|
Kurthi për Teme Sejkon: është agjent i grekëve dhe amerikanëve
(Cikël nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)
Qe histori e gjatë dhe shumë e trazuar ajo që po ndodhte me ngut politik. Flitej për komplotin e një grupi çam. Rreth tij Enver Hoxha e kishte bërë veshin të shurdhër për mjaft kohë, që në çastin e mbërritjes të të dhënave të para se e kishin fantazuar njerëzit e KGB-së. Kur në majin e një viti më parë Nikita Hrushovi pat kryer një vizitë në Shqipëri, ndërsa ndodheshin në Butrint, e kishte dëgjuar vetë tek i pat thënë me gjysmë zëri Malinovskit, ministrit të tij të Mbrojtjes, se ai vend qe ideal për një bazë të dytë të nëndetëseve sovjetike në Shqipëri. Edhe kur gjatë udhëtimit festiv patën mbërritur në Gjirin e Vlorës, ku tashmë e kishin një bazë me 12 nënujëse, Hrushovi kishte përsëritur të njëjtën gjë: një flotë e fuqishme e vendosur aty mbante nën kontroll gjithë Mesdheun që nga Bosfori në Gjibraltar.
Thurja nga këshilltarët sovjetikë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë e legjendës së “grupit çam”, në gjuhën teknike të punës agjenturore i thirrur “plan operacional-dizinformues”, e kishte marrë formën e parë në fund të vitit 1959, kur tashmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, në vend që të linin shpresë se do të zbuteshin, po vinin duke u acaruar. Këtë dosje me të dhëna të rreme se disa persona me origjinë nga zona juglindore e vendit, në kufi me Greqinë, të kryesuar nga një oficer i lartë i Ushtrisë Shqiptare, merrnin mesazhe veprimi agjenturor nga zbulimi grek, këshilltarët sovjetikë të KGB-së ia paraqitën Kadi Hazbiut saktësisht kur në Moskë u gjykua se mund të bëhej një përpjekje shumë e fortë për t’i kthyer në harmoni me ta Enver Hoxhën dhe besnikët e tij. Në rast se e besonin atë që kishin sajuar, të ndjerë të kërcënuar nga një sulm ushtarak perëndimor, pra të rrezikuar se do të humbnin pushtetin, udhëheqësit shqiptarë do t’i zbutnin kundërshtimet ndaj Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe do të kërkonin mbrojtje. Atëherë jo vetëm do të çelej rruga të bëhej realitet baza e dytë e nëndetëseve, por do të zgjerohej edhe ajo ekzistuese. Mund të instalonin edhe reparte raketash të drejtuara kundër Italisë dhe Greqisë.
Kur këshilltarët sovjetikë ia paraqitën legjendën në variantin përfundimtar, në muajin shkurt 1960, Kadri Hazbiu kërkoi kohë. Ai dyshoi të qe e vërtetë gjithçka çfarë i paraqitën, por pas kësaj presioni i tyre u bë edhe më këmbëngulës. Më në fund bëri sikur u bind. Ta gjykonte Enver Hoxha dobinë politike të asaj fantazie agjenturore. Për vetë atë kishte rëndësi të mos prishej as me sovjetikët dhe as me shefin e tij. Ndërkohë, për të mos i dalë gjendja nga duart, duke nxjerrë prej legjendës edhe përfitimet e tij, çfarë do të luhej në vazhdim Hazbiu vendosi ta mbante vetë nën kontroll. Kështu do të merrte famë. Do të dilte edhe njëherë tjetër në dukje forca e Sigurimit të Shtetit.
Ja pse para se dosjen e “grupit çam” t’ia paraqiste Enver Hoxhës ministri i Brendshëm nisi ta përforconte atë në një mënyrë të tillë që të mos dështonte. E gjykoi se arrestimet e sajuara duhet të parapriheshin nga një marrëveshje me të paktën kryetarin e hamendësuar të grupit “armiqësor” ose të dytin e akuzuar në hierarkinë e tij. Sipas kësaj mënyre të butë me këtë bashkëpunëtor do të binin dakord që ai në hetuesi dhe pastaj në gjyq ta pranonte formalisht fajin e pakryer. Pasi spektakli politik të përfundonte, ai do të hiqej nga burgu dhe bashkë me familjen do të jetonte i lirë në një vend të huaj.
