|
Foto: Kopertina e librit | “Zog, pse ike”
Fragment nga libri
Kur po thyhej dita e 23 qershorit 1934 në gjirin e Durrësit u shfaq pa asnjë lajmërim një flotë e madhe luftarake italiane. Qenë 22 anije lufte, gjashtë prej të cilëve kryqëzorë. Ishte e shtunë.
Menjëherë brenda asaj dite Sekretaria e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Shqiptare hartoi një notë proteste për Armando Koch, përfaqësuesin diplomatik të Romës në Tiranë. Do ta firmoste vetë ministri, Xhafer Vila. “Kam nderin të vë në dijeni shkëlqesinë tuaj, kumtonte ajo prerë që në fillim, se një flotë italiane, e përbërë nga njëzetë anije, ka ardhur të vizitojë portin e Durrësit dhe kjo pa bërë që Legata Mbretërore të mund të na komunikonte”. Një paragraf më pas letra urgjente e Vilës e ngrinte tonin: “Qeveria shqiptare nuk e fsheh surprizën e saj për këtë vizitë të kryer në rrethana të tilla. Megjithatë ajo dëshiron të dijë për karakterin e kësaj vizite me qëllim që të mund të kryejë mirësjelljen e vet...”.
Por, kur këtë tekst ia vunë përpara në tryezën e punës, ministri e anuloi. U tha bashkëpunëtorëve se nota duhej të qe më e shkurtër dhe më kategorike. Një variant i dytë sërish nuk i pëlqeu dhe nisi formulimi i një të trete. E shkruar në frëngjisht ajo thoshte: “Qeveria Mbretërore shpreh keqardhjen e vet më të gjallë për rrethanat në të cilat mbërriti skuadra italiane në Durrës, por ajo shpreson se kjo nuk shpreh një qëndrim jo miqësor të Italisë dhe se kjo gjë nuk do të përsëritet në të ardhmen në rrethana të njëjta.
Qeveria shqiptare është e frymëzuar nga ndjenjat dhe qëllimet më të mira ndaj Italisë. Ajo gjithnjë e ka vlerësuar bashkëpunimin me aleaten e madhe, ndihma e të cilës është konsideruar si e nevojshme për zhvillimin e Shqipërisë.
Ndërkohë Qeveria shqiptare gjithnjë e ka konsideruar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është ai për të konsoliduar individualitetin e Shqipërisë si Shtet i lirë dhe i pavarur në të gjitha drejtimet.
Sigurisht në marrëdhëniet tona ka çështje për të zgjidhur, të cilat Qeveria shqiptare është gati për t’i shqyrtuar. Por ky diskutim nuk mund të ketë vend duke braktisur natyrën miqësore të këtyre marrëdhënieve dhe e cila mund të krijojë përshtypjen e tentativave për presion, përpjekje që nuk do të ishte e këshillueshme për shpirtin që duhet të dominojë këto diskutime. Për pasojë, e para gjë që do të merrnim në konsideratë, pa dyshim, është heqja e elementëve të kërcënimit, e cila konsiston me praninë e anijeve të luftës që ndodhen para Durrësit”.
Pasi e firmosi, me një korrier të posaçëm nota u nis drejt të Dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i Madhërisë së tij Mbretit të Italisë, Armando Koch.
Autori i këtyre radhëve, tek ndeshi në arkivin i Ministrisë së Punëve të Jashtme të tri notat, dy të parat të anuluara dhe të tretën të ekzekutuar, i bëri kësaj ngjarjeje sendërtimin e mësipërm. Mirëpo ndihmësi shumë i afërt i Ahmet Zogut, Hysen Selmani, komandant i Gardës Mbretërore, i ka bërë një interpretim tjetër orëve të para të mbërritjes së lajmit për flotën e madhe italiane në dyert e Durrësit. Sipas librit të tij “Nga notimet e Zogut, Mbretit të Shqiptarëve”, Xhafer Vila menjëherë ka marrë me vete një notë të Benito Musolinit, të nisur nga Roma në 10 qershor, në të cilën i bënte presion qeverisë shqiptare të rinovonte marrëveshjen e vitit 1927 dhe ka shkuar më pas me një frymë tek shefi i tij, në Pallatin Mbretëror. Përshkrimi i këtyre çasteve prej Selmanit është ky: “Ministri Vila është shumë i tronditur dhe i frikësuar, gati duke u dridhur, dhe e pyet Mbretin se çfarë duhej të bënte.
