Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

CIA në “Queen Elizabeth” apo në Nju Jork


(Cikël nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)

Tek “Tabloja sinoptike...” Enver Hoxha nuk e lë mënjanë, por e pohon se vizita e Mehmet Shehut në Nju Jork ka ndodhur në 1960 dhe se ndërsa udhëtonte drejt brigjeve amerikane me transatlantikun “Queen Elizabeth”, në kthinat e saj ka kryer takime agjenturore.
Këtë vit, madje kryqëzuar me ngjarjen e mësipërme, është zhvilluar edhe një ngjarje tjetër, e cila plekset me Liri Belishovën. Hoxha shkruan: “Në verën e atij viti me një delegacion parlamentar (ajo) u ndodh në Pekin, në një kohë që atje po zhvillohej edhe mbledhja e Federatës Sindikale Botërore...”, “Në këtë kohë Mehmet Shehu u nis për në Nju Jork, në krye të delegacionit qeveritar për në OKB. Ai udhëtonte me Trans-Atlantikun anglez luksoz \"Kuin Elisabet\". Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja, por as që na shkonte mendja se Mehmet Shehu mund të takohej me Titon. Tani marrim vesh nga shoqërues që ishin bashkëpunëtorë të tij e që tani janë në burg se me këtë anije udhëtonte edhe Harri Fulc i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çërçilli, që ishte personalitet i Inteligjent Servis-it e që në vapor u paraqit si gazetar. Mehmet Shehu si agjent i tyre, bëri gjatë disa ditëve të udhëtimit takime e bisedime të fshehta me Titon, Fullcin e R.Çërçillin, u parashtroi gjendjen dhe qëndrimet e Partisë sonë, acarimet që po lindnin me Bashkimin Sovjetik dhe qëndrimin që mendonte të mbante udhëheqja e Partisë sonë në Moskë.
Strategjitë e tri agjenturave, jugosllave, amerikane dhe angleze përputheshin dhe i sugjeruan superagjentit të tyre “të mbështeste” pa rezerva qëndrimet e udhëheqjes së Partisë, që do të sillnin përçarjen e prishjen me Bashkimin Sovjetik”.
Duke përshkruar e lidhur veprimet në Pekin e në Moskë të Liri Belishovës dhe udhëtimin e Mehmet Shehut në transatlantikun britanik “Queen Elizabeth” politikisht Enver Hoxha synon t’i paraqesë si dy aksione të harmonizuara të kryera nga armiq të Partisë së Punës dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Ai veçanërisht kishte për qëllim ta përshkruante kryeministrin si pjesë organike dhe qendrore të një komploti të madh, ku lëvrinin grupe të mëdha spiunësh. “Kur u kthye në Shqipëri”, shkruan ai, “Liri Belishova zuri mënjanë Hysni Kapon dhe i tha: \"Ta mënjanojmë shokun Enver nga këto ndeshje\", por Hysniu e denoncoi Lirinë. Kjo kishte shkuar edhe te Mehmet Shehu e i kishte thënë: “Mos fol për Hrushovin, se çdo gjë që thua i vete atij në vesh”. Këtë, Mehmet Shehu e tha shumë vonë, nga zori,...Gjithashtu nuk dihet nga ne edhe ç’i tha Kosigini Mehmetit, kur ishte shtruar në spital në Moskë për kura. Mehmet Shehu neve na tregoi që Kosigini ishte përpjekur ta bindte që Kina duhej dënuar dhe ky \"i inatosur\" iku dhe erdhi në Shqipëri. Tani na del që Mehmet Shehu me Fiqiretin janë thirrur në një mbledhje te Mikojani, ku ishin të pranishëm dhe Andropovi, më duket, dhe shefi i Sigurimit, Shelepini dhe kanë biseduar për katër orë me të”.
Kështu sipas Enver Hoxhës në muajin shtator 1960 kryeministri i tij e paska informuar në “Queen Elizabeth” Titon dhe dy zbuluesit e rëndësishëm anglezë për kontradiktat e Partisë së Punës së Shqipërisë me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe këta e nxitën të ishte agresiv për t’i prishur marrëdhëniet, kurse nga ana tjetër vetëm dy muaj më parë, në zyrën e lartë qeveritare të Moskës, kishte bërë të kundërtën!?