Si njeriun më të përshtatshëm Kadri Hazbiu gjeti një vartës të tij. Ky jo vetëm përherë i qe bindur, por edhe e adhuronte ministrin e vet. I projektuari për të luajtur kreun e grupit komplotist qe kryetari i Degës së Brendshme të Qarkut të Shkodrës, gjenerali H. S. Në fund të majit 1960 Hazbiu e thirri në zyrë dhe i tha se duhej ta pranonte, për interesat e larta të Kombit, detyrën që po i ngarkonin. Në fund të fundit kështu do të jepte ndihmë të demaskoheshin zbulimet e huaja perëndimore, të cilat asnjëherë nuk e kishin dashur Shqipërinë. Por H.S. kësaj radhe nuk iu bind. Të mirëkuptoj, i tha Kadri Hazbiu, të duhet kohë. Kështu i dha tre ditë reflektim. Sërish vartësi i tij nuk la të nënkuptohej se edhe pas atij afati mund të thyhej. Atëherë ministri i Brendshëm shqiptoi fjalët çarmatosëse “Për këtë është në dijeni edhe Komandanti”. Kur priste nënshtrimin përfundimtar tjetri befas e ngriti zërin dhe mëshoi fjalët “Unë do të bisedoj vetë me shokun Enver”.
Pas tre ditësh drejt Shkodrës u nis H. Xh., edhe ai gjeneral i shërbimit të fshehtë. Atë ditë të dy qëndruan më tepër se tre orë në “Kafen e Madhe” të qytetit, por sërish H.S. nuk ra dakord. Njeriu i dërguar posaçërisht nga Kadri Hazbiu u rikthye në Tiranë i sigurt se situata e re krejt e papritur nuk u kishte lënë asnjë rrugë tjetër, veç eliminimit fizik sa më të shpejtë të dëshmitarit të padëshiruar. Pak ditë më pas gjenerali H.S. u helmua ndërsa pinte një filxhan kafe.
Tashmë nuk kishte asnjë shteg tjetër përveç kapërcimit të veprimit në një fazë tjetër. I përzgjedhuri i ri si kreu i grupit komplotues duhej të arrestohej dhe pastaj në qeli të bindej për ta zbatuar atë detyrë partie. Mbase kështu gjithçka do të kapërcehej me mirëkuptim, në të kundërt në birucë do të qe më e mundur të përdorej shtrëngimi pa e marrë vesh kush. Koha nuk priste. Njeriu, i cili do të luante drejtuesin e rrjetit armiqësor perëndimor, do të ishte vetë komandanti i Flotës Luftarake Shqiptare, Kundëradmirali Teme Sejko. Pozita e tij e lartë qe shumë për një legjendë si ajo e hartuar nga këshilltarët sovjetikë, por mbase për këtë arsye, kur të bëhej publike, do të ishte edhe më e besueshme.
Enver Hoxha nuk e kundërshtoi, sepse ishte mezi i korrikut dhe druhej se ndërkohë që konflikti me sovjetikët do të acarohej edhe më rëndë, mosqënësit të një mendjeje me të, madje kundërshtarët aktivë, mund të shumoheshin. Të paktën një valë arrestimesh do t’i vakte pasionet e rebelimit.
Hoxha mendonte se sovjetikët kishin projektuar ta nxirrnin shumë fitim prej asaj historie, por ai, duke ua devijuar objektivin, do t’u tregonte se këtë punë e bënte shumë më mirë se ta. Në rast se Hrushovi synonte ta rrëzonte, ai me planin e tij do realizonte të kundërtën, mosprekjen.
Për çfarë do të ndodhte Kadri Hazbiu vuri në dijeni edhe Mehmet Shehun. Ky e donte Teme Sejkon. Tha se mbase gjithçka do të zgjidhej pa ndërlikime.
Kundëradmirali u arrestua në 28 korrik në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku. Ky urdhrin me shkrim të prangimit të komandantit të Flotës Luftarake, gjithçka vetëm pesë fjalë, e kishte firmosur pak orë më parë.
