ai mbushte njëzetë e gjashtë vite në gjendje të mbyllur. “Mendes nuk kishte përse i jepte kaq shumë rëndësi atij dokumenti për një vend të vogël në anën tjetër të botës”,-tha një çast të bisedës,-“sepse në fund të fundit nuk qe sekreti i bombës atomike!”
Argumenti tjetër i tij përse marrja e një kopjeje të marrëveshjes së më shumë se një çerek shekulli më parë mes CIA-s dhe Mehmet Shehut nuk ishte e pamundur, qe thjesht një hollësi. Dikur ambasadori shqiptar në Buones Aires shpjegoi se arkivisti i përfaqësisë po të ishte qytetar amerikan kurrë nuk do t’i qe afruar kryetarit të një shoqate miqësie me Shqipërinë dhe ca më pak do të guxonte t’i ofronte të dhënën për praninë e materialit të fshehtë. Sipas tij gjithçka pat ndodhur se arkivisti qe argjentinas. Shtoi se për nga natyra argjentinasit janë shumë liberalë në ca rregulla, ku popuj të tjerë dhe administrata të shteteve të tyre mund të shfaqen mjaft të ngurtë.
Atë mbrëmje të 30 shtatorit ambasadori dëshmoi një bindje të thellë se dokumenti jo vetëm qe real, por edhe se pasqyronte një të vërtetë. “Në e kam gabim le të më gjykojë koha!”, deklaroi. Sipas tij Mehmet Shehu e ka kryer atë marrëveshje me agjencinë amerikane të zbulimit sepse ishte politikan me vizion, nuk qe i prirë nga sistemi diktatorial dhe përfaqësonte një njeri të reformave. Shehu për të shfaqej si stalinist jo sepse e besonte verbërisht këtë dogmë, por sepse ndiqte nga pas dhe përshtatej me Enverin. Tha se kjo përputhje formale mes të dyve vinte sipas një rregulli të karakterit të ish-kryeministrit: nuk e prishte kurrë me eprorin. Dikur ambasadori shqiptar në Argjentinë ndihej i sigurt se Mehmet Shehu nuk qe aspak agjent në kuptimin e shumëpërdorur të kësaj fjale. Me CIA-n gjykonte se ishte bashkuar për arsye pragmatike. Ardhja në Nju Jork në vitin 1960 për të qe një rast fatlum, i cili nuk mund të përsëritej më, prandaj ka bërë çmos të hyjë në kontakt me një partner që do ta mbështeste në projektin dhe ambicien e tij politike. Këtu iu afrua menjëherë, në emër të qeverisë amerikane, agjencia e shumënjohur e spiunazhit.
Ambasadori e vlerësonte të natyrshme kërkesën e kryeministrit për ta siguruar jetën, në rastin e dështimit të planit të tij, me tre milion dollarë shpërblim.
Në një çast të bisedës rreth kësaj teme ai nisi të thoshte se nëpërmjet njerëzve që këtë kohë në Nju Jork kryenin detyrën e zbulimit shqiptar CIA ka bërë disa përpjekje për t’u futur në kontakt me delegacionin. Ndërsa i kërkuam më shumë hollësi ai papritmas e mbylli kthjellimin e mëtejshëm, duke thënë “Nuk mund të them emra, mos i ngacmo këto punë!”
Dyshimit se dokumenti i ardhur nga Buones Airesi në përmbajtjen e vet nuk duket mjaft profesional dhe se të linte përshtypjen se qe hartuar në një mënyrë të tillë që jo ta fshihte e mbajtur shumë sekret agjentin, por pikërisht ta bënte atë sa më të dallueshëm, ambasadori i dha përgjigjen e shkurtër “Për hollësitë brenda unë nuk e kam vrarë mendjen”.
