Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Enigmat e Liri Beloshovës nga Pekini në Moskë


(Cikël nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)

Në 7 qershor 1960, ditë e martë, me një avion sovjetik udhëtarësh “Il 18”, Mehmet Shehu zbarkoi në Moskë. Shoqërohej nga bashkëshortja, mjeku neuropsikiatër Xh.Gj. dhe një infermiere. Dy ditë më pas ai i dërgoi këtë radiogram të shifruar shefit të tij në Tiranë: “Shoku Enver, mbaroi kontrolli i mjekëve. Konkluzioni: Spazmë cerebrale e shkaktuar nga lodhja dhe mungesa e ushqimit si rezultat i dietës së ekzagjeruar. Asgjë patologjike. Profesorët thonë të qëndroj me doemos 10-15 ditë në mbikëqyrjen e tyre për të vazhduar kontrollin përfundimtar dhe pastaj pushim në Shqipëri. Pushimi duhet dy herë në vit, etj. Nesër do të shkoj në Barvihe, ku do të rri deri më 19 qershor dhe më 20, të hënën, kthehem, kurse doktor Gj. e Fiqireti kthehen të hënën që vjen. Përqafime, Mehmet”.
(Barviha është një vend klimaterik në rrethinat e Moskës. Atje ka një kompleks spitalesh, kryesisht sanatoriume. Kur drejt njërit prej pavijoneve të tij shkoi për pak ditë shërimi Mehmet Shehu atje edhe më parë qenë shtruar kolegë të tij nga Shqipëria. Në Barviha në vitin 1949 pat ndërruar jetë, i sëmurë rëndë nga diabeti, edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kominternit, Gjergj Dimitrovi).
I dëshiruar për t’u kuruar e shlodhur, Mehmet Shehu nuk e dinte se pikërisht ato ditë të qershorit do të qenë të mjaftueshme të bënin krejtësisht të kundërtën. Partia e Punës e Shqipërisë kishte hyrë tërësisht në vorbullën e mosmarrëveshjeve me sovjetikët. Në të njëjtën kohë anëtarja e Byrosë Politike dhe Sekretarja e Komitetit Qendror, Liri Belishova, ndodhej në Pekin në një delegacion të lartë nga Tirana. Hysni Kapo, figura po aq e spikatur e partisë së vetme në pushtet gjendej në Bukuresht.
Ndërsa qe ende në Barviha atë e vizitoi Aleksej Nikollajeviç Kosigini, anëtar i Politbyrosë sovjetike. Mehmet Shehu nuk e rrëfeu ndonjëherë publikisht këtë ngjarje, por është Enver Hoxha që e përshkruan në librin e tij “Hrushovianët”: “Katër-pesë ditë përpara se të fillonte mbledhja në Bukuresht, kur unë me Hysniun po bisedonim për qëndrimin që do të mbante ky në kongresin e partisë rumune, na erdhi një radiogram nga Mehmet Shehu, i cili kishte ditë të tëra që ndodhej në Moskë për t’u kuruar. Në radiogram ai na paralajmëronte për një “vizitë” të papritur që i kishte bërë Kosigini.
Ai i kishte folur një orë e gjysmë për kontradiktat që kishin me Partinë Komuniste të Kinës. Mehmeti e dëgjoi e dëgjoi dhe pastaj i tha:
-Të gjitha sa më thatë janë shumë të rënda. Çuditemi pse këto janë lënë të trashen deri në këtë shkallë.
Kosigini kishte theksuar:-Ne nuk do të lejojmë asnjë lëshim, asnjë,-dhe kishte shtuar,-na pëlqeu shumë qëndrimi burrëror, heroik i shoqes Belishova në Pekin në bisedimet me kinezët.
Mehmeti ende s’ishte në dijeni të këtyre veprimeve dhe intrigave të Liri Belishovës, por megjithatë i tha ftohtë e prerë Kosiginit:
-Unë s’di ç’ju ka thënë juve Liri Belishova,-i tha Mehmet Shehu,-Unë di që, kur biseduam me Mikojanin, ai na porositi të mos i bisedojmë me njeri këto çështje”.