Bashkë me Teme Sejkon brenda vetëm një ore u futën në birucat e hetuesisë së shtetit edhe një grup i tërë prej 38 vetash, njëzetë prej të cilëve komunistë. Lajmi, legjenda e fabrikuar, mori dhenë. Ishte zbuluar një grup komplotist që po bëhej gati të kryente grusht shteti. Detyra e tij e parë qe të vriste Enver Hoxhën dhe pastaj ta shndërronte Shqipërinë nga një vend socialist në kapitalist. Ky grup përbëhej nga shumica ish-luftëtarë të çetës partizane “Çamëria”. Aksionin për përmbysjen e pushtetit popullor, pasi i gjithë operacioni agjenturor qe përgatitur si një bashkëpunim mes zbulimit grek të Asfalisë, UDB-së jugosllave dhe CIA-s, e kishte marrë përsipër Flota e Gjashtë Amerikane në Mesdhe. Me tradhti të Kundëradmiralit dhe bashkëpunëtorëve të tij, në vend të një aksioni mbrojtës, asaj do t’i çelej rruga fshehurisht për të hyrë në Gjirin e Vlorës dhe shpërthyer sulmin kundër bazës detare. Pastaj do të zbarkohej jo vetëm në atë breg, por edhe në pika të tjera të territorit të vendit. Po ashtu do të uleshin trupa parashutiste nga ajri.
Hyri gushti dhe në orët shumë të ngjeshura të punës qeverisëse, por edhe mes tensionit të përplasjes së nëndheshme me sovjetikët, Mehmet Shehut i duhej të kursente edhe pak kohë për misionin e tij në Nju Jork. Pas Bukureshtit kjo do të ishte fushëbeteja më e madhe politike e tyre. Hysni Kapo e kishte mbyllur pa asnjë humbje të vetën në Bukuresht, madje ja kishte dalë mbanë pa dhënë asnjë shenjë lodhjeje. Në shtator tashmë do të provohej ai, veç në rrethana më të ndërlikuara. Do të vepronte tepër larg, mijëra kilometra. Me Enver Hoxhën do të lidheshin me radiograme të shifruara. Për shkak të largësisë së madhe që nga brigjet e përtejme të Oqeanit Atlantik tekstet e koduara në fillim do ta arrinin kontinentin evropian në territorin çekosllovak. Ambasada e tyre në Pragë qe pika më e skajshme për ta kapur mesazhin ajror. Të mbërrinte drejt për së drejti në Tiranë qe e pamundur. Do të ishte Praga që do t’ia përcillte kësaj.
Mbi syprinën e tavolinës së punës, në të djathtë, Shehu kishte lënë t’ia kapte herë pas here syri tufën e fletëve ku gjendej rendi i ditës i Sesionit të 15-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Me postën që avionët e shpërndanin nëpër botë, Reiz Malile ja kishte nisur që në 27 korrik.
Ndërkohë edhe vetë ky ato çaste prej Nju Jorkut pat fluturuar drejt Bukureshtit. Në 1 dhe 2 gusht Drejtoria e Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë kishte njoftuar se, duke i përballuar vetë të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit, do të organizonte një mbledhje me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve socialiste anëtare ose jo të OKB-së, të cilat do të merrnin pjesë në Sesionin e 15-të të saj. Të ftuarit do të qenë zëvendëskryetarë të delegacioneve përkatëse. Në rendin e ditës nismëtarët rumunë, por që mendohej se shtytjen e kishin marrë prej sovjetikëve, patën parashtruar tre çështje dhe një pikë të fundit “të ndryshme”. Mes pjesëmarrësve do të kishte shkëmbim mendimesh për probleme kryesore të Sesionit, çfarë iniciativash si vende socialiste do të ndërmerrnin, si edhe zgjedhjet për funksione drejtuese në Asamblenë e Përgjithshme e organizatat e tjera të OKB-së. Në fund të gjithsecilës ftesë qe shënimi “Bisedimet në mbledhje do të zhvillohen në gjuhën ruse”. Ky do të ishte edhe rregulli, i cili do të zbatohej në fjalimet që do të mbaheshin nga kryetarët apo gjithë folësit e tjerë të vendeve socialiste në sallën e madhe të Pallatit të Qelqtë në Nju Jork. Fjalë në gjuhën angleze nuk do të kishte. Ajo qe gjuha e imperializmit.
Nënkryetari real i delegacionit shqiptar për në OKB ishte caktuar ministri i Jashtëm, por Behar Shtylla këtë kompetencë për në mbledhjen përgatitore të Bukureshtit ja kishte deleguar shefit të Misionit të tyre të Përhershëm në Nju Jork.