Porse Hoxha e pranon vetë se në ato çaste përputheshin me njëra tjetrën vetëm strategjitë e agjenturave jugosllave, amerikane dhe angleze, kurse ato të KGB-së përbënin kahen e kundërt!
Ndërkohë në “Ditar për çështje ndërkombëtare”, vëllimi i parë, botuar vetëm pak muaj para se kryeministri shqiptar të gjendej pa jetë në dhomën e tij të gjumit, në shënimin për datën 16 qershor 1960, të enjte, Enver Hoxha shkruan: “Mehmeti, i cili ndodhet në Moskë, më lajmëroi me telegram për bisedën e poshtër antikineze që i kishte bërë Kosigini duke i thënë, se “Ne, në asnjë mënyrë nuk mund të bëjmë asnjë kompromis, asnjë lëshim ndaj kinezëve”. Kuptohet se qëllimi i bisedës së Kosiginit ishte që Partia jonë, në mosmarrëveshjet sovjeto-kineze, të mbajë anën e sovjetikëve. Mehmeti i kishte dhënë atij përgjigjen e merituar”.
Të hënën, më 20 qershor, në po këtë ditar të tij, Hoxha regjistron “Mehmeti u kthye mirë nga Moska. Më raportoi gjatë mbi bisedën që i kishte bërë Kosigini...”
Siç shihet kryeministri i ka raportuar jo vetëm që prej çastit kur takimi me politikanin sovjetik u krye mijëra kilometra larg, por edhe më pas, sapo zbriti në Tiranë. Këtë herë të dytë madje e ka informuar gjatë.
Tek “Tabloja sinoptike...” ku mënyra e rafinuar e rrëfimit dhe stili fiction përzihet edhe me propagandë, bien në sy që Enver Hoxha jo vetëm shpallet i sigurt për takimet agjenturore të Mehmet Shehut në Moskë, por edhe se në “Queen Elizabeth” ato kanë qenë disa. Po ashtu ai deklaron “Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja...” Do të kemi rast që në vijim të faqeve të këtij libri të vëzhgojmë në se dinte apo jo Hoxha, para se vetë Mehmet Shehu ta informonte me radiogramin e parë që i nisi sapo mbërriti në Nju Jork, që në transatlantikun anglez ndodhej edhe Josip Broz Tito.
Ndërkohë tek “Tabloja...” ai nuk lë asnjë shteg për të dyshuar apo hamendësuar se mendon që kryeministri shqiptar kontaktet e tij agjenturore mund të mos i ketë realizuar dot në det, por në tokë, në ditëqëndrimin për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 15-të të Kombeve të Bashkuara.
Në 7 tetor 1960 në një letër dërguar Hysni Kapos që ndodhej në Bukuresht, ndërsa e porosiste të mbronte fort Partinë Komuniste Kineze, bullgarëve, polakëve, rumunëve t’u binte se “ata ishin bythë e brekë me sovjetikët”, me çekët në rast se nuk i sulmonin të qe më i rezervuar, Enver Hoxha shkruan fjalë për fjalë “Ta them këtë se Novotni u soll mirë me tanët në Nju Jork” dhe më poshtë “Në OKB “fiasko”. Me F të madhe”.
Mirëpo në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ai që kishte triumfuar qe Mehmet Shehu, i akuzuari si poliagjent njëzetë vite më pas.


Historia e asaj që ka ndodhur realisht në transatlantikun “Queen Elizabeth” ruan ende një dëshmitar të gjallë.
Ai mbeti jashtë rrezikut për t’iu marrë më pas jeta apo me ndonjë mënyrë tjetër mbyllur goja. Ky është përkthyesi i delegacionit. Tashmë është shprehur publikisht edhe në media.
Sipas tij ideja e Mehmetit që në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara të fliste rusisht pati sjellë “nevojën e një përkthyesi të besuar dhe që këtej u precizua emri im”. Në të vërtetë kryeministri shqiptar e fliste anglishten mjaft mirë dhe në moszgjedhjen e saj si gjuhë zyrtare komunikimi në Nju Jork ndikuan rrethana politike.
