Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Në “Queen Elizabeth” Josip Broz Tito dhe Mehmet Shehu


(Cikël nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)


Ditën e 8 shtatorit në të gjitha vendet e kampit socialist vëmendjen e politikës e kishte gëlltitur Nju Jorku.
Nga Sofia ambasadori shqiptar e informonte Ministrinë e tij të Jashtme se atë ditë qe nisur me avion për në Moskë delegacioni bullgar i cili do të merrte pjesë në punimet e OKB-së. Kryesohej prej vetë Teodor Zhivkovit. Në aeroport ishin përcjellë nga të gjithë përfaqësuesit më të lartë diplomatikë të vendeve mike, përfshi edhe atë vetë. Porse kishte një përjashtim: ambasadori kinez. Ky e pat braktisur ceremoninë në aeroport. Kishte dërguar vetëm këshilltarin e ambasadës.
Në informacionin e mbyllur për Tiranën ambasadori shqiptar sqaronte se fluturimi i Zhivkovit drejt Moskës kishte të bënte me udhëtimin e tij për në Nju Jork me vapor së bashku me delegacionin sovjetik.
Një ditë më pas Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë e arriti edhe informacioni nga Budapesti. Në 8 shtator drejt Moskës e kishte nisur rrugën edhe delegacioni hungarez me Janosh Kadarin në krye. Në kryeqytetin sovjetik do të mblidheshin të gjitha ato dërgata të cilat patën pëlqyer propozimin e Nikita Hrushovit për të udhëtuar në grup drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vapori me të cilin do të nisnin rrugëtimin quhej “Balltika”. Diplomati shqiptar nga Budapesti po ashtu bënte me dijeni se bashkë me të gjithë përfaqësuesit e parë të ambasadave të vendeve socialiste në aeroport kishte dalë edhe Leonid Brezhnjevi. Kryetari i parlamentit sovjetik pat ndodhur aty, sepse që nga 4 shtatori po pushonte në Hungari. Ditën që po i dërgonin Ministrisë atë radiogram, 9 shtator, ambasada shqiptare në Budapest informonte se funksionari shumë i lartë i BRSS-së në krye të një delegacioni të vendit të vet do të nisej për në Republikën Demokratike Gjermane.
Të dhënat për dërgatën polake në OKB mbërritën nga Varshava në 11 shtator. Sipas tij ajo do të shkonte në Nju Jork me avion. Datat e përafërta të nisjes qenë 16 ose 17 shtatori.
Sidoqoftë Tirana të gjitha të dhënat më kryesore mbi mbartjen e delegacioneve të vendeve socialiste për në Nju Jork i kishte marrë që në 7 shtator nga Reiz Malile. Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara pat dërguar një radiogram ku informonte se “Kadari, Gomulka dhe Dezhi do të vinë me vapor me Hrushovin. Novotni vjen në 19 shtator me një avion zviceran. Kanë zënë gjithë klasin e parë. Zhivkovi thuhet se do vijë në 19-të”.
Në të njëjtin tekst të shifruar Malile i vinte në dijeni eprorët e tij se prej një bisede të kryer në Nju Jork me një diplomat të lartë sovjetik të gjithë krerët e delegacioneve të shteteve mike do të qëndronin aty minimumi dy javë. Përfaqësuesi i Përhershëm shqiptar kishte edhe një shqetësim. Qendra nuk po e njoftonte të rezervonte me kohë sallën përkatëse në ndërtesën e OKB-së, në të cilën sipas protokollit kryetarët e delegacioneve jepnin ceremoninë e pritjes për trupin diplomatik të huaj, për dërgatat e ardhura, shtypin dhe miqtë e tyre. Të gjitha vendet e tjera socialiste e kishin prenotuar sallën, kurse Shqipëria jo. Në fund të fundit, ngulmonte Reiz Malile, edhe në rast se Mehmet Shehu nuk do ta kryente një ritual të tillë le ta vinin në dijeni Misionin sa më shpejt.
Ndërkohë në dymbëdhjetë radhët e ngjeshura të radiogramit Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara paraqiste edhe një problem. Qenë shtuar kolegët e kampit socialist që e pyetnin përse nga Tirana nuk do të vinte Enver Hoxha. “U jemi përgjigjur shkurt”, shkruante, “sipas asaj që ka thënë edhe Hrushovi”. Ky pat pohuar se në këtë mbledhje të OKB-së mund të vinte edhe kryeministri.