Mehmet Shehu e ndoqi me vëmendje të gjitha andrallat që i dolën Reiz Maliles në udhëtimin e tij të rrufeshëm për në kryeqytetin rumun. Ambasadës në Budapest iu kërkua një biletë avioni për 31 korrikun, ditë e diel. Doli se linja ishte plot. Iu kërkua rezervim vendi për në datën 29. Sërish aeroplani qe i zënë. Atëherë Tirana nguli këmbë për një ditë të ndërmjetme: 30. Asnjë vend i lirë. Më në fund vetë nënministri Halim Budo urdhëroi që ambasada e tyre në Budapest t’i lutej Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë që kjo të ndërhynte në agjencinë e tyre të fluturimeve. U hap një vend për 31 korrikun. Reiz Malile mbërriti në Budapest këtë ditë dhe prej andej, pas një pushimi të shkurtër, u nis për në Bukuresht. Këtu zbriti në aeroport në orën 17.40.
Mbledhja e propozuar nga rumunët nisi siç qe premtuar, në 1 gusht. Nuk mungonte asnjë dërgatë prej vendeve socialiste anëtare apo jo të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për të gjitha çështjet që shqyrtuan, delegacionet ranë dakord, duke u diferencuar vetëm në çështjen e çarmatimit. Ambasadori kinez në Bukuresht, të cilit nga Pekini i qe deleguar autoritet të mbante qëndrim për çdo temë të debatuar në atë kuvend, u shpreh se qeveria e vendit të tij nuk do të pranonte të ishte pjesëmarrëse në asnjë konferencë për çarmatimin të organizuar nga OKB për sa kohë klika e Çan Kai Shisë vazhdonte të qëndronte si anëtare në këtë organizatë botërore. “Por edhe sikur”, shtoi ai, “kjo klikë në këtë Sesion të 15-të të Asamblesë të mos ftohet, përderisa nuk ishte pranuar si anëtare Kina Popullore ajo sërish do të mungonte në çdo konferencë të tillë, madje edhe në rastet kur organizatorët do t’i përkitnin strukturave jashtë kuadrit të Kombeve të Bashkuara”.
Nga pala sovjetike në kuvendin dyditor kryetar dërgate kishte qenë zëvendësministri i Jashtëm Adam Malik, por një radiogram i fshehtë i nisur nga Bukureshti për në Tiranë dhe që kishte për autor Reiz Malilen, shënonte se “Lidhur me ngjarjet e fundit deri tani nuk është hapur asnjë bisedim dhe ndonjë pyetje provokuese nuk është bërë”. “Mbledhja për problemet e OKB-së mbaroi në rregull”, njoftonte Tiranën një ditë më pas një mesazh i mbyllur i nisur prej një diplomati të rëndësishëm të ambasadës shqiptare në kryeqytetin rumun. “Shoku Reiz nesër niset për në Budapest”, qe në të fjalia e fundit.
Në 6 gusht shefi i Misionit të Përhershëm të RPSh-së ndodhej në krye të punëve të ngutshme në Nju Jork. Ishte e njëjta ditë kur në Moskë, e firmosur nga Enver Hoxha dhe me adresë Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të BRSS, u nis një letër pesë faqëshe. Që në rreshtat e saj të parë shprehej keqardhja për një ndryshim rrënjësor të qëndrimeve të disa diplomatëve të ambasadës sovjetike në Tiranë dhe se kjo pat ndodhur menjëherë pas mbledhjes së përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore në Bukuresht. Në faktet që rreshtonte Hoxha, vinte në dukje se këshilltari K.I. Novikov qe orvatur shumë herë të mblidhte informata mbi çështje të rëndësishme të vijës politike të PPSh-së dhe madje disa kuadrove të saj u kishte folur keq për qëndrimet që po mbante udhëheqja e tyre shqiptare. Enver Hoxha shkruante se “Sekretari i Parë i ambasadës sovjetike F.P. Bespallov, bashkë me ambasadorin shokun V.I. Ivanov, dhe këshilltarin e ambasadës K.I. Novikov, me anën e metodave të palejueshme në marrëdhëniet mes partive marksiste-leniniste, kanë mundur të influencojnë negativisht te Koço Tashko, kryetar i Komisionit të Revizionimit në Partinë tonë, duke e tërhequr atë në pozita të hapura kundër vijës së përgjithshme të partisë sonë. Një veprimtari e tillë është ndërhyrje flagrante dhe e palejueshme...Ne jemi shumë të prekur sidomos nga qëndrimi i ambasadorit sovjetik, shokut Ivanov, i cili shkoi aq larg në veprimtarinë e tij jo miqësore ndaj Partisë sonë, saqë pati guximin t’u bëjë gjeneralëve dhe oficerëve tanë, publikisht, në aerodromin e Tiranës, pyetjen e çuditshme dhe të dyshimtë “Kujt i qëndron besnike ushtria?”