Përkthyesi pohon se nga brigjet franceze për vazhdimin e udhëtimit të dërgatës shqiptare me në krye Mehmet Shehun mes vaporit sovjetik “Balltika” dhe atij anglez “Queen Elizabeth” u zgjodh ky i fundit pasi qenë funksionarët e protokollit të qeverisë së Tiranës që kundërshtuan variantin e parë. “A ndërhyri Mehmet Shehu për këtë, unë e kam të vështirë ta pohoj”, deklaron. “Sidoqoftë”, vijon, “organet kompetente, që atëherë ishin kolegjiale, e panë të arsyeshme udhëtimin me “Queen Elizabeth” dhe kryeministri me sa më kujtohet mua nuk pati ndonjë kundërshtim…Në atë kohë nuk na shpjegoi njeri pse u kundërshtua udhëtimi me “Balltika”-n, të paktën ne zyrtarëve të dorës së dytë nuk na sqaroi kush. Arsyen e vërtetë e mësuam më vonë. Në Tiranë ishte marrë vesh se me “Balltika”-n do të udhëtonte Hrushovi, me të cilin ishim në kulmin e divergjencave dhe kjo mund të krijonte të papritura”.
Përkthyesi pohon se me braktisjen e “Balltika” dhe përzgjedhjen e “Queen Elizabeth” patën kujtuar se i qenë shmangur Hrushovit, por ranë tek Josip Broz Tito. “Do binim si me thënë nga shiu në breshër”, është shprehur figurshëm.
Dhe e çon më tej tregimin e tij: “Marshalli Tito vlerësohej si pasagjer VIP i “Queen Elizabeth” dhe për raste të tilla në bordin e anijes kishte ceremonial të veçantë. Për praninë e tij u njohëm në çastin e mbërritjes në portin e Sherburgut prej nga do niseshim për në Nju Jork. Autoritetet portuale na bënë të ditur se kishim rastin të udhëtonim me pasagjerë të shquar dhe aty për aty na përmendën emrin e Titos, të djalit të Çërçillit...”.
Më pas tregon se Mehmet Shehu dhe ministri i Jashtëm i kohës, Behar Shtylla, kishin nga një kabinë të veçantë, kurse pjesa tjetër e delegacionit u sistemuan në kabina kolektive. “Për Titon”, pohon “ishte rezervuar gati një e ndarë kati e anijes, i cila nuk komunikonte fare me pjesën dhe katin ku gjendeshim ne. Për herë të parë u përballëm me të gjatë drekës në restorantin e VIP-ve, ku qëndronte në tavolinën kryesore. I rrethuar nga një shpurë gardianësh herë pas here hidhte batuta... Sa për Mehmet Shehun, ai nuk erdhi asnjëherë në restorant dhe gjatë tërë kohës preferoi t’ia sillnin ushqimin në kabinë. Pra, nuk qëlloi as rastësisht të takoheshin bashkë Mehmeti me Titon”.
Menjëherë pas kësaj pjese të dëshmisë përkthyesi ngul këmbë: “Gjatë tërë kohës Mehmet Shehu nuk lëvizte asnjëherë vetëm dhe në asnjë rast nuk konstatuam që ai t’i shmangej vëzhgimit tonë. Sa herë delte nga kabina rrinim bashkë në kuvertë dhe bisedonim për çaste të tëra. Kur futej në kabinë e përcillnim deri te dera”.
Pastaj e përforcon provën e tij edhe me një fakt tjetër: “Gjashtë ditë e gjashtë net që udhëtuam me vapor kryeministri Mehmet Shehu nuk pati asnjë takim me të huajt”.
“Nuk e di si e përjetoi këtë fakt Mehmet Shehu”, vazhdon ngulëkëmbjen përkthyesi, “por mbaj mënd që praninë e marshallit Tito e përdorte si objekt humori. “Në “Queen Elizabeth”, na thoshte, “Jemi më të garantuar se në Tiranë. E para se nuk ia vlen të mbytësh gjithë këtë vapor modern për kokën e Mehmet Shehut, dhe e dyta që këtu kemi Titon, i cili sigurohet me masa speciale si rrallëkush”. Gjatë tërë kohës Mehmeti ishte i qetë. I vetmi preokupacion i tij ishin fjalimet që do mbante në Asamblenë e OKB-së…”.