Në 8 shtator nga Tirana Misionit në Nju Jork i shkoi telegrami i ngutshëm “Prej datës 2 shtator i kemi kërkuar vizat delegacionit të Ambasadës Amerikane Budapest, stop. Përveç tre anëtarëve të parë të delegacionit për të tjerët nuk kanë dhënë vizën, stop. Kërkoni ndërhyrjen e OKB, stop”.
Po këtë ditë zëvendësministri i Punëve të Jashtme Halim Budo i dërgoi legatës së tyre në Paris radiogramin se Mehmet Shehu bashkë me delegacionin do të mbërrinin aty në 14 shtator. Saktësonte: qe ditë e mërkurë. Ardhja bëhej prej Romës. Nuk thuhej se dërgata do të vinte me tren, por kjo nënkuptohej. Njoftimi u çohej që të vinin në dijeni edhe Ministrinë e Jashtme Franceze.
Për çështjen e pyetjeve përse në Nju Jork nuk do të vinte Enver Hoxha vetë ministri i Jashtëm Behar Shtylla në 9 shtator dërgoi udhëzimin e prerë “Kur pyesin miqtë pse nuk shkoi shoku Enver në OKB por shoku Mehmet thoni se ky ishte vendimi i KQ të Partisë e Qeverisë sonë, se nuk ka pasur më parë asnjë marrëveshje që të jenë sekretarë të parë...Kush pyet se mos shoku Enver është i sëmurë thoni se është fare mirë, i fortë dhe i shëndoshë si malet tona, dhe drejton me siguri Partinë dhe popullin në rrugën marksiste-leniniste, për ndërtimin e socializmit”.
Në të njëjtën ditë të 9 shtatorit Ministria e Jashtme i përcolli urgjentisht Misionit në Nju Jork radiogramin e mbushur me fjalët e shqetësuara “Ambasada amerikane në Budapest dha vizë vetëm për Kryeministrin, Ministrin e Jashtëm dhe Halimin. Ndërhyni urgjent për akordim vize për të tjerët deri nesër në mëngjes. Njëkohësisht të njoftohet edhe ambasada Amerikane në Paris. Presim gjegje”.
Në 10 shtator më shumë e alarmuar se më parë, Tirana i nisi përfaqësisë së saj diplomatike në OKB telegramin në të cilin thuhej se për J.M. viza qe refuzuar. Le të ndërhynin në OKB që kjo vizë t’i jepej një diplomati të tyre në Paris. Në telegramin e shifruar nuk thuhej se edhe emri i propozuar rishtazi qe si i pari: do të merrej me sigurinë e kryeministrit, pra ishte kuadër i nivelit të zbulimit politik.


Kryeministri shqiptar ndodhej në zyrën e tij në Tiranë kur i erdhën informacionet e para se në Nju Jork atmosferën do ta kishte më shtrënguese nga sa e kishte menduar. Ai ende nuk e dinte se në 9 shtator në një fletë të hollë, por të fortë, qe hartuar një promemorie. Mbi fjalët në anglisht “Aide Memoire”, në të djathtë të faqes, qëndronte e shkruar me germa blu autorja e saj: United States Mission to the United Nations. Ishte Misioni i Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së. Teksti më pas i daktilografuar me bojë të zezë që në paragrafin e parë bënte të ditur se kishin marrë dijeni që delegacioni qeveritar shqiptar për në mbledhjen e Asamblesë do të kryesohej nga kryeministri i vendit, Mehmet Shehu. Në paragrafin e dytë nuk vononte, në vetëm tre rreshta, të shfaqej fraza “Ekziston një situatë e veçantë lidhur me masat e mjaftueshme të sigurimit për zotin Shehu gjatë transitit në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në mbledhjet e OKB-së”. Paragrafi i tretë komunikonte “Kjo situatë e veçantë rrjedh sigurisht nga deklaratat publike armiqësore që zoti Shehu dhe autoritetet e tjera shqiptare kanë drejtuar kundër Shteteve të Bashkuara”. Në paragrafin e katërt e të fundit promemoria rreshtonte vendimin se “Qeveria e ShBA kërkon të merren masa sigurimi që zoti Shehu të banojë sa të jetë e mundur më afër selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe se lëvizjet e tij veç atyre që kanë të bëjnë me mbërritjen dhe largimin nga ShBA lidhur me misionin e tij, të mos zgjaten jashtë ishullit të Manhatanit”.
