Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pasaporta diplomatike e Mehmet Shehut me numër numër 000882


(Cikël nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)


Ndërkohë në Shqipëri politika më shumë se si do të shkonin punët në Nju Jork ende qe e kapur pas çfarë kishte ngjarë në Bukuresht, Pekin dhe Moskë. Në ditën e tridhjetë të gushtit u mbajt një mbledhje e Byrosë Politike. Në diskutimin e tij Hoxha tha se deri ato çaste nuk ishte aspak i kënaqur nga mungesa e autokritikës së Liri Belishovës dhe se po i jepnin asaj sërish edhe një rast tjetër për të reflektuar. Pasi kjo pat folur përsëri Enver Hoxha ia vlerësoi sjelljen si qëndrim të papjekur. Në ditën vijuese, më 31 gusht, e njëjta skenë u përsërit edhe me Koço Tashkon. Në vazhdim të mbledhjes së Byrosë Politike kryekomunisti shqiptar ishte akoma më i ashpër se me Belishovën. Tashko e mori fjalën disa herë, por tjetri ia refuzoi të gjitha arsyetimet. Diskutimin në mbyllje të mbledhjes Enver Hoxha e përfundoi me kumtin ndjellakeqes “Qëndrimet e tua çojnë në rrugë antimarksiste, antiparti”.


Në 1 shtator Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë kishte bërë gati tërë dokumentacionin e nevojshëm në përpilim të kërkesës për viza hyrjeje dhe transiti përgjatë gjithë intenerarit të pritshëm të delegacionit. Ai do të kalonte në Itali, Francë dhe po ashtu hynte dhe qëndronte për të paktën tre javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pastaj do të kryente rrugën e kthimit. Në fillim do të zbarkonte në Francë dhe prej këtej me tren do të nisej e hynte në Itali. Në Tiranë do të mbërrinin ose nëpërmjet një fluturimi të siguruar nga Roma ose e njëjta gjë do të realizohej nga aeroporti i qytetit bregdetar të Barit.
Dosja që tashmë ishte gati me të gjitha të dhënat, shënonte se Mehmet Shehu, i lindur në fshatin Çorrush të Mallakastrës në 10.01.1913, qe i gjatë 1.75 metra. Ishte i pajisur me pasaportën diplomatike numër 000882. Behar Shtylla pati lindur në qytetin e Korçës më 11 mars 1918 dhe qe me shtat 1.67. Numri i pasaportës së tij 000424. Halim Budo kishte ditëlindje 15 korrikun e vitit 1913 dhe si vendlindje Gjirokastrën. Pasaporta e tij regjistrohej me numrin 000688. Llambi Peçini qe i gjatë 1.78 metër dhe pati lindur në 24 nëntor 1924. Llambi Ziçishti ishte me shtat 1.68 dhe ditëlindje 13 dhjetorin e vitit 1923.
Në 2 shtator me një tekst të shkruar në frëngjisht Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i nisi një “Notë” Legatës Italiane në Tiranë. Kërkoheshin viza hyrjeje dhe daljeje gjashtëmujore për dhjetë anëtarët e delegacionit. Dëshirohej që leja e kalimit nëpër territorin e vendit fqinj të përfshinte pikat doganore të porteve detare të Barit, Brindisit dhe në Romë edhe të aeroportit të Çampinos. Po ashtu nga autoritetet shqiptare një mundësi tjetër kalimi për dërgatën parashikohej edhe nëpër Tarvisio, Domodosola e Modena.
Dy shtatori do të mbartte me vete edhe një radiogram tjetër. Këtë herë qe vetë ministri i Jashtëm Behar Shtylla që i dërgonte njoftim zyrtar Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai bënte të ditur përbërjen e delegacionit të vendit të vet. Brenda po kësaj dite, kur ajo ende nuk kishte ngrysur, zëvendësministri Budo i transmetoi ambasadorit shqiptar në Moskë këtë mesazh të mbyllur: “Dje i dorëzuam Novikovit letrën e KQ të Partisë sonë në përgjigje të letrës së KQ të PK të BS, ku njoftojmë se delegacioni ynë në OKB do kryesohet nga shoku Mehmet. Shoku ambasador të pyesë menjëherë në Ministrinë e Jashtme në se shoku Hrushov, që kryeson delegacionin sovjetik në OKB, do shkojë atje që në fillim të Sesionit apo më vonë dhe kur mendohet të shkojë. Presim përgjigjen”.