Por është ndërkohë edhe Nikita Hrushovi që në librin e tij “Kujtime” e përshkruan atë që ndodhi me Shehun në spitalin e Barvihas. “Dëshironim të bënim gjithçka për të shmangur një ndarje me shqiptarët, por të gjitha përpjekjet tona rezultuan të padobishme...Po e ndjenim tradhtinë e tyre, kur një delegacion shqiptar kaloi nëpër Moskë, ndërsa kthehej nga Kina. Një nga anëtarët e delegacionit, një grua e ndershme, erdhi tek ne dhe na tregoi çfarë kishte ngjarë. Besoj se pak kohë më pas të shkretën grua e mbytën. Dhe nuk qe Gastapo që e mbyti; jo, ishin “vëllezërit” e saj. E them këtë sepse ajo ishte një komuniste, madje të tillë edhe vrasësit e saj. E mbytën sepse ajo, një komuniste, erdhi tek ne, në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, për të dëshmuar rreth takimeve sekrete midis shqiptarëve dhe kinezëve.
Sa naivë që ishim! Në të njëjtën periudhë Mehmet Shehu po kurohej në një spital të Bashkimit Sovjetik. Kur e informuam se ishim në korrent të takimeve mes vendit të tij dhe Kinës, ai kërceu nga shtrati dhe u kthye drejt për së drejti në Shqipëri”.
Këtë kohë në kryeqytetin rumun mblidhej kongresi i tretë i Partisë Punëtore dhe atje qenë lajmëruar se do të shkonin shumica e sekretarëve të parë të vendeve të kampit socialist. Duke dërguar Hysni Kapon Enver Hoxha u tërhoq nga ndjekja e këtij shembulli, i cili qe shndërruar jo vetëm në një rregull, por edhe në një kod të nivelit të marrëdhënieve mes njëri-tjetrit. Mungesa e tij në Bukuresht u kuptua qartë nga sovjetikët si shenjë e hapët se nuk qe dakord me të gjitha çfarë bënin. Ata tashmë nuk kishin rrugë tjetër veç të ndiqnin me vëmendje si do të vepronte në kryeqytetin rumun bashkëpunëtori i tij Kapo. Në Bukuresht do të mbaheshin dy kuvende. Pas mbarimit të kongresit të rumunëve do të niste një takim i sekretarëve të parë të partive komuniste të shteteve socialiste me temë caktimin e datës dhe vendit të mbledhjes të përfaqësuesve të të gjitha partive komuniste e punëtore në botë. Një kuvend i tillë shumë i gjerë qe mbajtur pa ndonjë problem të brendshëm në 1957, por këtë herë, tre vite më pas, Nikita Hrushovi mendonte se çfarë ishte vendosur atje bashkërisht qe mospërfillur e madje shkelur nga kinezët.
Ndërsa pritej që takimi i dytë të luante një rol koordinues, të vendoste vetëm për datën dhe vendin e kuvendit të ri të 81 partive komuniste e punëtore të botës, nga njerëzit e Moskës u shtrua për diskutim edhe çështja e mosmarrëveshjeve mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe asaj të Kinës. Madje jo vetëm kaq, por delegacioneve pjesëmarrëse nisi t’u bëhej hapur oferta të mbështetnin vetëm qëndrimin e Hrushovit, çka do të thoshte refuzimin e opinionit të palës tjetër. Këtë trysni Enver Hoxha e kishte provuar edhe vetë, ndërsa në fillim të atij viti, në shkurt, bashkë me Mehmet Shehun ndodhej në Moskë në krye të një delegacioni për të marrë pjesë në mbledhjen e të dërguarve të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës për çështjet e zhvillimit të bujqësisë. Në një nga ditëqëndrimet e pati ftuar për një takim kokë më kokë nënkryeministri sovjetik Anastas Ivanoviç Mikojan, por ai mori me vete edhe Shehun. Ndërsa u ulën përballë tij ky për pothuaj tre orë i foli vetëm për mosmarrëveshjet që kishin me komunistët kinezë. Kur takimi qe mbyllur Mikojani u ishte lutur dy bashkëbiseduesve që gjithçka sa patën folur ta mbanin sekret.