Në 9 shtator nuk ishte vetëm kryeministri shqiptar ende në Tiranë që nuk e dinte çfarë akuze po i bënte dhe çfarë urdhri shtrëngues po i jepte qeveria amerikane, por as Misioni Shqiptar në Nju Jork. Lajmi mbërriti në këtë përfaqësi vetëm të nesërmen. E solli Këshilltari juridik i Misionit Amerikan, diplomati me emrin Alfer F. Bendler. Madje ky pasi u prit nga kolegu shqiptar me vetëm një gradë më të ulët, në fillim kërkoi të dhëna për delegacionin, nëse ai do të vinte me avion apo me mjet lundrimi, sa do të qëndronte në Nju Jork, ku do të banonin pjesëtarët e tij si edhe bëri mjaft pyetje të tjera, që të gjitha me karakter teknik. Shpjegoi po ashtu qetësisht se këto të dhëna u bëheshin të gjitha Misioneve dhe si qëllim të vetëm kishin marrjen nga qeveria amerikane të masave të sigurisë. Diplomati shqiptar iu përgjigj Alfer F. Bendlerit shkurt duke e informuar për gjithçka kërkonte. Ai i bëri të qartë Këshilltarit juridik të Misionit Amerikan se kryetari i delegacionit shqiptar dhe njëkohësisht kryeministri i vendit gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Nju Jork do të banonte në selinë e Misionit të tyre.
Pas kësaj amerikani i dorëzoi diplomatit të Tiranës tekstin e promemories. Një minutë më vonë u përshëndet dhe doli.
Në pesë minutat e mëpasshme me tekstin e saj të papritur u njoh Reiz Malile. Nuk u përmbajt dot dhe e la veten ta kapte zemërimi. Deri ato çaste nuk e pati as hamendësuar që masat kufizuese për Mehmet Shehun të ishin aq fort të ashpra dhe ca më tepër siguria fizike e personit të tij të lidhej jo me agresivitetin e ndonjë shqiptari të arratisur por drejtpërsëdrejti me qëndrimin politik të Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fund të fundit dërgata shqiptare nuk po vinte në Nju Jork për ndonjë vizitë zyrtare në ShBA, por vetëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila jo se qe zgjedhje e tyre ndodhej në territorin e shtetit amerikan. Kohë të shkuara ajo seli pati qenë në Gjenevë të Zvicrës. Autoritetet qeveritare vendore ishin të detyruara, i donin politikisht apo jo, t’u siguronin moscënimin fizik dhe kushtet normale të punës e të qëndrimit gjatë pjesëmarrjes në punimet e sesioneve të Asamblesë.
Reiz Malile i dërgoi rrufeshëm një radiogram të mbyllur qendrës. Tiranës iu përcollën fjalët “Sot Misioni Amerikan na dërgoi një promemorie në të cilën qeveria e Shteteve të Bashkuara thotë se për arsye të deklaratave armiqësore të shokut Mehmet kundër ShBA dhe për nevojë të masave të sigurimit lëvizjet e tij gjatë qëndrimit në Nju Jork kufizohen vetëm brenda lagjes Manhatan. Tekstin e plotë po e nisim me telegram të hapët. Propozoj t’i bëj një vizitë Hammarskjoldit dhe të protestoj për këtë akt të poshtër. Të njëjtin kufizim kanë bërë edhe për Kadarin. Për dijeni zona e ndaluar për qarkullim e shokut Kryeministër është më e vogël se ajo që i kanë caktuar Misionit”.
Ky radiogram i mbërritur me urgjencë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë iu dërgua menjëherë Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.