Do të mjaftonin edhe kaq sa përkthyesi rrëfen për të qenë të mjaftueshme të provojnë se kryeministri shqiptar nuk ka bërë asnjë nga takimet mëkatare për të cilat akuzohet në “Tablonë sinoptike...”. Megjithatë përkthyesi i delegacionit vazhdon të plotësojë jo pa mjeshtëri rrëfimi tablonë tjetër, atë që në “Queen Elizabeth” ka parë me sytë e tij: “Njerëzit e Titos nuk treguan asnjë lloj interesimi për të komunikuar me ne. Tito nga ana e tij gjatë tërë kohës rrinte i krekosur mes suitës që e shoqëronte. I vetmi interesim për kryetarin e delegacionit shqiptar gjatë udhëtimit me “Queen Elizabeth” ishte ai i djalit të Çërçillit që kërkoi të takohej me Mehmet Shehun. Ky djali i Çërçillit, me emrin Randolf, rreth të gjashtëdhjetave, shfaqej herë pas here nëpër korridoret e anijes me një aparat në dorë. Si tani kam parasysh gjestet e tij, duke gjuajtur një vajzë të re që udhëtonte bashkë me ne. Na thanë se ishte me profesionin e gazetarit. Aty u njohëm edhe me faktin që Randolfi gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore kishte qenë përfaqësues i misionit britanik në shtabin e Titos në Beograd. Ai ishte i vetmi që kërkoi të takohej me Mehmet Shehun, por iu dha përgjigje negative.
Motivi i kërkesës së djalit të Çërçillit për t’u takuar me Mehmet Shehun, të paktën si ishte shprehur ai, kishte të bënte me një intervistë, që deshi të realizonte Randolf Çërçilli me kryeministrin shqiptar. Kam qenë dëshmitar kur ia bëmë prezent Mehmetit këtë kërkesë. “Në asnjë mënyrë!”, u shpreh ai. Sidoqoftë, ndërhyri Behar Shtylla, duhet t’i kthejmë një përgjigje zyrtare.
I thoni se është i zënë, sugjeroi Mehmeti dhe kështu bëmë. Unë me Beharin shkuam te njëra nga kabinat telefonike dhe ministri, në frëngjisht, i komunikoi Randolfit arsyen e refuzimit. I tha se shoku Mehmet ato ditë në vapor qe shumë i zënë dhe se kur të zbrisnin në Nju Jork do ta rishqyrtonin kërkesën edhe njëherë tjetër. Sapo mbaroi këto fjalë nga krahu tjetër u dëgjua zhurma e përplasjes së dorezës së telefonit. Që nga ky moment djali i Çërçillit nuk na u shfaq më para syve. Ai vente dhe vinte në korridoret e kuvertës pas asaj vajzës që me sa dukej ia kishte vënë syrin dhe nuk ia shqiste”.


Interpretimet konspirative mbi mendjet njerëzore dhe psiket e tyre ushtrojnë sugjestion të madh. Enver Hoxha e njihte mjaft mirë këtë forcë okulte të misterit dhe prandaj e përdori maksimalisht kundër Mehmet Shehut.
Besuesit e shpjegimit konspirativ të ngjarjeve në “Queen Elizabeth” në atë shtator 1960 mund të arsyetojnë se përshembull Randolf Çërçilli kur i ra telefonit luajti formalisht gazetarin dhe se Mehmet Shehu, duke luajtur edhe ai, ia preu mundësinë e një takimi publik, por fshehtas, tamam sepse me këtë dinakëri e kishin larguar prej anëtarëve të tjerë të delegacionit dyshimin, realisht në një orë e vend sekret janë gjendur pranë njëri-tjetrit.
Në rrethana të tilla jemi të shtrënguar t’i kthehemi palës së akuzës dhe argumenteve që përfaqësues të saj përdorën. Përveç Enver Hoxhës në këtë anë janë rreshtuar edhe Mihallaq Ziçishti si edhe Fiqirete Shehu. Tek kjo e fundit, denoncuesja më e madhe dhe më e zellshme e të shoqit, përfunduar në burg me vdekje natyrale të dyshimtë në vitin 1988, nuk do të kemi mundësi të ndalemi në shtjellën e këtij libri.
