Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mbërrijnë në Nju Jork Nikita Hrushovi dhe Fidel Kastro


(Cikël nga libra të mi. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)

Ishte gdhirë dita e tretë e udhëtimit në “Queen Elizabeth”, kur Behar Shtylla e vuri në dijeni Mehmet Shehun se në vapor mes udhëtarëve ndodhej edhe ambasadori i Bullgarisë në Tiranë. Shkonte për në mbledhjen e OKB-së. Do të përforconte delegacionin e vendit të vet.
Kryeministri e porositi menjëherë t’i organizonte një takim sa më të shpejtë. Do t’i thoshte diplomatit bullgar se qenë mjaft të pakënaqur prej ndihmës së paktë me grurë dhe se ambasadori do të bënte një gjest shumë miqësor nëse do të ndikonte në Nju Jork, ku do të vinte edhe shefi i tij Teodor Zhivkov, për tua plotësuar të gjithë kërkesën.
Takimi u krye që atë ditë, në një shëtitje të shkurtër nëpër kuvertë.
Ndërkohë në qytetin e madh amerikan Misioni Shqiptar qe në mobilizim të ethshëm për të qenë i gatshëm të përballonte dërgatën e rëndësishme dhe ditët intensive me punë në seancat e Sesionit të 15-të të Kombeve të Bashkuara. Tensioni u shumëfishohej edhe nga ankthi që do të përjetonin në rrethanat e një shtrëngimi shumë të madh për të qarkulluar. Në pasditen e pesëmbëdhjetë shtatorit të gjithë drejtuesit e përfaqësive diplomatike të vendeve socialiste u ftuan në ndërtesën e Misionit Sovjetik dhe gjenerali Zaharokin informoi me hollësi për masat e sigurimit ndaj kryetarëve të delegacioneve. Oficeri i lartë i shërbimit të fshehtë tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve posaçërisht për kanosjen nga veprime armiqësore kundër Janosh Kadarit dhe Mehmet Shehut. “Kujdes, shumë kujdes!”, përsëriti ai disa herë. Po ashtu këshilloi që secila përfaqësi për çështjen e sigurisë duhej të mbante kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet amerikane. Ndryshe as ata vetë, me njerëzit e tyre të specializuar për trupmbrojtje, nuk do të dinin si të vepronin.
Në radiogramin informues që me këtë rast Reiz Malile i dërgoi Ministrisë së Jashtme, në përfundim të tekstit, bëhej e qartë se në Nju Jork “Përgjithësisht atmosfera është shumë armiqësore. Para misionit sovjetik kanë filluar të bëjnë demonstrata”.
Më 16 shtator 1960, ditë e premte, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi një deklaratë rreth masave jo të zakonshme të sigurisë, të cilat qenë të detyruar t’i merrnin për delegacionet e shumta pjesëmarrëse në punimet e OKB-së. Ato priteshin të ishin nëntëdhjetë e gjashtë. “Kubanët, sovjetikët dhe të gjitha delegacionet e tjera janë njoftuar t’i lënë armët e tyre të zjarrit në shtëpi”, paralajmëronte një fragment i saj. Shtohej se për të realizuar sigurinë e krerëve të dërgatave nuk do të lejoheshin truprojat e tyre, sikur edhe të paarmatosur të qenë. Këta mund të rrinin në një rreth të dytë afërsie fizike të udhëheqësve, por nuk do të kryenin asnjë detyrë mbrojtjeje. Kjo do të realizohej vetëm prej agjentëve vendas, lokalë apo federalë. “Prandaj”, vijonte Departamenti, “janë marrë përsipër të gjitha masat e duhura”.
Shtypi që atë ditë, sapo u shpërnda deklarata dhe u formuluan lajmet e para rreth saj, shpjegoi se kjo siguri e shtuar këtë herë ndodhte për shkak të një viti plot me tensione ndërkombëtare dhe vatrash të tejnxehura në të gjithë globin. Acarimet mes mjaft shteteve qenë shumë të mëdha, përplasjet ndërmjet dy blloqeve politikë, atij kapitalist dhe komunist, mbërritur në vijë të kuqe alarmi. Nuk mungonin tonet nervoze të polemikave edhe mes vetë kampit bolshevik, ku Bashkimi Sovjetik me Kinën flitej se e patën prishur rëndë harmoninë e mëparshme. Për pasojë kolonat e lajmeve në gazetat e mbrëmjes së 16 shtatorit, por edhe ato që dolën në mëngjesin e të nesërmes, vinin në dukje se në “Romën e kohëve moderne”, siç kishin ditë që e thërritnin Nju Jorkun në prag të ardhjes së aq shumë delegacioneve të huaja, numri i agjentëve amerikanë me uniformë dhe të veshur civilë arrinte një shifër gjer ato kohë të paparë. Ajo armatë e madhe për ruajtje jetësh mund të quhej e paprecedent në të tërë historinë e vetë organizatës.