Ndërsa Hoxha dhe Shehu nuk ja kishin bërë të ditur askujt, qenë tashmë sovjetikët që po e mbillnin lart e poshtë nëpër Bukuresht. Kjo e pati zëmëruar kryekomunistin shqiptar dhe në njërin prej radiogrameve që në atë mes të muajit qershor i dërgoi Hysni Kapos ngulte këmbë që në takim duhet të fliste me guxim dhe të dëshmonte se Partia e Punës e Shqipërisë nuk qe e mendimit se mes simotrave të saj komuniste, vetëm sepse ishte udhëheqje të një vendi të vogël, duhej të ndihej e pagojë dhe e nënshtruar. “Ne jemi për bashkekzistencën paqësore”, i shkruante ngulshëm Kapos, “por ashtu siç e konceptonte Lenini, jo për ta shtrirë atë në fushën e ideologjisë, pse kjo është tepër e rrezikshme”. Ndërkohë e porosiste “Mund tua themi ca gjëra sovjetikëve, përshembull që ju nuk demaskoni gjer në fund revizionistët jugosllavë”.
Në radiogramin e mbyllur i tregonte gjithashtu edhe dy ngjarje. Të parën e thuri kështu: “Me të arritur shoku Gogo Nushi në Moskë e thirri Breshnjevi. Pasi e pyeti si jeni e si shkoni, i tha tezat e tyre për kinezët”. Në vijim episodin e dytë, tashmë të sipërcituar si fragment nga “Hrushovianët”, e paraqit në radiogram me këto fjalë: “Po kështu kur vajti edhe shoku Mehmet Shehu në Moskë i shkoi Kosigini dhe i foli një orë e gjysmë për këto çështje. Shoku Mehmet iu përgjigj duke i thënë se “kur qenka kështu këto gjëra pse janë lënë të trashen, gjersa ka qenë e mundur të zgjidhen në rrugën marksiste-leniniste më parë midis dy partive dhe më pas, po të shihej e nevojshme, të shtroheshin me partitë e tjera”. Mehmeti i tha atij se “Partia jonë do të mbajë qëndrim të drejtë, parimor, marksist-leninist dhe nuk do të bjerë në pozita sentimentale dhe oportuniste”.
Në përgjigjen nga Bukureshti radiogrami i shifruar i Hysni Kapos përplasjeve të nxehta me sovjetikët i shtonte edhe një dëshmi tjetër. Ai i rrëfente Enver Hoxhës se Teodor Zhivkov i pat bërë një provokacion. I kishte thënë “Çfarë bën Shqipëria? Vetëm Shqipëria nuk është dakord?” Kapo i qe përgjigjur “Çfarë doni të thoni ju me këtë?” Pas kësaj kryekomunisti bullgar i pat kthyer përgjigjen e mjegullt “Bëra shaka”. “Duhet të kesh diçka në kokë që të thuash se “vetëm Shqipëria nuk është dakord”, ia kishte kthyer Hysni Kapo, por sërish nga Zhivkovi pat marrë shprehjen rrëshqitëse “bëra shaka”.
Pa u vonuar, në një radiogram tjetër, Hoxha i tregonte të dërguarit të tij në Bukuresht se ajo që pat broçkollitur Teodor Zhivkovi qe shumë pak ndaj asaj që kishte ndodhur ato ditë në Sofje. Ambasada e tyre e lajmëronte se në kryeqytetin bullgar ishte shpërndarë një broshurë e ilustruar, në të cilën gjendej një hartë e Ballkanit. Këtu Shqipëria paraqitej si pjesë e Jugosllavisë. Enver Hoxha pat porositur menjëherë ministrin e Jashtëm Behar Shtylla dhe ky kishte thirrur urgjent ambasadorin bullgar duke i protestuar ashpër dhe kërkuar që broshura të hiqej menjëherë nga qarkullimi.
Në 22 qershor, ndërsa Mehmet Shehu tashmë qe rikthyer në Tiranë e ndryshe nga sa i kishin këshilluar mjekët sovjetikë për të kuruar spazmën cerebrale, ndodhej i zhytur në punë, u mblodh Byroja Politike. Në të Enver Hoxha ngulmoi në një çështje të parë, një letër udhëzuese për Hysni Kapon, por veçanërisht në një të dytë. Kjo kishte të bënte me Liri Belishovën.