Të nesërmen, më 3 shtator, ndërsa Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi përbërjen e delegacionit, nga kryeqyteti i Polonisë u nis dhe mbërriti në Tiranë radiogrami 337. Fjalët e fshehura pas shifrave bënin të ditur se dërgata polake për në Sesionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të përbëhej nga vetë kryetari i Partisë Punëtore Vladislav Gomulka, prej ministrit të Jashtëm Adam Rapacki, kryetarit të Partisë Fshatare dhe të asaj Demokratike si edhe nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Polonisë në OKB. Deshifrimi i tekstit thoshte po ashtu se Legata shqiptare në Varshavë prej një bisede konfidenciale me një diplomat të lartë hungarez, të quajtur Forgash, pati siguruar një informacion interesant. Në Nju Jork të gjithë vendet socialiste do të dërgonin delegacione me në krye vetë Sekretarët e Parë, por nga Hungaria do të qe e zorshme të bënte të njëjtën gjë Janosh Kadari. Prania e tij vështirësohej për shkak të marrëdhënieve mjaft të acaruara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si edhe nga agresiviteti në Nju Jork, siç shkruhej në radiogramin e fshehtë, “i organizatave me tradhtarë hungarezë”. Diplomati Forgashi në të njëjtën kohë kishte paralajmëruar kolegët shqiptarë të Varshavës “se kryetari Partisë Fshatare Polake është njeri i lig dhe duhet me i pasë frikën se mos bën gjë në OKB”.
Brenda ditës së 3 shtatorit 1960 lëvizën fshehurish nëpër eter edhe e dy mesazhe të tjera. Zëvendësministri i dytë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, V.N., në orën 17.10 dorëzoi në zyrën e shifrës një radiogram urgjent për tek ambasadori i tyre në Moskë. Pasi u kyç në misterin e kodeve pesëmbëdhjetë minuta më pas ai u nis drejt kryeqytetit sovjetik. Kur në Moskë u çshifrua nxori të dukshme fjalët “Novikovi na njoftoi sot se Qeveria e Bashkimit Sovjetik vë në dispozicion të delegacioneve të vendeve mike që do të shkojnë në OKB, vapor më datë 10 ose aeroplan në 17. Për dijeninë tënde ne kemi zënë vende në “Queen Elizabeth” më 15. Sidoqoftë mbi vendimin definitiv do t’ju njoftojmë. Sot i komunikuam Novikovit se e falënderojmë qeverinë sovjetike por nuk ka mundësi të vijmë me mjetet e tyre për arsye se ne kemi paguar biletat me vaporin “Queen Elizabeth” që niset më 15 nga Franca”.
Në 3 shtator do të ndodhte edhe një ngjarje tjetër ose të paktën, duke mos qenë e tillë, mbetet gjithsesi e përfillshme për të hyrë në kronikën e rrëfimit të këtij libri. Në zyrën e Mehmet Shehut mbërriti një materiali informativ që ai vetë e kishte kërkuar. Qenë të dhëna për trajtimin nga qeveria shqiptare e minoritetit grek. Nga Nju Jorku Reiz Malile i pat shkruar se diaspora fqinje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm qe agresive, por grupet e saj voriepirote kishin përhapur fjalë se Mehmet Shehun, kur të vinte, do ta prisnin me protesta të forta. Kjo mund të shkaktojë vëmendje të medias njujorkeze për Shqipërinë dhe qëndrimin gjoja diskriminues që ajo mban ndaj pakicës greke, nënvizonte Malile. Gjithçka mund të sqarohet, këmbëngulte ai, në rast se i jepen fakte se gëzon përkujdesje të plotë.