Mbreti Zog, kur e sheh Ministrin kaq të tronditur e pyet se çfarë do të bënte nëse do të ishte Ministër i një Shteti të Madh? Ministri tha se do të protestonte. Mbreti Zog i zemëruar i tha atëherë që të shkonte të bënte detyrën, siç i ka hije një shteti për të mbrojtur independencën e ndershmërinë e kombit. Kjo është fjala historike e Mbretit Zog”.
Pa ngulmuar për t’i gjetur anët e pasakta këtij tregimi karakteristik për një besnik të ekzaltuar, le të rikthehemi në mbrëmjen e 23 qershorit 1934. Në Durrës, nën një qiell të çoroditur nga re endacake, flota italiane vazhdonte të qëndronte e heshtur. Në qytet kishin pritur më kot që ajo të bënte të shtënat e përshëndetjes, të cilave, sipas rregullit, topat në kodrat mbi port, do t’i përgjigjeshin. Kjo ishte edhe shenja se luftanijet patën ardhur miqësisht. Kur ra nata, edhe pse një çerek hëne hidhte dritë të zbehtë mbi koracat e kryqëzorëve, ata mbi ujërat e detit u bënë edhe më të zymtë. Ishte kjo kohë kur dy batalione specialë u nisën nga Tirana për t’u ardhur në ndihmë atyre në Durrës. Në qytet dhe në rrethinat e tij filluan të ngriheshin disa breza mbrojtës. Po ashtu mbërriti urdhri që një pjesë e armatimit nga depot në afërsi të portit, sasi e planifikuar edhe për nevojat kombëtare, të largohej sa më shpejt prej andej, duke u dërguar shumica në kryeqytet. Gjumë nuk do të kishte për asnjë ushtarak, i çdo grade dhe funksioni të qe. Nisi gërmimi i llogoreve.
Kur u gdhi 24 qershori banorët e Durrësit morën vesh, por si të qe thjesht një thashethemnajë, se komanduesi i flotës së ankoruar mistershëm në detin para tyre, një admiral, i kishte telegrafuar prefektit të qytetit. I bënte kërkesë të mund të zbrisnin për të shëtitur dhe kundruar vendin një grup ushtarësh dhe marinarësh. Prefekti bashkë me komandantin e trupave mbrojtëse, e refuzoi. Me telegram e pyetën admiralin se cili ishte qëllimi i këtij demonstrimi detar dhe ky u përgjigj se qe ardhje vetëm miqësore dhe se Shqipëria, siç më parë, mbetej një vend mik dhe aleat i Italisë. Në këtë përgjigje ai shtoi se grupi i ushtarëve dhe i marinarëve që dëshironin të zbrisnin në tokë për ta vizituar qytetin, do të qenë të gjithë pa armë. Në mbyllje të mesazhit qetësues komanduesi i flotiljes luftarake italiane e jo vetëm e ftoi prefektin të vinte për një vizitë në anijen e tij, por edhe i zotohej se do t’i vinte në zyrë për ta përshëndetur. Po i niste gjithashtu, një përfaqësi të vogël oficerësh që ta nderonte me një takim formal.
Pa ardhur mesdita prefekti, pasi u këshillua me Tiranën, nuk i ktheu ftesës së admiralit një përgjigje të shpejtë. I kishin dhënë porosinë të priste rezultatin e takimit më të parë të përfaqësuesit të qeverisë me Armando Koch. Megjithatë rreth orës 14.00 Tirana e telegrafoi dhe e udhëzoi të pranonte. Prefekti nuk e vonoi t’ia dërgonte pëlqimin admiralit. E kuptoi se në kryeqytet patën zgjedhur, si rrugëzgjidhjen më të mirë, uljen e tensionit. Ndërkohë në qytet dukej fare qartë se trupat ushtarake shqiptare kishin zënë pikat kyçe dhe qenë në pritje të urdhrit për ta marrë në dorë administrimin e tij, si gjendje nën një situatë të jashtëzakonshme.