Edhe pse deklarata publike e Departamentit të Shtetit nuk i thoshte konkretisht gazetarët kishin rënë në gjurmë të disa hollësive. Kështu nga e gjithë masa e delegacioneve në pritje të zbarkonte në Nju Jork krerët që duhej të mbuloheshin në mënyrë të dendur me roje qenë pesëmbëdhjetë deri njëzetë persona. Kjo ishte “bërthama” e madhe. Ndërkohë brenda kësaj gjendej një tjetër “bërthamëz”, masat e sigurisë për të cilën ishin ekstra. Këta qenë Nikita Hrushov, Fidel Kastro, Janosh Kadar dhe Mehmet Shehu.
Midis këtij rrethi të ngushtë ultrasigurie dhe atij të madh përmendej edhe emri i udhëheqësit të Republikës Arabe të Bashkuar, Gamal Abdel Naser. Veçanërisht për këta udhëheqës grupi i afërt i sigurisë si rregull normal prej gjashtë deri tetë vetë tashmë qe pesëfishuar. Nga zyra e sigurisë së Departamentit të Shtetit ishte bërë e ditur se për gjithsecilin do të qenë plot tridhjetë truproja.
Për këtë skemë garancie fizike, tashmë më formën përfundimtare, patën rënë dakord të dy palët përgjegjëse: Departamenti i Shtetit dhe ai i Policisë së Nju Jorkut. Ky i fundit përbëhej nga 23.596 oficerë dhe qe pikërisht ai i cili do të mbante ngarkesën kryesore për sigurinë e mbledhjes së Sesionit XV të Asamblesë. I shtuar edhe me agjentë federalë gjithsesi mbrojtja fizike e delegacioneve vlerësohej e pamundur pa e bërë të kufizueshme lëvizjen e tyre në Nju Jork dhe jashtë tij. Kështu edhe pse kjo gjë do të shkaktonte pakënaqësi dhe në mos sulme politike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për territorin e lëvizjes së dërgatave u caktua një “vijë e verdhë”. Kjo menjëherë iu bë e njohur çdo Misioni pranë OKB-së.
Për Hrushovin, Kastron, Kadarin dhe Shehun kjo vijë u ngushtua edhe më shumë: vetëm lagjja ishull Manhatan.
Që të katërve cenimi i sigurisë dhe për pasojë dëmtimi i punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, parashikohej t’u vinte nga pakicat e të emigruarve në ShBA, shumica dërmuese e tyre kundërshtarë politikë, antikomunistë.
Në interpretim të deklaratës publike për shtyp të Departamentit të Shtetit gazetarët informonin opinionin se prej katër më të rrezikuarve ardhësi më i kanosur për të qenë objekt sulmi dhe për pasojë problemi më i madh për punonjësit amerikanë të sigurisë nuk gjykohej Nikita Hrushovi, por Fidel Kastro. Kjo ndodhte sepse ai në qëndrimet e tij qe më i paparashikueshmi. Truprojat e Kastros duke iu përshtatur stilit të sjelljes së shefit të tyre nuk do të pajtoheshin me heqjen dorë nga roli i mbrojtjes dhe do t’i rezistonin me mosbindje agjentëve vendas që do të ngarkoheshin me këtë detyrë. Kjo do të shkaktonte kaos në të gjithë skemën e sigurisë.
Kryetari problematik i Partisë Komuniste të Kubës pritej të vinte të nesërmen, më 18 shtator, ditë e diel, dhe menjëherë do të shkonte në hotelin “East Side Shelburne”, në lagjen Harlem. Atje përveç simpatizantëve jo të paktë kishte me shumicë edhe refugjatë kubanë, të gjithë armiq të betuar të regjimit komunist. Tridhjetë e katërvjeçari Fidel, shkruante një e përditshme e së shtunës, mund të kthehej në dhembjen e parë të kokës për autoritetet amerikane.