Më 8 gusht nga Beogradi në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë mbërriti një telegram i shifruar, i cili informonte se për herë të parë ambasada amerikane i kishte dërguar numrit një dhe dy të legatës së tyre ftesa për të qenë të pranishëm në hapjen e një ekspozite. “Mendojmë t’ia kthejmë të dy ftesat”, qenë fjalët e prera me të cilat mbyllej radiogrami. Në 11 gusht zëvendësministri u dërgonte si udhëzim vetëm këtë rresht: “Ftesat nuk mund të kthehen, por ju mos shkoni në ekspozitë”.
Në 13 dhe 19 gusht dy radiograme fluturake të mbërritura në Tiranë nga Moska dhe Sofja informonin për politikanë vendas që do të ishin në përbërje të delegacioneve për në Nju Jork si edhe nuk mungonin të dhëna rreth qëndrimeve të tyre të pritshme gjatë punimeve të Sesionit të 15-të të Kombeve të Bashkuara.
Tashmë më shumë se çështja e mosmarrëveshjeve mes komunistëve sovjetikë dhe kinezë vendet e kampit socialist i merakoste ajo që në mes të shtatorit do të ngjante në OKB. E njëjta gjë ndodhte edhe me shqiptarët. Në 20 gusht me telegramin numër 487 Ministria e Punëve të Jashtme u dërgonte urdhër dy legatave të saj në Paris dhe Romë t’i bënin një panoramë të plotë mbi oraret e vaporëve të udhëtarëve që prej këtyre dy vendeve niseshin drejt Nju Jorkut. Dijeni kërkonin vetëm për ato linja lundrimi, të cilat mbërrinin në kryeqytetin amerikan para njëzetë shtatorit.
Të dyja përgjigjet e arritën Tiranën në të njëjtën ditë, 23 gusht.
Sipas Legatës në Paris të tillë që i përmbushnin kërkesat për sa u kërkonte qendra, ishin gjashtë anije. Vapori “United States” nisej nga porti francez Havre në 7 shtator dhe mbërrinte në Nju Jork në datën 12. “Queen Mary” do ta fillonte udhëtimin nga porti i Sherburgut në 8 dhe do të ndodhej në kryeqytetin amerikan në 13 shtator. Trageti “Flandra” do ta merrte rrugën Havre-Nju Jork në datën 9 dhe do ta mbyllte në 15. “Queen Elizabeth” do ta niste lundrimin nga porti i Sherburgut në datën 15 shtator dhe do të zbarkonte në brigjet amerikane në 20. Vapori “Liberté” do të nisej nga Havre më 16 dhe do ta kapte Nju Jorkun në datën 22. Radiogrami informonte po ashtu se “Roterdam” do të udhëtonte nga Havre për në kryeqytetin amerikan nga data 7 deri në 14.
Në përfundim të këtyre të dhënave mesazhi i koduar bënte të qartë se “Për vende është shumë e vështirë mbasi marinarët e vaporëve anglezë janë në grevë dhe nuk dihet kur do të përfundojnë”.
Radiogrami i dytë i 23 gushtit, ai i ardhur nga Legata e Romës, jepte informacion vetëm për dy anije udhëtarësh. Nga Gjenova do të ishte “Cristoforo Colombo”, i cili do të nisej në 13 shtator dhe do ta mbyllte në Nju Jork në datën 21, kurse prej Napolit do të qe vapori “Augustus”. Ky do ta fillonte udhëtimin në 17 dhe do ta përfundonte në datën 28 shtator.
Në 24 gusht, në orën 15.30, i nisur nga Legata e Parisit, një radiogram me 28 fjalë i rikujtonte Ministrisë së Punëve të Jashtme se “Dje, 23 gusht, ora 11.00, ju kemi dhënë përgjigje për vaporët mbasi të shtunën e të dielën agjencitë ishin mbyllur”. Njëzetë e tre gushti qe e hënë. Telegrami sqarues prej Parisit i vinte Tiranës për të justifikuar vonesën e dukshme prej tre ditësh të përgjigjes për urdhrin e ardhur që në 20 gusht. Mirëpo kjo ditë ishte e shtunë, pasardhësja binte e diel. Duke qenë se agjencitë e udhëtimeve në fundjavë qenë të mbyllura legata shqiptare në kryeqytetin francez për zbatimin më të shpejtë të mundshëm të urdhrit të dhënë nuk kishte veç të hënën.