Ai u tha byroistëve se në rrugën e kthimit për në Shqipëri, sipas një planifikimi të mëparshëm, Belishova do të duhej të kalonte nga territori i BRSS-së dhe madje, gjer në marrjen e avionit tjetër, të qëndronte në Moskë. Duke qenë se edhe po t’i shmangej dëshirës apo edhe protokollit për të takuar udhëheqës vendas, pas asaj që kishte bërë në Pekin do të ishin këta të fundit që nuk do ta humbitnin rastin për t’i kërkuar kontakt. Patjetër kjo duhej ndaluar. Anëtarëve të Byrosë atë ditë Hoxha u la të nënkuptonin se hë për hë le të mos besonin se kolegia veprimet po i kryente politikisht në mënyrë të ndërgjegjshme, por thjesht sikur qe e shtyrë nga ambicia personale për protagonizëm. Le ta largonin nga mendja dyshimin se Liri Belishova me gjestin që pat kryer në Pekin i kishte dhënë shenjë Nikita Hrushovit se në mosmarrëveshjet me Partinë Komuniste Kineze dhe Mao Ce Dunin ishte me të. Tani për tani duhej patjetër t’i shpjegonin asaj rrezikun që e priste nga një takim i kërkuar qëllimshëm në Moskë si edhe problemet që mund t’i shkaktonte qëndrimit ndryshe të partisë së saj.
Letrën Belishovës Enver Hoxha ia dërgoi me korrier të posaçëm të nesërmen e mbledhjes, si një ndër punët më të para të mëngjesit të ditës së 23 qershorit. Ndërkohë po atë ditë u ndesh me një ndërlikim të gjendjes së Hysni Kapos në Bukuresht. Kështu të nesërmen, më 24 qershor, thirri një mbledhje tjetër të Byrosë Politike, por kësaj radhe shumë të shkurtër. Foli vetëm disa minuta, pothuaj shtatëdhjetë radhë të shkruara me makinë shkrimi. Të gjithë vëmendjen e përqendroi në rrethanat ku gjendej Kapo dhe e tërë dërgata. Informoi se përfaqësuesit e partive të vendeve socialiste e kishin zhvilluar debatin jo vetëm gjatë një dite më parë dhe gjatë natës në mbyllje të saj, madje edhe tre orëve terr të asaj fillim dite të njëzetë e katër qershorit. Ndërsa mendohej se kufijtë e mbledhjes së dytë mund të përmbaheshin në çështjen themelore, atë të caktimit të datës dhe vendit për kuvendin e ardhshëm të 81 partive komuniste e punëtore të botës, një material me gjashtëdhjetë e pesë faqe të mbushura dëng me shkronja u qe shpërndarë të gjithë pjesëmarrësve. Në të nuk kërkohej mendim me cilën palë do të qenë, platformën sovjetike apo kineze. Në tufën e fletëve Pekini sulmohej ashpër dhe i njëjti qëndrim, anësimi i menjëhershëm pro Moskës, u kërkohej edhe të tjerëve.
Ja pse në atë mbledhje të rrufeshme të Byrosë Politike kryekomunisti shqiptar jo vetëm donte t’i informonte anëtarët e saj mbi këtë dredhim të ri të ngjarjeve, por edhe të qëndrimit që duhej të mbanin: të mos ktheheshin prapa. U tha se Hysni Kapon e pat porositur të mos firmoste asnjë deklaratë të përbashkët jo vetëm në variantin kur dënohej hapët Partia Komuniste e Kinës, por as në formën kur thjesht bëhej aluzion për këtë gjë.
Në ato shtatëdhjetë radhë fjalim të atij takimi Enver Hoxha nuk e përmendi fare Liri Belishovën, pikën e vetme ku fronti i qëndresës ndaj sovjetikëve i qe çarë.
Sipas rrëfimit të Ramiz Alisë në librin “Jeta ime” në 25 qershor në orën 22.00 e njoftuan se e kërkonte Enver Hoxha. “Dola menjëherë nga shtëpia dhe shkova në Shtëpinë e Partisë (kështu quhej një shtëpi brenda Bllokut, ku zakonisht takoheshim dhe pinim ndonjë kafe në kohën e lirë). Aty ishte vetëm Enveri. Sapo më pa, më tha se kishte ardhur një radiogram nga Bukureshti, me të cilin Hysniu njoftonte se Hrushovi, në një mbledhje me të gjithë delegatët e huaj, të ftuar në Kongresin e rumunëve, kishte folur për kontradiktat sovjeto-kineze me shumë agresivitet. Ai priste udhëzime si të vepronte, meqenëse të nesërmen duhet të fliste edhe ai. Ma dha radiogramin, të cilin e lexova edhe unë, bile me zë, sepse Enveri donte ta dëgjonte përsëri. Hysniu ishte i shqetësuar, sepse atij po i bënin shumë presion sovjetikët. Ata kërkonin që ai të mbështeste tezat e Hrushovit...