Vëmë në dukje me këtë rast se të gjithë ata që në hetim dhe më pas nëpër seancat gjyqësore dëshmuan se Mehmet Shehu ishte agjent, në vend që të përfitonin lehtësime në masën e dënimit, u likuiduan fizikisht.
Ndërkaq qëndrojmë disa çaste tek ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Ziçishti në vitin 1982 qe i burgosur si pjesëtar aktiv i grupit të Mehmet Shehut. Ishte ky i cili gjatë hetimit dhe sidomos në seancat gjyqësore ngulte këmbë se në transatlantikun anglez takimi agjenturor kishte ndodhur me të vërtetë. Porse duke qenë se në atë shtator 1960 nuk ndodhej vetë në “Queen Elizabeth” si burim informimi paraqiti vartësin e tij, Llambi Peçinin, person realisht i pranishëm në atë udhëtim, sepse bënte pjesë në eskortën e sigurimit të kryeministrit. Në një çast të seancës gjyqësore prokurori i përgjithshëm i thotë këtij të fundit se në anije kanë qenë Tito, Randolf Çërçilli dhe Fulci. Peçini përgjigjet duke saktësuar se dy të parët ishin të pranishëm vërtet dhe se “Fulci s’ka qenë fare, nga e nxjerr Fulcin?” “Nga e di ti që s’ka qenë Fulci?”, iu hodh kryeprokurori, i cili sapo pati pohuar se e dhëna i vinte nga Mihallaq Ziçishti. “Po nuk dinim ne. Prandaj një gjë që nuk e dinim ne si do t’ia thoshim Mihallaqit?”, gozhdon njeriu i sigurisë së Mehmet Shehut. Pastaj shton “Asnjë nga ne nuk e dinte. Unë nuk them që s’ka qenë Fulci. Unë nuk them që s’ka takuar Mehmet Shehun me Titon dhe me Randolf Çërçillin. Unë s’di gjë. Në praninë time dhe me dijeninë time s’është bërë asnjë gjë. Asnjë nga grupi nuk dinte që Harri Fulci ishte në “Queen Elizabeth”. Nga e nxori Harri Fulcin Mihallaq Ziçishti?”
Nuk do ta shtyjmë edhe më këtë historinë e enigmës së takimit apo kontakteve agjenturore të Mehmet Shehut në “Queen Elizabeth”. Nuk rezultojnë të jenë kryer. Në fund të fundit edhe Ramiz Alia në skaj të vitit 1991 i ka pohuar diçka të përafërt një gazetari të huaj. Presidenti i asaj kohe ka një libër-intervistë të botuar në gjuhën italiane dhe që ka qarkulluar mes lexuesve të vendit fqinj. I dalë për publikun në fillim të pranverës 1992 ai titullohet “Albania ieri e oggi” (“Shqipëria dje dhe sot”). Intervistues është gazetari vendas Lino De Mateis. Pyetjes “Pra në thelb ju jeni dakord me tezën e Hoxhës për vetëvrasjen që ai paraqet tek libri “Titistët?” Alia i është përgjigjur “Në thelb po. Porse më pas, duke zbritur tek hollësitë mbase ka diçka policeske. Ndoshta ka edhe ndonjë gjë tjetër që unë nuk e di”.
Duke e mbyllur kërkimin e mëtejshëm të gjetjes së të paktën një prove për praninë në transatlantikun “Queen Elizabeth” të gjurmëve të ndonjë takimi mes Mehmet Shehut dhe Josip Broz Titos, kontaktit me Randolfin, të birin e Uinston Çërçillit apo edhe me Harri Fulcin, le ta vijojmë vëzhgimin mos janë kryer në qytetin e Nju Jorkut.
Në fund të fundit kështu thotë edhe trefaqëshi shumë sekret i marrë fshehurisht në arkivin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kryeqytetin argjentinas.
Këtu na shfaqet, për fat, sërish Reiz Malile.
Kunati i Ramiz Alisë, po të ketë vënë re a parandjerë veprime të dyshimta, në mos do ta kish raportuar ato çaste, do ta pohonte më pas. Nga viti 1960 gjer në 2006, kur ndërroi jetë, e kishte me bollëk këtë kohë. Qe pothuaj një gjysmë shekulli.






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com