Ndërkaq në pritjen e Nikita Hrushovit që do të kryhej një ditë më pas nga mbërritja e Kastros, premtohej se do të angazhoheshin tetë mijë agjentë dhe sipas gazetarëve ky numër qe pothuaj sa dyfishi i sasisë së mobilizuar një vit më parë gjatë vizitës që Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike pat bërë në ShBA si i ftuar i presidentit Duajt Ajzenauer. Kur njëri prej gazetarëve arriti më në fund të pyeste një zyrtar të Departamentit të Shtetit se çfarë do të bënin nëse Hrushovi do të vendoste të mos i përfillte masat e kufizimit të lëvizjes tij, ai qe përgjigjur “Kjo nuk ka mundësi të ndodhë”. Ndërkohë pat shtuar se, nëse kjo do të ngjante, ata do të përpiqeshin me mirësjellje dhe maturi ta bindnin për të kundërtën.
Në të përditshmet amerikane të 17 shtatorit e shkruar hollësisht gjendej edhe kjo deklaratë: “Nëse do të jetë e nevojshme agjentët tanë të sigurisë do të ndalojnë dhe makinën e Hrushovit, por patjetër askush nuk do të tentojë t’i shtrijë duart drejt Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”. Nëpër kolonat e gazetave ndodhej edhe fragmenti “Zyrtarët thanë se është e mundur që pavarësisht kufizimeve të lëvizjes, nëse Hrushovi do të kërkojë të bëjë një vizitë në selinë e misionit sovjetik në Glen Cove të Long Island, pra në hapësirën jashtë Manhatanit, ajo mund të lejohej. E vërteta është se zyrtarët mendojnë që udhëheqësi rus do të preferojë më tepër tu bindet kufizimeve të sigurisë, se sa të kërkonte dëfrimin”.
Ndërkohë të përditshmet amerikane qenë shumë të kujdesura që ende pa zbarkuar në Nju Jork masa e stërmadhe e delegacioneve komuniste, ta informonin lexuesit për një veçanti: shumica e tyre me në krye Nikita Hrushovin vinin si grup me të njëjtën anije, tragetin sovjetik “Balltika”, qëllimisht. Sipas vëzhguesve kjo qe një mënyrë për të treguar se kishin unitet të pandashëm dhe po asnjë moskokëçarje ndaj fjalëve të përhapura se me ato ditë qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës viheshin në gjendje të vështirë inferioriteti politik. Të përditshmet saktësonin se që nga Moska njeriu numër një i Partisë Komuniste të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike për dy javë rresht nuk e kishte pushuar asnjë ditë sulmin posaçërisht të ashpërsuar kundër imperializmit amerikan. Madje pat shkuar edhe më tej. Kishte deklaruar se në Pallatin e Qelqtë do të vinte jo i përunjur, por me kokën lart, i sigurt se puna më e mirë që duhej të bënte sapo të hynte në të e të ngjitej në tribunë, qe ta demaskonte OKB-në si një vegël të verbër të Uashingtonit.
Mund të jetë me të vërtetë një betejë e ashpër fjalësh në këtë sesion, ngulnin këmbë gazetat. Atë vit, arsyetonin ato, për herë të parë do të prezantoheshin në Asamblenë e Përgjithshme 22 vende të reja afrikane, që të gjitha me pavarësi të fituar dhjetë vitet e fundit. Në cilën anë do të rreshtoheshin ato, me ShBA-në apo BRSS-në, mbetej një temë e hapur debati dhe baraspeshe globale. Me në dorë plot njëzetë e dy vota shtesë në votimet e OKB-së mund të përmbysje çdo rezultat të garantuar deri pak kohë më parë.
Me gjuhën e ashpër antiamerikane dhe kundërkolonialiste të nisur që nga Moska, por edhe me ardhjen rradhëbashkuar në Nju Jork, Nikita Hrushovi e kishte nisur potershëm luftën për të njëzetë e dytët. Analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare paralajmëronin se me parullat e tij ai me të vërtetë mund të bënte për vete një numër të madh të tyre. Për pasojë, shpjegonin ata në rreshtat e gazetave, flitej se qe vënë në lëvizje edhe Duajt Ajzenauer. Edhe pse republikani ndodhej në javët e fundit të presidencës së tij tetëvjeçare, ndërsa përballë i rrinte si fitimtar i sigurt demokrati me moshë të re Xhon Kenedi (John Kennedy), kishte lënë të nënkuptohej se që nga Uashingtoni do të vinte në Nju Jork për të folur në OKB. Madje do t’i takonte një për një të gjithë përfaqësuesit e vendeve të reja afrikane.