Po atë 10 shtator në një orë të vonë të pasmesnatës së Nju Jorkut nga Reiz Malile u nis me ngut drejt Tiranës edhe një tekst tjetër i koduar. Kur u ra në dorë shifrantëve të Ministrisë së Jashtme, për shkak të gjashtë orëve të distancës mes dy qyteteve dhe shkujdesjes së shefit të tyre në ndarjen e punës, këtu akrepat shënonin 13.30. Pas pesëmbëdhjetë minutave megjithatë çfarë transmetohej me urgjencë u zbardh e gjitha. Informacioni i ri e plotësonte edhe më mirë pamjen e promemories së Misionit Amerikan pranë OKB-së, i cili qe, siç e ritheksonte posaçërisht radiogrami i ri, edhe vetë qëndrimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Një radiogram i tretë i mbërritur po aq vetëtimthi, edhe ai sërish me një tufë fjalësh shpjeguese për promemorien e ashpër të Shtëpisë së Bardhë, transmetonte një njoftim të ri: “Mbas dy herë ndërhyrjeve në Sekretariat autoritetet amerikane i dhanë urdhër përfaqësive të tyre në Budapest dhe Paris t’i jepet vizë gjithë delegacionit”.
Sigurisht që këtë ditë, 11 shtator, Mehmet Shehu ndodhej akoma në Tiranë dhe e ndiqte çast pas çasti vrapin e tensionuar të lajmeve. Patjetër edhe me dijeni e dëshirë të tij, por detyrimisht duke kaluar nga Enver Hoxha e në mos hartuar plotësisht mbi tezat e tij, po ato orë u formulua teksti i një deklarate proteste që Misioni Shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara duhej t’ia përcillte sa më shpejt kolegëve të tyre amerikanë. Kjo donte të thoshte po ashtu edhe Shtëpisë së Bardhë.
Në paragrafin e parë të saj kufizimet ndaj Mehmet Shehut cilësoheshin diskriminuese. Në të dytin radhiteshin njëra pas tjetrës fjalët “Misioni i RPSh-së deklaron se pavarësisht nga pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi politikën e Republikës Popullore të Shqipërisë ndaj SHBA, në frymën e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Marrëveshjes së 26 qershorit 1947 përfunduar midis OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me selinë e kësaj organizate, Kryetari i Këshillit të Ministrave të RP të Shqipërisë Mehmet Shehu duhet të gëzojë të gjitha të drejtat dhe privilegjet që gëzojnë kryetarët e delegacioneve të shteteve të tjerë anëtarë të Kombeve të Bashkuara”. Paragrafi i tretë komunikonte me ton të prerë se “Misioni i RP të Shqipërisë thekson se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mban përgjegjësi të plotë për sigurimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu gjatë qëndrimit të tij në territorin e SHBA”. I katërti dhe njëkohësisht i fundit paragraf i deklaratës së protestës njoftonte se “Kryetari i Këshillit të Ministrave të RP të Shqipërisë do të arrijë në Nju Jork në 20 shtator 1960 me vaporin “Queen Elizabeth” dhe se do të banojë në selinë e këtij Misioni”.
Kur tashmë në Nju Jork kalendari shënonte 12 shtatorin nota e protestës u nis për në destinacionin e saj: Misionin e ShBA pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pa u lënë të kalonin dhjetë minuta nga kthimi i diplomatit shqiptar të ngarkuar për ta dorëzuar deklaratën e protestës në selinë e kolegëve amerikanë, iu dërgua Tiranës radiogrami i mbyllur se gjithçka qe përmbushur sipas udhëzimit të ardhur. Shënonin se teksti i dorëzuar nuk kishte pasur asnjë ndryshim prej atij të ardhur.
Me telegramin e koduar numër 322 Reiz Malile njoftonte qendrën se kishte bërë një vizitë tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Dag Hammarskjold dhe pat protestuar për kufizimet ndaj Kryeministrit. Nuk kishte shmangur edhe një kujtesë: plogëtinë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së vizave. Hammarskjold, një suedez biond me pamje mjaft simpatike, nga natyra temperament i qetë, iu përgjigj diplomatit shqiptar vetëm për shqetësimin e parë. Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara premtoi një bisedë mirëkuptimi me autoritetet e vendit.