Në ditën e njëzetë e katërt të gushtit nga Nju Jorku Reiz Malile i bëri një mesazh Tiranës, duke e vënë në dijeni se “...Ka mundësi që Hrushovi të vijë. Për vendimin definitiv të ndiqet çështja në Moskë...Në OKB flitet se Ajzenauer e Tito do të vijnë. Nehrui ka shfaqur hezitim”. Një ditë më pas Malile sërish e informoi qendrën e vet: “Nga bisedimet në OKB rezulton se Sesioni i 15-të i Asamblesë do zhvillohet në një atmosferë të rëndë lufte të ftohtë. Koha më e madhe do t’i kushtohet problemeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet Lindje-Perëndim... Deri tani rendi i ditës përmban 83 çështje, por parashikohet të shtohen edhe të tjera. Asnjëherë nuk ka pasur kaq probleme. Lidhur sa më sipër mundësisht të kihet parasysh përbërja e delegacionit...”
Duke qenë se Enver Hoxha nuk do të vinte dhe porosia e këtij të fundit qe për Mehmet Shehun, Reiz Malile në mjediset e Kombeve të Bashkuara po ndiqte me shumë vëmendje se si po shkonte debati për nivelin e shefave të dërgatave që do të vinin nga e gjithë bota. Lakmohej pjesëmarrja e figurave një të shteteve. Ndërkohë edhe kjo tezë nuk dukej aq autoritare sa të përjashtonte përfundimisht edhe një alternativë të dytë, atë të kryeministrave. Për këtë arsye Reiz Malile në 31 gusht e informoi ministrin e vet se “Nga bisedimet në OKB ideja për të ardhur kryeministrat në Sesion duket se nuk ka përkrahje të gjerë, kjo me që fuqitë e mëdha nuk kanë rënë dakord. Deri tani shumë delegacione në bisedime thonë se kryeministrat e tyre nuk do të vijnë. Mund të vijnë vetëm të disa vendeve afrikane për të biseduar probleme të ndihmës”.
Porse në Tiranë gjithçka ecte sipas asaj që kishte vendosur Enver Hoxha. Në krye të dërgatës shqiptare do të qe Mehmet Shehu.
Që në 29 gusht ministri i Jashtëm Behar Shtylla i pat dërguar Sekretarit të Komitetit Qendror një shkresë sekrete në të cilën thuhej se “Propozojmë që në Sesionin e 15 të.....që hapet në 20 shtator, të dërgohet një delegacion me këtë përbërje: 1) Behar Shtylla, 2) Halim Budo, 3) Dhimitër Lamani, Ministër Fuqiplotë në Paris, 4. Dhori Samsuri, kryetar i Degës së 3-të në MPJ. Halim Budo do të shkojë kur të kthehet Behar Shtylla, kështu në fakt shpenzimet do të bëhen për 3 vetë. Shpenzimet e udhëtimit për 5 veta vajtje-ardhje paguhen nga OKB... ”.
Sigurisht ajo që propozonte për miratim ministri i Jashtëm qe vetëm njëra pjesë e dërgatës. Shumë ditë para se shkresa sekrete t’i nisej Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Behar Shtylla i kishte dhënë porosi Misionit në Nju Jork të siguronte nëntë bileta për vaporin “Queen Elizabeth”. Ky prej transatlantikëve të propozuar nga legata e Parisit qe i vetmi, i cili siguronte kohën më të favorshme të udhëtimit. Prej trageteve të tjera oferta më e mirë e mbërritjes sa më afër datës së nisjeve të punimeve të Sesionit të 15-të të Kombeve të Bashkuara qe data 15 shtator. Kjo do të thoshte të mbërrije në Nju Jork plot pesë ditë përpara nga çasti i çeljes së punimeve. Vapori tjetër, “Liberté”, e arrinte kryeqytetin amerikan dy ditë më pas nga ky moment.
Ja përse që në 27 gusht, në zbatim të urdhrit të marrë, me radiogramin 303 Reiz Malile e informoi Ministrinë e Punëve të Jashtme “Rezervuam 8 vende në vaporin “Elizabeta”. Po interesohemi edhe për një tjetër. Vapori mbërrin këtu në 20 shtator, në mëngjes. Ora ekzakte nuk dihet. Propozojmë një shok të vijë më parë me avion për të biseduar masat e sigurimit...”.
Në 31 gusht, e mërkurë, gjithçka qe mbyllur. Një radiogram i shifruar nga Nju Jorku e informonte Tiranën “Me vaporin “Elizabeta” rezervuam 9 vende klasë i parë”.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|