Diskutuam shumë gjatë për qëndrimin që duhet të mbante Hysniu. Duhet të shënoj se atë ditë M.Shehu nuk ishte në Tiranë, në mënyrë që të merrej edhe mendimi i tij. Shokë të tjerë Enveri nuk kërkoi. Orët kalonin njëra pas tjetrës. Më në fund Enveri më diktoi dy radiograme për Hysniun...”.
Në mbledhjen e 26 qershorit Hysni Kapo veproi saktësisht siç e porositën dhe në datën 27 pasi la pas shpine Bukureshtin, u kthye në Tiranë. Qe Liri Belishova ajo që ende ndodhej jashtë, madje e mbetur akoma në zonën e nxehtë e plot kurthe të mosmarrëveshjes mes dy partive më të mëdha komuniste të botës. Në fluturimin e gjatë nga Pekini në Moskë ajo do të gjendej këtu në datën 28.
Më 29 qershor një ish-shifrant i ambasadës polake në Tiranë dhe ato çaste funksionar në Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit të vet në Varshavë, kishte nxjerrë pistoletën dhe pat tentuar të vriste ambasadorin shqiptar M.K. Punonjësit e ambasadës e kishin paralizuar, çarmatosur dhe menjëherë dorëzuar policisë. Ngjarja solli nervozizëm dhe nota të ndërsjella proteste, madje edhe një gjest të bujshëm. Ato kohë po kalonte ditë pushimi në Shqipëri zëvendësministri polak i Punëve të Jashtme Nashkovski dhe ky sapo nisi korriku menjëherë i ndërpreu ato dhe u kthye në vendin e vet.
Në datën katër të këtij muaji të nxehtë në qytetin Sremska Mitrovica të Serbisë ministri i Brendshëm jugosllav Aleksandër Rankoviç në një miting sulmoi publikisht Partinë e Punës së Shqipërisë duke e quajtur përgjegjëse të shndërrimit të vendit të vet në një skëterrë ku mbretëronte teli me gjemba. “Edhe regjimi neofashist italian”, pat deklaruar ai, “është më i mirë”. I pranishëm kishin qenë ambasadori sovjetik Zamçevski dhe atasheu ushtarak Taraseviç. Ata nuk patën reaguar. Heshtja e tyre bëri që në Tiranë të derdhej kupa. Më 9 korrik për çfarë pat ndodhur në Jugosllavi iu bë një notë verbale diplomatit të parë sovjetik në Shqipëri, Leviçkin. Qëndrimi i kolegut të tij u quajt antimarksist.
Në 11 korrik nisi punimet Plenumi XVII i PPSH-së. Raportin kryesor e mbajti Hysni Kapo. Atë ditë në fjalën e tij Enver Hoxha u kujtoi të pranishmëve se Nikita Hrushovi e kishte kritikuar qëndrimin e partisë së tyre që kur në vitin 1957, bashkë me Mehmet Shehun, qenë në Moskë në krye të një delegacioni. Në një çast të bisedimeve zyrtare Hrushovi qe revoltuar aq shumë sa ishte ngritur në këmbë e pat thirrur me zë të lartë “Nuk bisedohet me ju, t’i presim bisedimet”. “Ne u indinjuam”, vijoi në plenum rrëfimin e tij Hoxha, “por mbajtëm gjakftohtësinë, e detyruam me qëndrimin tonë të ulej e vazhdonim bisedimet, por unë me Mehmetin ishim shumë të shqetësuar kur shkuam në miting pas asaj që ndodhi...”
Në 15 korrik, ndërsa Enver Hoxha i dërgonte një telegram ngushëllimi Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Franceze dhe shprehte hidhërimin e thellë për vdekjen e papritur të anëtarit të tij, por edhe mikut të Shqipërisë, Gaston Monmuso, kryetari i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, gjeneral-major H. Xh., pat firmosur kërkesën për vënien në përpunim të Kundëradmiralit të Flotës Luftarake, Teme Sejko. Përgjimi i komandantit të flotiljes qe miratuar nga ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com