Kur u kthye në seli, ndërsa mbi Manhatan bashkë me natën kishin rënë edhe llamburitjet e reklamave, Reiz Malile gjeti mbi tavolinë një gjysmëfletë. Në të ndodhej i shtypur me teletajp një njoftim i AFP-së. Agjencia Franceze e Lajmeve shkruante “Mehmet Shehu u nis nga Tirana në Nju Jork”.
Ishte saktësisht kështu. Ka qenë ditë e hënë. Ngjarja gjendet e fiksuar në “Ditar për çështje ndërkombëtare (1958-1960)”. E regjistron vetë Enver Hoxha. Madje saktëson se bashkë me shokë të tjerë ka dalë edhe vetë në aerodrom. Avioni italian i pasagjerëve do të ulej në Romë.
Të nesërmen, në pasditen e 12 shtatorit, njëkohshëm Ministrisë së Jashtme, por edhe një drejtorie të posaçme në Komitetin Qendror të PPSh-së, e cila merrej me marrëdhëniet ndërkombëtare, nga legata shqiptare në kryeqytetin italian u shkoi i njëjti radiogram “Në orën 13.40 u nis delegacioni për në Paris. Shoqërohet nga titullari dhe sekretari i parë deri në kufi. Në stacion erdhën të gjithë përfaqësuesit e vendeve mike, ambasadori sovjetik e polak, ministri çek e hungarez etj. Ishte ai i Sudanit dhe Indisë ndërsa bullgari jo me të gjithë kolegët e tij që u lajmëruan”.
Kur në Nju Jork 13 shtatorit iu afrua mesnata një këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm Hammarskjold telefonoi në selinë e Misionit Shqiptar duke u thënë se çdo gjë për vizat e hyrjes në territorin amerikan qe rregulluar. Nuk shqiptoi asnjë fjalë për problemin tjetër, atë të lehtësimit të masave shumë shtrënguese për qarkullimin e Mehmet Shehut.
Ky në 14 shtator, në mëngjes, kishte mbërritur në Paris. Në stacionin e trenit patën dalë për ta pritur që nga përfaqësuesi Kastelno i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, deri tek ambasadori i Çekosllovakisë, diplomatët e parë të Bullgarisë, Hungarisë dhe Rumanisë, si edhe i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik. Për të pritur delegacionin gjithashtu qenë me kohë në stacion Dhimitër Lamani, Ministër fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Francë, bashkë me të gjithë personelin e Legatës. Një radiogram informues, i cili iu dërgua Tiranës që në orën 10.00, nuk harronte të shkruante edhe hollësinë se gjatë pritjes “Shokut Mehmet Shehu iu dhanë lule nga fëmijët shqiptarë”.
Në pasditen e këtij katërmbëdhjetë shtatori mbi oqeanin Atlantik u kryqëzuan dy mesazhe të ngutshme. Ai që shkonte drejt Tiranës thoshte se tashmë kishte dalë botimi i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara me të gjitha emrat e pjesëmarrësve në delegacione. Që në kopertinë thuhej se këto punime do të zhvilloheshin prej 20 shtatorit deri në 17 tetor 1960. Në renditjen e dërgatave Shqipëria vinte e dyta pas Afganistanit. Në përbërje qenë rreshtuar katërmbëdhjetë persona, duke nisur me Mehmet Shehun. Mes të ngarkuarve me sigurinë e kryeministrit nuk mungonte edhe emri i atij që pati zëvendësuar zbuluesin politik të refuzuar.
Radiogrami i dytë bëri drejtimin e kundërt të lëvizjes. Shkonte për në Nju Jork, por fillimisht jo i nisur nga Tirana. Për në brigjet amerikane e filloi rrugën që nga Parisi. Qe nënshkruar nga vetë Behar Shtylla. Telegrami iu drejtua kryeqytetit shqiptar, zëvendësministrit të dytë të Jashtëm: “Njofto Reizin urgjent për sa vijon: Në rast se midis përfaqësuesve të vendeve të kampit tonë bëhet mbledhje konsultimi për problemet e OKB-së dhe në këtë mbledhje shtrohen propozime të reja nga miqtë për çështje të rëndësishme si çarmatimi e të tjera, Reizi të thotë se merr shënim dhe do t’ia njoftojë delegacionit, pa mbajtur fare qëndrim”.