Menjëherë pas mesditës Koch e njoftoi Xhafer Vilën se dëshironte ta takonte. Ai u shfaq në paradhomën e ministrit të Jashtëm në orën 16.25 dhe pas pesë minutash të dy qenë përballë njëri-tjetrit. Shqiptari ishte më shtatlartë dhe kur i nderi njërën dorë në shenjë ftese për t’u ulur së bashku në këndin e kolltukëve, u duk sikur desh ta merrte diplomatin italian përdore.
“Më falni!”, i shqiptoi fjalët e para Armando Koch. Nëpër bebëza i shkëlqente një dritë e mugët. Lëshonte po ashtu një vështrim shponjës. Megjithatë nën syzat e trasha me skelet të zi, Vila i rezistoi atij shikimi të qëllimshëm.
“Në mëngjes nuk pata kohë t’ju vizitoj”, vazhdoi tjetri. Zërin e kishte si të dalë prej grykës së një altoparlanti të porsandezur. “Në emër të Qeverisë italiane ju deklaroj se moslajmërimi i vizitës së flotës italiane ka ardhur se ajo thjesht po bënte një shëtitje në Adriatik. Por kjo vizitë është miqësore dhe zyrtare, është e zhveshur nga çdo manifestim armiqësor. Kështu që aspak nuk cenohen marrëdhëniet miqësore të dy shteteve tona mike dhe aleate”.
Xhafer Vila, si të thoshte se e kishte kuptuar fare mirë, vetëm tundi kokën. Fytyrës së tij nuk i lëvizi asnjë muskul.
“Jam pa fund i kënaqur, vijoi Koch, që prefekti i Durrësit do t’ia kthejë vizitën admiralit. Ajo do të pritet me simpati nga ana e flotës sonë. Me këtë rast do të bëjë pesëmbëdhjetë të shtëna përshëndetjeje”.
Zëri i tij tashmë nuk ngjante me të një fortafolësi. Po rikthehej tek natyrshmëria njerëzore.
Ndërsa priti një çast mos ministri i Jashtëm shqiptar reagonte, Armando Koch shtoi: “Menduam që admirali të kërkonte një audiencë nga Nalt-Madhënija e Tij, por e këshillova të mos e kërkojë. Gjithashtu menduam që disa hidroavionë të bënin një fluturim nderimi për Nalt-Madhninë e Tij, në rast se vjen në Durrës, por nga frika se këta mund të preknin në tokë dhe të dëmtoheshin, hoqëm dorë. Hidroavionët udhëtojnë gjithnjë vetëm mbi det”.
“Ju kuptova”, shqiptoi më në fund Xhafer Vila. Sërish asnjë nerv i fytyrës së tij nuk e kishte kallëzuar veten si të ndjeshëm për çfarë po ndodhte në atë dhomë. Trupmadh, siç ishte, ngjante me një shkëmb.
Armando Odatino Koch, siç edhe qe emri i tij i plotë, por që e përdorte mjaft rrallë, tha qetësisht: “Me qenë që vizita ka një karakter thjesht zyrtar, admirali nuk do të bëjë asnjë takim jo vetëm me qeverinë shqiptare, por as me Legatën italiane. Ai do të rrijë gjithnjë në anije. Vetëm nesër, ora 10.00, do t’i bëjë një vizitë prefektit”.
Pas një pauze të shpejtë, gropë heshtjeje që ai e kapërceu menjëherë, diplomati italian e vijoi fjalën duke u justifikuar përse flota nuk hodhi topa përshëndetjeje. “Durrësi nuk është një fortesë e armatosur, u shpreh ai, dhe këtë vetë autoritetet tuaja ushtarake e kanë deklaruar”.
Xhafer Vila tendosi të dy vetullat: “Nuk kam dijeni mbi deklaratat e autoriteteve ushtarake, por di shumë mirë një gjë. Çdo vit nga fortesa e Durrësit u jemi përgjigjur me topa përshëndetjeve flotave të ndryshme”.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|