Kryeministri, sapo ja sollën informacionin, e lexoi. Ishte një përmbledhje e ngjeshur. Shifrat e shumta dhe fjalët e kursyera thoshin se minoriteti kishte në vendbanimet e veta në jug 3 spitale me 23 shtretër, 4 maternitete e reparte lindjeje me 14 shtretër, një stacion hydromineral me 30 krevate, 4 konsultore për gra e fëmijë, 19 ambulanca mjekimi dhe 2 farmaci. I gjithë personeli në to përbëhej nga rreth 70 vetë, prej të cilëve dy qenë mjekë dhe tridhjetë e pesë teknikë të mesëm e të ultë. Informacioni shënonte se për nevoja të pakicës greke funksiononin 19 kopshte me 673 fëmijë e 22 edukatore, 84 shkolla fillore me 3880 nxënës dhe 124 mësues, 20 shkolla tetëvjeçare me 1403 nxënës. Thuhej gjithashtu se në Shkollën Pedagogjike të Gjirokastrës, ku përgatiteshin kuadro mësimdhënës për shkollat minoritare, kishte dy klasa paralele me 54 nxënës.
Mehmet Shehu e mori në duar dyfletëshin e daktilografuar dhe e mbajti pak sekonda në ajër. Karta tek u përthye lehtë lëshoi një si pëshpëritje. I nguli sytë zhbirues në dy radhët e fundit: “Arsimi shtatëvjeçar në shkallë republike është realizuar 70.6 %, kurse në shkollat minoritare mbi 80 %. Dropulli e Pogoni realizuar 100%”.
Që kur ishte i vogël kështu i mbante mend minoritarët grekë: shumë të zgjuar.


Në 6, 7 dhe 8 shtator u mbajt Plenumi XVIII i PPSh-së. Qenë tre ditë të gjata dhe ndërkohë po aq të shkurtra. Mbledhje të tilla kishte kohë që zakonisht nuk e kapërcenin një ditë apo kur përfshinin dyzetë e tetë orë konsideroheshin si mjaft lodhëse. Veç këtë herë anëtarët e forumit të lartë të partisë së vetme në pushtet e parandjenë të pazakonshmen që në 3 shtator, kur ndërsa nuk e prisnin, Byroja Politike u shpërndau një material në të cilin flitej për gabimet e Liri Belishovës. Kështu sapo u mblodhën dhe në presidium u ul Enver Hoxha pritën me një frymë çfarë do të ndodhte. Mirëpo mbledhja nisi rëndomësisht me një raport të njërit prej sekretarëve të Komitetit Qendror, me temë disa çështje të punës organizative. Në afro njëzetë faqet e tij, të cilat kishin si shqetësim të parë forcimin e unitetit, përmendeshin edhe kundërshtitë e acaruara mes sovjetikëve dhe kinezëve, por nuk u cek me fjalë asnjëherë Belishova. Ndërsa u krijua përshtypja se e gjithë ajo ditë e 6 shtatorit do të bëhej fir me ato diskutime të përgjithshme, qe Enver Hoxha, i cili ktheu vrulltazi rrjedhën. Fraza e parë që shqiptoi ishte “Përpara se të flasim për Liri Belishovën do të informoj Plenumin për disa vendime që ka marrë Byroja Politike”. Tek gjendej mes rrëfimit për tre letra që i kishin bërë Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, befas lëshoi fjalët “Është fakt që gjithë shokët tanë, të cilët ata i kanë provokuar, kanë qëndruar shumë mirë dhe u kanë dhënë përgjigjen e merituar. U ndodh vetëm Koço Tashkoja, te i cili arritën të kenë sukses dhe ta zbërthejnë në mënyrë shumë të poshtër, sikundër do ta shohim”. Kur më në fund e mbylli fjalën për tri letrat Hoxha bëri një pauzë të shkurtër dhe si ushtarët gati për luftë vuri në rresht fjalët “Të vijmë tani konkretisht tek çështja e Liri Belishovës”. Pak sekonda më pas vazhdoi me një ton që nisi t’i bëhej përherë dhe më i ashpër. “Byroja Politike mendon se gabimet e Liri Belishovës janë shumë të mëdha e serioze, ato tregojnë se ajo është në fakt në kundërshtim me vijën e Partisë tonë”. Ndërsa bëri pyetjen se cilat qenë gabimet e koleges, Enver Hoxha nisi t’i japë asaj edhe përgjigjen. Qëndroi më gjatë veçanërisht në rrëfimin e hollësive rreth drekës që sovjetikët i kishin shtruar në Moskë dhe ku Belishova manovrës së tyre për t’i thënë gjërat hapur i qe përgjigjur me taktikën e shakave. Kjo, vuri re Hoxha, megjithatë nuk e kishte ndihmuar dhe në të vërtetë pati krijuar një situatë në favor të njerëzve të Moskës. “Po pse me shaka?”, bëri ai pyetjen, “Sepse Liri Belishova nuk ishte dakord me vijën e Partisë sonë për këtë çështje, ajo kishte një pikëpamje tjetër”. Ndërkohë pasi tha “Ne i duam vetëm të mirën, prandaj edhe po përpiqemi ta ndreqim” dhe me kaq pjesëtarëve në mbledhje iu duk se shefi i tyre përkohësisht do ta mbyllte çështjen e masës së ndëshkimit, Enver Hoxha shtiu me të gjitha bataretë: “Byroja Politike ka vendosur t’i propozojë Plenumit që Liri Belishova të shkarkohet nga funksioni si anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror për propagandën...”