Pasi mbërriti në Tiranë kjo porosi urgjente me një radiogram tjetër vrapoi drejt Nju Jorkut.
Në mbrëmjen e vonë të 14 shtatorit Behar Shtylla sërish formuloi një telegram të dytë. Ai iu nis një zyre të rëndësishme në Komitetin Qendror të Partisë së Punës duke i propozuar që protesta e Misionit Shqiptar në Nju Jork kundër qeverisë amerikane të botohej në shtypin e Tiranës dhe po ashtu nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve të shpërndahej për koleget e saj të huaja. Ndërkaq paralelisht me veprimin e ministrit të Jashtëm, Mehmet Shehu me një telegram të mbyllur që mbante numrin 480 i shkroi Enver Hoxhës se qenë mjaft të gëzuar për qëndrimin e vendosur të partisë në debatin me sovjetikët dhe sidomos ishin entuziazmuar prej përgjigjes së fortë kundërshtuese që u ishte dhënë, në një debat të fundit, përfaqësuesve të komunistëve gjermano-lindorë. Kryeministri e përfundonte teleksin e fshehtë me po të njëjtën ide si edhe ministri i Jashtëm: “Do qe mirë të botohej protesta që i bëmë Amerikës për restrikcionet e delegacionit”.
Natën e 14 shtatorit 1960 Mehmet Shehu e kaloi në kryeqytetin francez. Për në portin e Sherburgut u nis të nesërmen. Me delegacionin qe bashkuar edhe diplomati i parë i legatës në Paris, tashmë edhe ai pjesëmarrës zyrtar. Në ceremoninë e përcjelljes në stacionin e trenit gjendeshin të pranishëm autoritete të vendit si edhe shefat e përfaqësive diplomatike të vendeve socialiste në Francë. Po ashtu edhe drejtues lokalë.
Ndërsa po bëheshin gati të ngjiteshin nëpër shkallët e “Queen Elizabeth” panë se si një grup gazetarësh po zbriste prej tyre zhurmshëm. Tek shkëmbeheshin dikujt prej delegacionit iu bë sikur prej njerëzve të shtypit dëgjoi fjalën Tito. Nuk i dhanë rëndësi. Në qoftë se Josip Broz Tito do të qe edhe ai në atë vapor duhej ta kishin dëgjuar që më parë. Ardhur me tren nga Jugosllavia apo me avion ai patjetër do të kishte qëndruar në Paris, qoftë edhe për një orë. Por edhe drejt për së drejti në Sherburg të kishte zbritur, prania e tij do të shkaktonte lajm dhe për pasojë legata e tyre do ta kishte kapur në kohë të dhënën. Ndërkohë asgjë e tillë nuk pat ngjarë.
Kur u afruan tek autoritetet doganore për të bërë kalimin njëri prej tyre i informoi se në anijen e madhe dhe luksoze të pasagjerëve kishte një udhëtar të shquar, Josip Broz Tito. Pastaj u uroi udhëtim të mbarë.
Nuk do të kalonin shumë orë pas fillimit të lundrimit të “Queen Elizabeth”, kur në sallën e ngrënies, në mbrëmje, e panë Titon tek rrinte në mes të një tryeze. Qe i shoqëruar prej të vetëve. Mehmet Shehu ndërkohë ndodhej i mbyllur në kabinën e tij.
Kur zbardhi e nesërmja, 16 shtatori, ndërsa dolën në kuvertë së bashku për një shëtitje të shkurtër, kryeministri tregoi se mbiemri apo emri i dytë Tito, jugosllavit i qe vënë prej një funksionari të vjetër të Kominternit. Ky e kishte bashkëpunëtor sekret. Tito, vijoi Mehmet Shehu, nuk ishte që tjetër veç shqiptimi i emrit të pistoletës sovjetike “TT-30”. Këto dy germa, shpjegoi, ndërsa në të folurën shqip thuheshin “TëTë”, në atë të rusëve shqiptoheshin Tito. Pra, tha jo pa ironi Shehu, njeriu që në atë vapor të mbretëreshës angleze mbahej me të madh si mik i saj nuk ishte tjetër veç agjenti i Moskës me kodin TT.