Hamendjes mos trefaqëshi qe ndërhyrje e një shteti tjetër apo agjencie të tij spiunazhi për të forcuar pozitat politike në Tiranë të Ramiz Alisë ai i gjeti interpretimin “Mehmeti kishte vdekur dhe nuk përbënte asnjë rrezik. Alia kishte dy vite i pari i vendit. Loja me një dokument si ai do të qe e nevojshme para se të bëhej figura një e shtetit”.
Pyetjes së drejtpërdrejtë mos në të gjithë atë histori tashmë të bërë mjaft të dukshme edhe në median shqiptare kishte ndopak edhe dëshirë protagonizmi të vetë tij, ambasadori u përgjigj se kishte qëndruar duarjashtë në lojën për pushtet që kryhej në udhëheqjen e partisë së vetme dhe se, duke qenë diplomat i parë i vendit të vet në Argjentinë, me çdo veprim të kryer pat bërë vetëm detyrën.
Në librin “Atje larg...në fund të botës”, ndërsa përshkruan se si në zyrën e Reiz Maliles mbushte faqet e rrëfimit, duhet t’i kumtojmë lexuesit edhe një hollësi: në të gjendet edhe betimi i tij se gjithçka e pat hedhur në letër “me saktësi e vërtetësi kristiane”.


Një vëzhgim më nga afër i asaj që ka ndodhur mund të na nxjerrë më pranë një hipoteze reale po ta nisim vëzhgimin jo nga Buones Airesi, por nga Tirana.
Saktësisht nga Ramiz Alia, numri një i pushtetit në atë vjeshtë 1986.
Nga 2004 deri në 2010, pra për gjashtë vite rresht, mes mjaft intervistave ai ka kryer bashkëbisedime publike me tre gazetarë.
Në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan”, prill 2004, pyetjes së Blendi Fevziut “Ju vetë besuat se ai kishte qenë agjent?” Alia iu përgjigj “Dokumentet që unë kam parë me sytë e mi, thonë që është. Më 1987-ën kam marrë personalisht një letër nga Argjentina, që e dërgonte një amerikan ku thoshte se ato dokumente janë të sakta. Pra, dokumentet thonë se ky ishte. Tani, më tej, ndonjë fakt a ndonjë dokument që të vërtetojë saktësinë e tyre nuk ka. Marrim anën tjetër. Enver Hoxha dhe Hysni Kapo këto dokumente i panë në vitin 1964 dhe i mbyllën, sepse ata nuk konstatuan se Mehmeti kishte bërë ndonjë gjë deri në atë moment”.
Duke anashkaluar pasaktësinë që Ramiz Alia kryen duke e zhvendosur ngjarjen me një vit, çka nuk duhet të jetë gabim i natyrshëm kujtese dhe se nuk është e njëjta gjë po të ketë ndodhur në vitin 1986 apo 1987, mbetet interesant pohimi i tij se ai ka parë dokumente që thonë (jo dëshmojnë) se Mehmet Shehu është agjent. Ndërkohë materiali që i erdhi nga Buones Aires nuk ishte letër e një amerikani, por dokument i rrëmbyer nga arkiva e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikë mëtojmë se pasaktësia e Alisë, e dyta në përgjigjen e shkurtër të tij, nuk është çështje e memories fizike, por mosthënie e qëllimtë. Po ashtu çfarë i erdhi në dorë e kishte kërkuar vetë me kohë, sepse çfarë premtonte argjentinasi Farrani dhe i raportonte nga Argjentina ambasadori edhe mund ta kishte braktisur që në fillim.