Kur të nesërmen, në 7 shtator, në Plenumin XVIII po mbyllej diskutimi rreth qëndrimit të koleges së tyre, Hoxha e mori fjalën sërish. “Po të shikoni një film që ata kanë prodhuar tani”, tha ndër të tjera, “me të vërtetë do të revoltoheni. Ky film që quhet, më duket, “SOS”, tregon se si një marinar dhe një kolkozian shkojnë dhe bashkëjetojnë me një miliarder anglez. Bija e tij i jep dhomën më të mirë kolkozianit, dashurohet me marinarin sovjetik, ndërsa lordi dëbon dhëndrin e tij pijanec, vagabond etj. etj. Ne jemi për bashkekzistencën paqësore, jo për një bashkëjetesë si në këtë film, por për atë leniniste që të demaskojmë imperializmin dhe revizionizmin, të demaskojmë çdo manovër dhe orvatje të tyre për të na shkatërruar ne. Qëllimi i tyre është të shkatërrojnë komunizmin, qëllimi ynë është të shkatërrojmë imperializmin dhe agjenturën e tij, revizionizmin...Ne nuk jemi për t’u hapur dyert spiunëve amerikanë, artit dekadent e mënyrës amerikane të jetesës...Ne nuk e kuptojmë bashkekzistencën duke përhapur amerikanadat, nuk jemi dakord që nëpunësit çekë ose sovjetikë, nëpër ambasada, të bëjnë pritje dhe të kërcejnë alla amerikane. Shokët që punojnë në përfaqësitë tona jashtë shtetit, janë skandalizuar....”.
Brenda atij 7 shtatori, pa ngrysur kjo ditë e gdhirë të paktën tjetra, Enver Hoxha i paraqiti Plenumit një raport shumë goditës mbi Koço Tashkon. Sjelljen ia cilësoi si të një opozite politike. Njëzetë e katër orë më vonë, në 8 shtator, pasi e kishin dëgjuar çfarë i propozuari për ndëshkim pohoi, ai bëri një diskutim tjetër. Fjalët e para të tij qenë “Tani nuk ka më asnjë dyshim se kemi të bëjmë jo vetëm me një element antiparti, por edhe me një provokator, me një vegël në duart e të tjerëve...”.


Ndërkohë në brinjë me luftën brenda partisë, Enver Hoxhës dhe përkrahësve të tij, veçanërisht kryeministrit Mehmet Shehu, u duhej të përballonin një tjetër, shumë më pasojëlënëse. Ishte ajo e bukës.
Për shkak të një thatësire mjaft të rëndë atë verë të vitit 1960 fusha të tëra të mbjella me grurë qenë djegur. Ajo që u korr, u shi dhe u fut nëpër depo ishte vetëm sa një e treta e herëve të mëparshme. Uria mund të shpërthente që në mes të vjeshtës. Fundgushti dhe e shumta ditët e para të shtatorit qenë koha e duhur kur si çdo vit mund të kërkohej ndihmë nga vendet mike. Më së pari prej Bashkimit Sovjetik. Ai qe një hambar i madh, i pafund. Kurrë Moska nuk kishte vonuar të transportonte drejt shqiptarëve sasinë që u duhej.