Pas asaj shëtitjeje të shpejtë kryeministri shqiptar u rimbyll në kabinën e tij për të punuar mbi dy fjalimet që do të mbante në mbledhjen e OKB-së. Ndërkohë jo vetëm ai, por kurrkush nga anëtarët e delegacionit nuk e dinte që një ditë më parë, ndërsa “Queen Elizabeth” ende nuk qe nisur, një gazetar apo zbulues politik i maskuar si i tillë, e kishte fiksuar praninë e përbashkët të Josip Broz Titos dhe Mehmet Shehut. Sapo vapori kishte lënë portin e Sherburgut ai i kishte bërë një medieje të huaj një shkrim. Ai raport në gjuhën angleze nuk do të pikasej dot atë kohë prej asnjërës legatë shqiptare në Perëndim dhe Lindje dhe do të shfaqej për herë të parë publikisht vetëm pas katër dekadash. Kjo do të ndodhte në një rrjet interneti të quajtur “Arkivat e Shoqërisë së Hapur” (Open Society Archives”). Tashmë i nxjerrë para syve të njerëzve mund të dalloje se që në çastin e marrjes ai informim qe cilësuar me vlerë për t’u ruajtur. Pa saktësuar në cilin arkiv jugosllav qe mbyllur, kishte të bashkëshoqëruar shënimin se në atë kthinë të fshehtë qe vendosur prej një strukture shtetërore të quajtur Departamenti i Analizës. Në rrjetin internetik materiali paraqitet në gjendjen e vet origjinale dhe plotësohet me disa të dhëna: qe seksioni dosjembajtës 1-5-18, titulli: “Tito dhe Shehu në të njëjtën barkë”. Autori kishte vetëm një fjalë: Stankoviç. Nuk i bashkëngjitej asnjë informacion tjetër për të bërë të mundur identifikimin e tij. Data e raportit mediatik a mbase vetëm të fshehtë shënon 15 shtatorin 1960. Dosja speciale ka numrin 953/1960. Tema e trajtuar kishte të bënte me situatën në Shqipëri në dhjetë vitet 1956-1965, sidomos për të njëjtën periudhë edhe mbi marrëdhëniet ndërkombëtare mes saj dhe Jugosllavisë. Si tematikë e raportit të ruajtur, e treta në rreshtimin e radhës së tyre, shkruhet: Spiunazh.
Bashkë me datën e pesëmbëdhjetë shtatorit si vend prej ku është hartuar analiza saktësohet qyteti gjerman i Mynihut. Që në fillim të raportit thuhet se dy vetë, për të cilët gadishulli ballkanik mbetet tepër i vogël për të jetuar së bashku, këtë ditë janë të shtrënguar të udhëtojnë me të njëjtën barkë angleze. “Queen Elizabeth”, shkruan Stankoviç, po i çon në Nju Jork të marrin pjesë né Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Këta janë Mareshalli Tito dhe Kryeministri shqiptar Mehmet Shehu. Nuk dihet ende çfarë vendimesh janë marrë prej komandantit britanik të vaporit, por janë të gjitha gjasat që të dy delegacionet të takohen në kuvertë gjatë shëtitjes mëngjesore.