Dy vite më pas nga çfarë pohoi në emisionin “Opinion”, në 2006, në revistën \"ABC\", pyetjes së Mentor Nazarkos “I qëndroni ju sot, pas 25 viteve, akuzave që ai ka qenë agjent i jugosllavëve, amerikanëve, rusëve, etj.?” Alia i dha këtë përgjigje: “Vetëvrasja e Mehmetit e komplikoi problemin, pasi lindi pyetja përse e bëri këtë? Pse vrau veten? Ishte pikërisht kjo pse. Mua, kur më njoftuan për vrasjen e Mehmetit, kam shkuar te Enveri për ta lajmëruar. Gjëja e parë që tha Enveri: Po pse vrau veten? I bëri pyetje vetes. Nuk deshi përgjigje nga unë. Pra, lindi kjo pyetje. E më vonë, pas një apo dy ditësh, në zyrën e Enverit, ai më bëri një pyetje: I ke parë ti ato dokumente që na kanë ardhur në vitin 1964 për Mehmetin? Unë nuk kisha parë gjë dhe i thashë: Jo, nuk di gjë. U ngrit, ishin në kasafortën e Hysni Kapos që kishte vdekur në atë kohë. Kasafortën e Hysniut e mbante Enveri në kasafortën e tij. E hapi atë kasafortë dhe më dha një zarf me kartela, të cilat ishin kartela të zbulimit të huaj. Autentike apo jo, unë nuk them dot gjë. Fakt është që ato i kishin parë në vitin 1964 Enveri dhe Hysniu, vetëm këta të dy, e kishin arritur në përfundimin se ky është një provokacion që na bëjnë rusët për të na ndarë me Mehmetin. E, për këtë arsye e kishin mbyllur për rreth 17 vjet (1964-1981). Meqenëse Mehmeti vrau veten, Enveri nisi të besojë se këto janë të vërteta. Unë nuk them dot gjë për këto dokumente. Me thënë të drejtën, kur i lexova, të dukej se kishe të bëje me një agjent të tyre të Intelligence Service. Në ishin apo jo të vërteta, nuk them dot gjë. Në vitin 1987, në ambasadën tonë në Argjentinë, një amerikan dorëzon një letër, ku thuhej se “ato dokumente që ju janë dhënë në vitin 1964, janë të vërteta”. Pra, kur kishte vdekur edhe Mehmeti, edhe Enveri. Unë e kam parë atë dokument, ia kam lexuar Komitetit Qendror të Partisë...”.
Menjëherë gazetari Nazarko i bëhet intim. “Po me zemër?”, e pyet.
Ramiz Alia nuk ngurron dhe i bën këtë deklaratë të afërt me ndjenjën e sinqeritetit: “Me zemër them këtë: Po të kishte qenë Mehmeti i tillë që nga viti 1942-43, kohë kur ishte në kampin e përqendrimit, deri në vitin 1981 kur vrau veten, i thonë 40 vjet. Çfarë ka pritur? Ishte në krye të vendit. Po të ishte agjent i amerikanëve apo i anglezëve, çfarë donin më tepër ata për ta shtruar Shqipërinë?! Mehmeti do të kishte vepruar. Por deri atëherë s’ka vepruar. Domethënë, kur them vepruar, një agjent i atij niveli bën përmbysje. Nuk thotë ai: Ky është kështu, e ky është ashtu. Muhabet kot. Pra, ai një veprim të tillë nuk e bëri. E ka pasur raste të shumta, si për shembull në kohën e prishjes me sovjetikët. Nga kjo pikëpamje, janë të dyshimta konkluzionet mbi atë çështje”.
Pak kohë pasi kishte paraqitur në publik librin e tij “Jeta ime”, në 5 qershor 2010 në televizionin “Ora News”, pyetjes së Alfred Pezës “Ju edhe sot mendoni që Mehmet Shehu ishte një poliagjent?” Alia iu përgjigj me arsyetimin “Ah, ky është një tjetër problem. Ky problem është tjetër. Për sa i përket asaj që thuhet për Mehmetin, unë për vete personalisht nuk kam ditur se çfarë dokumentesh kishte. Pasi u vra Mehmet Shehu, mua më thirri në zyrë Enver Hoxha dhe më pyeti, tha “Je ti në dijeni të atyre dokumenteve që na kanë ardhur në 1964 nga Vjena lidhur me Mehmet Shehun?” Unë me të vërtetë nuk dija gjë dhe i thashë “Jo, nuk jam dijeni”. Më tha që “Kanë ardhur atëherë disa dokumente me të cilat tregohej se Mehmet Shehu ishte agjent i anglezëve, por unë dhe Hysniu i lexuam, i pamë, por konkluduam që mund të ishte një provokacion i rusëve për të na përçarë”.