Mehmet Shehu kishte kryer të njëjtin veprim edhe këtë herë. U pati bërë shkresa për ndihmë jo vetëm sovjetikëve, por edhe qeverisë bullgare dhe asaj rumune. Informacioni që i erdhi shumë shpejt, ishte alarmues. Nuk qe më gatishmëria e dikurshme. Ia raportoi Hoxhës dhe ky gjykoi se kjo vinte për shkak të arsyeve politike. Me bukën Hrushovi po i bënte presion të tërthortë për ta shtrënguar të bashkohej kundër Partisë Komuniste Kineze. Atij nisi të citonte atë që pat ngjarë në maj 1959, kur njeriu i parë i Moskës kishte bërë vizitën e tij në Shqipëri. Dy herë rresht biseda pat rënë për furnizimin me bukë të popullsisë dhe Hoxha me Shehun i qenë shpjeguar se ekonomia e tyre po përpiqej ta siguronte bukën në vend. Kjo Nikita Hrushovin e kishte habitur, por qe mjaftuar vetëm me ngritjen e supeve. Kur gjatë vizitës në Vlorë dhe Sarandë pa plantacionet me agrume dhe në ato kodra plot diell gjithkund shpyllëzimin nga shkurret, e pat pyetur me ironi Mehmet Shehun: \"Po këtu çfarë do të mbillni, grurë!?\" Dhe kishte vazhduar: \"Përse harxhoni tokën, punën, mjetet dhe paratë për të prodhuar grurë? Çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare nuk janë të larta. Grurë ju japim ne sa të doni\".
Atë çfarë pat thënë sekretari i parë dhe kryeministri i BRSS-së përkthyesi e kishte shqipëruar vetëtimthi dhe pastaj pat mbajtur frymën. Ishte hera e tretë që hapej ajo temë dhe mund të shkaktonte debat. Kur pa që Mehmet Shehu nuk foli, Hrushovi e pyeti plot gjeste mimike se sa grurë harxhonte në një vit populli shqiptar. Kur i erdhi përgjigja kryekomunisti sovjetik shqiptoi fjalët: \"Çudi, çfarë koincidence! Pikërisht këtë sasi gruri hanë minjtë çdo vit në hambarët e Bashkimit Sovjetik!\" Pastaj filloi të këshillonte “Mbillni fruta dhe agrume! Do të dërgojmë çdo ditë një avion për t\'i tërhequr. Do ta bëjmë Shqipërinë kopshtin e lulëzuar të kampit socialist!\"
Tashmë një vit më pas Nikita Hrushovi po vepronte krejt ndryshe.
Në 7 shtator vdiq Vilhelm Pik dhe të nesërmen, ndërsa Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu bashkë me drejtues të tjerë të lartë të partisë shkuan për ngushëllime në ambasadën e Republikës Popullore Demokratike Gjermane, mbledhja e Byrosë Politike që sapo kishte mbyllur me vendime të ashpra qëndrimet e Liri Belishovës, Maqo Çomos e Koço Tashkos, shqyrtoi posaçërisht problemin e plotësimit të nevojave të popullit me drithëra buke si edhe çështjen e kursimit në përdorimin e tyre. Hoxha e ngarkoi Shehun që në krye të Këshillit të Ministrave të merrte të gjitha masat për furnizimin pa ndërprerje të popullit. Ndërsa për partinë ato çaste do të ishte detyra më e rëndësishme lufta politike kundër revizionizmit modern, misioni numër një për qeverinë do të qe mos të ndodhte uria.
Dy ditë më pas, më 10 shtator, një mbledhje tjetër e Byrosë u mor sërish me gjendjen e furnizimit të popullsisë me bukë. U paraqitën edhe përgjigjet e porsaardhura nga tre vendet mike, ku kërkuan ndihmë. Lutjes së tyre Bashkimi Sovjetik i qe përgjigjur pozitivisht, por vetëm me një të pestën e sasisë së kërkuar. Madje edhe ky furnizim do të kryhej pas nëntorit.
U raportua se edhe nga qeveria bullgare gatishmëria shprehej e shoqëruar me një kufizim: do t’u jepej grurë vetëm çereku i kërkesës. Prej rumunëve përgjigja kishte mbërritur negative: furnizim zero. “Ata edhe sivjet po eksportojnë grurë drejt Perëndimit”, ngriti zërin Enver Hoxha, “kurse neve nuk na japin asnjë kokërr”.






















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com