Më pas Stankoviç shprehej se vetëm gjashtë ditë më parë nga kjo prani e të dyve në “Queen Elizabeth”, më 9 shtator, qeveria jugosllave kishte protestuar ashpër kundër asaj që ajo e cilësonte si “veprimtari diversioniste e Tiranës në Jugosllavi”. Këtë akuzë e patën vendosur në një notë dorëzuar të ngarkuarit me punë të Shqipërisë në Beograd, duke bërë të qartë se protestën e kishin “jo ndaj dhjetëra, por qindra e mijëra artikujve antijugosllavë të botuar në shtypin shqiptar”. Me pak fjalë në notën e tyre qeveritare autoritetet e Beogradit deklaronin se zotëronin prova që Tirana kishte organizuar në vendin e tyre një rrjet të tërë spiunazhi, pat infiltruar elementë turbullues dhe veçanërisht përdorur shqiptarë të Kosovës, oficerë në ushtri, për të kryer akte terrorizmi dhe sabotimi, deri edhe vrasje të personaliteteve politike. Sipas shkrimit të Stankoviç në notën jugosllave të protestës ishte theksuar se ndaj autoriteteve të ligjshme të Beogradit nga pala e Tiranës qenë përdorur masivisht epitete fyese dhe në vend që personat të citoheshin me emrin e tyre real u thuhej “xhelat”, “kriminel”, “kolonizatorë”, “mercenarë”, “provokatorë”, “gangsteri Tito”, “agjentë të imperializmit”, “mbrojtës të regjimit nazist”. Ndërkohë një situatë e tillë, interpretonte Stankoviç, me siguri nuk i bën të ndihen mirë në \"Queen Elizabeth\" Mehmet Shehun me të tijtë, sepse siç shihet janë të detyruar të udhëtojnë për një Nju Jork pikërisht me këta “gangsterë”. Në vijim të interpretimit të tij gazetari apo zbuluesi politik me seli Mynihun bënte historinë e shpejtë të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, sidomos të prishjes së tyre në vitin 1948 nën presionin e Stalinit, dhe se në një notë të posaçme, të hartuar e bërë publike më 9 shtator 1950, autoritetet e Beogradit i kujtonin Enver Hoxhës dhe gjithë shqiptarëve se shefi i tyre në 5 tetor 1947 u kishte deklaruar pasuesve të vet se asgjë pozitive nuk do të kishte ngjarë në vendin e tij po të mos ekzistonte Jugosllavia mike dhe se populli shqiptar kurrë nuk do të harronte ndihmën e madhe që ajo i ka dhënë. Në vazhdim në shkrimin anglisht citohej edhe Eduard Kardeli, i cili sipas librit të biografit të Josip Brozit, Dedijer, “Titua flet”, gjatë një bisede me Stalinin ky i fundit e ka quajtur Enver Hoxhën një intelektual mikroborgjez dhe kur kryebolsheviku sovjetik i kërkoi Kardelit të deklaronte edhe ai opinionin që kishte për të parin e shqiptarëve, ky pat thënë se Hoxhës i mungonte “formimi marksist-leninist” dhe se pikërisht qe kjo arsye që jugosllavët vlerësonin si më të mirin Koçi Xoxen, të cilin në 1949 Enver Hoxha e kishte likuiduar si “tradhtar titist”. Nga ana e tij, shpjegonte Stankoviç, “Koçi Xoxe qe njeriu që likuidoi Nako Spiron, të shoqin e Liri Belishovës, aktualisht pastruar nga radhët e udhëheqjes dhe bashkë me Koço Tashkon”. “Shumë e vështirë të mos humbësh rrugë në këtë rreth të verbër”, vijonte shkruesi nga Mynihu, “këtu të gjithë janë kundër njëri-tjetrit”. Duke treguar se që prej marsit 1958, kur përfaqësuesi i shtetit jugosllav në Tiranë dhe ato kohë, shtator 1960, ambasador i vendit të vet në Bukuresht, Arsa Milatoviç, u tërhoq nga Shqipëria sepse u arrestua dhe u mbajt në burg për dymbëdhjetë orë në qytetin e Vlorës, përfaqësimi diplomatik ka mbetur me të ngarkuar me punë. Kurse shqiptarët e tërhoqën ambasadorin e tyre në Beograd vetëm kohët e fundit, duke e emëruar në Sofje. Siç dihej, përshkruante Stankoviç, midis 30 dhe 31 gushtit të këtij viti dy roje të kufirit shqiptar u vranë, siç pretendoi radio shtetërore e Tiranës, “nga një bandë diversioniste jugosllave”, por pamja që jep Beogradi është krejt tjetër. Ai thotë se kufitarët janë vrarë nga vetë shqiptarët, disa të arratisur, të cilët më në fund ja kishin dalë të iknin. Që nga viti 1959 autoritetet jugosllave ngulin këmbë se nga territori shqiptar kanë hyrë në vendin e tyre rreth 90 të ikur. “Por fakti që Tito dhe Shehu janë në barkë së bashku konfirmon se të gjithë komunistët edhe pse shpesh ndahen me njëri-tjetrin janë duke lundruar në të njëjtën barkë”, se “po shkojnë të fitojnë apo të vdesin së bashku”. Shkrimi apo raporti informues i Stankoviç mbyllej me “Thua \"Queen Elizabeth\" është “e njëjta barkë?”


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com