Në ditën e premte të 16 shtatorit, nëpërmjet telegramit 327, Reiz Malile njoftoi Tiranën se “Me rekomandimin e Misionit të ShBA-së në OKB morëm takim me policinë amerikane. Ata thanë se për gjithë kohën që do të qëndrojë shoku Mehmet këtu, gjatë lëvizjeve do të shoqërohet nga katër automobila të policisë efektive e disa motoçiklistë. Jashtë Misionit do të vendosen policë efektivë me shërbim natë e ditë ”.
Një teleks i koduar i të nesërmes, 17 shtator, vazhdonte nga Nju Jorku të vinte në dijeni Tiranën edhe me një zhvillim tjetër: në mjediset e Misionit patën ardhur dy kapitenë të policisë amerikane. Me ta u bisedua për të gjitha masat e hollësishme rreth sigurimit të Mehmet Shehut dhe veçanërisht të selisë, ku ai do të flinte gjatë gjithë kohës së qëndrimit. Ajo ndodhej në katin e dhjetë të godinës, në “446 East, 86 Street”. Dy kapitenët patën siguruar se në shërbim të ruajtjes së kryeqeveritarit shqiptar dhe të lëvizjes së tij nëpër Manhatan do të ishte në dispozicion një numër i madh jo vetëm policësh, por edhe detektivësh. Po ashtu dy oficerët e policisë njujorkeze i patën vënë në dijeni se për karshi selisë së Misionit Shqiptar do të viheshin edhe shenjat përkatëse ku mund të lejoheshin demonstrata kundër delegacionit. Diplomati që kishte pritur dy kapitenët, menjëherë u pat thënë “Nuk parashikojmë demonstrata, sepse deri tani asnjëherë nuk janë bërë kundër nesh dhe se policia duhet të marrë masat t\'i ndalojë. Ndryshe krijohen kondita pune anormale për delegacionin\". Megjithatë dy kapitenët qenë përgjigjur se \"Shenjat e rastit do t\'i vendosim për çdo eventualitet\".
Në të vërtetë policia amerikane kishte të dhëna për demonstrime të shqiptarëve antikomunistë, madje edhe për një manifestim të dëshiruar shumë prej simpatizantëve të qeverisë së Tiranës. Kaq gjë e dinin edhe në Mision. Dy zbuluesit e saj politikë, të veshur me petkun e diplomatit, qenë të informuar edhe për protesta të pritshme të vorioepirotëve. Madje gazetat e emigrantëve grekë kishin disa ditë rresht që u bënin thirrje bashkëkombësve të tyre të grumbulloheshin ditën e martë në portin e Nju Jorkut dhe t’ia përplasnin në fytyrë zemërimin kryeministrit shqiptar.
Por 17 shtatori, vetëm tre ditë nga çasti kur në Nju Jork do të ankoronte transatlantiku “Queen Elizabeth” dhe prej tij do të zbriste Mehmet Shehu, nuk mund të ishte një ditë e zakonshme pune edhe për arsye të tjera. Në mbrëmje në Misionin Sovjetik pranë Kombeve të Bashkuara qenë ftuar dhe mbledhur sërish të gjithë titullarët e përfaqësive diplomatike nga vendet e kampit socialist. Gjeneral Zaharokin i pat informuar shkurtimisht kolegët mbi datën dhe orën kur do të mbërrinte vapori sovjetik “Balltika” me udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik, Rumanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë, cilat do të qenë masat e sigurimit si edhe ceremonia e nevojshme për pritjen e tyre protokollare. Në atë mbledhje secilit përfaqësues i qe kërkuar edhe një listë e personave që do të merrnin pjesë në pritje. Ky duhej të ishte grup i vogël.
E nesërmja do të qe pothuaj për të gjithë Misionet e eurolindjes komuniste një ditë mjaft më e vështirë nga sa e patën parashikuar zbuluesit e tyre që kishin mbledhur me kohë të dhëna se kundërshtarët politikë të emigruar në Nju Jork dhe në qytetet e shtetet e tjera të ShBA po përgatiteshin të kryenin protesta gjatë gjithë periudhës që delegacionet do të ndodheshin në punimet e OKB-së. Arsyeja përse niste më 18 shtator ky mobilizim qe e thjeshtë. Këtë ditë fillonte mbërritja e udhëheqësve komunistë. Në fillim do të zbarkonte Fidel Kastro, më pas presidenti çekosllovak Antonin Novotni dhe shefi i komunistëve polakë Vladislav Gomulka.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com