Gazetari intervistues menjëherë i pasoi ish-Presidentit pyetjen shpuese “I kishte sjellë ambasada jonë, ku i kishte marrë?”
Ramiz Alia: “I kishte dorëzuar një X njeri, i panjohur, pa emër. Këto dokumente Enveri u ngrit nga tavolina e tij, shkoi në kasafortën e Hysniut, kishte vdekur, nga atje i nxori dhe m’i dha mua. “Shikoji!”, tha. Unë i pashë një e nga një, skeda, anglisht ishin të tëra. Me porosi të tij i mora dhe i çova për përkthim.
Peza: “Këto ishin materiale të shkruara në mënyrë të thjeshtë, apo ishin dokumente komprometuese që Mehmet Shehu kishte firmosur diçka ose...?”
Alia: “Jo s\'kishte firmosur, ato ishin skeda, ku Mehmet Shehu pretendohej të ishte agjent. Më vonë në 1987 ambasadori ynë në Argjentinë merr nga një njeri prapë, një amerikan, një letër, në të cilën thotë se dokumentet që u janë dhënë ju në Vjenë janë të sakta. Ky ambasador, në atë kohë, dërgoi një letër për Komitetin Qendror të Partisë. Unë e kam marrë atë letër, në mbledhjen e parë, në fund të mbledhjes, ua kam lexuar anëtarëve. U thashë që “Po ua lexoj këtë letër”. Thashë “Unë nuk dua asnjë koment, asnjë diskutim, thjesht ua lexova për dijeni dhe kjo letër të futet në arkiv”. Duhet të jetë në Arkivin e Shtetit. Pse unë nuk kërkova diskutim? Sepse janë diskutime në erë”.
Por Alfred Peza ngulmon t’i shkojë të vërtetës gjer në fund dhe nuk i kurseu ish-Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës këtë pyetje shumë të drejtpërdrejtë: “Ju mos e lexuat me qëllimin që t\'i mbushnit mendjen shokëve tuaj të Byrosë se Mehmet Shehu ka qenë agjent dhe unë meritoja të isha pasardhësi i Enver Hoxhës?”
Përgjigja e Ramiz Alisë është një shembull i kapjes në befasi: “Jo, jo, s\'kam të atilla punëra. Unë e lexova se erdhi, se po ta kisha futur në sirtar,...po të mos e kisha lexuar unë sot do të ngriheshin të gjithë dhe do të thoshin “Pse e ke fshehur?”
“Vërteton kjo realisht që Mehmet Shehu ka qenë agjent?”, bën kokëfortin gazetari dhe bashkë me të gjithë sa intervistën e ndiqnin në televizion atë 5 qershor 2010 dhe të nesërmen të zbardhur nga shumica e të përditshmeve, mori nga Alia këto fjalë “Unë them këtë gjë në libër, që këto janë lexuar, janë të shkruara, por a janë të vërteta, askush s\'e thotë dot. Nuk ka asnjë dokument që të thotë se këto janë të vërteta. Çfarë do të thotë të thuash që janë të vërteta? Ato janë, X-i bëri këtë, takojeni filanin, merrni të dhëna nga filani. Unë mund të them sa të duash. Derisa nuk ka ndonjë dokument që ky ka qenë, ma vërtetoi, tani s\'them dot. Nëse më bën mua pyetjen a ka qenë? Unë të them s\'di gjë, s\'mund të them që ka qenë apo s\'ka qenë. S\'kam asnjë dokument”.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com