Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SHQIPËRI ENVERISTE-JUGOSLLAVI TITISTE, DISA TË FSHEHTA


(Botuar në gazetën “Shqip” më 2 korrik 2015)

Banesa e profesorit shqiptar që ka qenë nënministër i arsimit dhe i shkencës në Republikën Federative Jugosllave dhe më pas, nga viti 1972 deri në 1981, nënkryeministër i Kosovës, Profesor-Doktor Pajazit Nushi, ndodhet në kodrën Dardania të Prishtinës.
Janë të dy simbole, emri i kodrës dhe ai.
Në dritaret ballore të dhomës ku po bisedojmë, hyn vazhdimisht një ndriçim i butë dielli dhe duket sikur i gjithë ai bie vetëm mbi fytyrën e mbi tetëdhjetëvjeçarit, tek i cili kthjelltësia mendore dhe urtësia e interpretimit të një historie të ndërlikuar mes Prishtinës dhe Beogradit është mbresëlënëse. Dëshmi se inteligjenca njerëzore patjetër përftohet nëpërmjet studimit, por tek disa të pakët, bashkë me këtë kultivim, ajo është edhe dhunti e lindur.
Ndërsa flet Pajazit Nushi të përcjell aq shumë qetësi sa të duket sikur jeta e tij në këtë vend të trazuar të Ballkanit, falë cilësisë për t’iu përshtatur, i ka shkuar në mënyrë të kadifenjtë. Por nuk është kështu. Që ka rrjedhur tepër e turbulluar nuk ta dëshmon profesori, gojëkyçur për këtë temë, por çfarë thonë e shkruajnë të tjerët për të. Pas demonstratave studentore të mars-prillit 1981 ai, nën presion politik sepse nuk qe në krahun e qeverisë së Beogradit, u detyrua të dorëhiqej si nënkryeministër. U nxor para një komisioni të posaçëm shtetëror të ngritur prej Kuvendit të Kosovës dhe me akuzën “për gabime në kursin e marrëdhënieve me Shqipërinë”, përveç largimit nga posti publik, iu dha edhe një vërejtje e rëndë partie. Një fill e ndante nga masa e fundit, ajo e përjashtimit. Ndërkohë nuk e larguan prej dhënies së leksioneve në Universitetin e Prishtinës, profesion që e ushtronte prej mjaft vitesh, madje edhe kur punonte në qeverinë e Jugosllavisë. Por këtë herë ia zhvendosën leksiondhënien nga paraditja apo pasditja në orët e mbrëmjes së vonë, çfarë donte të thoshte kufizim kontaktesh me studentët.
Si psikolog profesionist që është, Profesori duket natyrë që nuk hap sherr, por po ia imponove, atij i bën ballë fare mirë. Përplasjen e ka minimalizuar, por kur është fjala për çështjen nacionale Pajazit Nushi ngjan me një maksimalist.
Veprimtar i radhës së parë në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve, një nga aksionet më të mençura të vetëmbrojtjes kombëtare, ai ka qenë i lidhur fort edhe me epopenë tjetër të luftës për liri: UÇK-në. Prej kohësh është edhe president i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.

Fluturimi i gabuar i avionit me në bord komandantin e Marinës Jugosllave

Në vitin 1968, kur punonte në Beograd si zëvendësministër i arsimit dhe i shkencës për tërë federatën, Pajazit Nushi veçon si veprimtari të tij kryesore konceptimin e konventës së bashkëpunimit arsimor dhe kulturor mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Nismëtar dhe shtytës të saj ai përcakton Fadil Hoxhën, atë kohë numri një i Kosovës. Madje ky jo njëherë i kish bërë trysni të lëvizej më shpejt, por në ngadalësinë e këtij procesi ndikonin shumë faktorë politikë. Frenuesit e konventës bashkëpunuese Profesori i gjen më shumë në Beograd se në Tiranë. Me ambasadën shqiptare në kryeqytetin jugosllav gjatë kësaj kohe nuk kishte pasur kontakt, duke mos shkuar as ai vetë atje. Sipas rregullores së rreptë të qeverisë federale për çdo takim me të huaj duhej të raportohej me shkrim çdo gjë e biseduar. Për Pajazit Nushin gjithsesi ndodhi njëherë e anasjella: erdhi në zyrën e tij sekretari i përfaqësisë diplomatike shqiptare. Kërkoi shpejtimin e marrëveshjes.
Ndërkohë dinamikën e hartimit të projektkonventës e rëndonte edhe një hallkë e ndërmjetme: Komisioni Federativ për Marrëdhënie me Botën e Jashtme. Ky ishte një shkallë më e ulët se Ministria e Punëve të Jashtme, por qe më suprem se Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në ndërtesën e të cilës komisioni i posaçëm punonte.
Viti 1968 ishte plot me tensione të larta politike mes dy vendeve dhe marrëveshja qe një mënyrë për t’u çliruar prej spazmës së tepërt të tyre. Kështu më në fund projekti i saj iu dërgua Tiranës. Ndërkohë ishte përparuar me një marrëveshje gojore për të pritur në Shqipëri një delegacion jugosllav. Kur mendohej se në krye të dërgatës do të qe nënministri shqiptar Pajazit Nushi, urdhri i Titos komandoi vetë ministrin. Me sa dukej me nivelin më të lartë të përfaqësimit Josip Broz kërkonte të jepte një shenjë të fortë zbutjeje dhe afrimi. Vukashin Miçunoviçi që drejtoi delegacionin, ishte shumë i lidhur me Titon dhe kryente shërbime speciale për të. I tillë qe edhe i vëllai, Veljko, i cili përfaqësonte një nga diplomatët më inteligjentë të Jugosllavisë. Ndihmës i ministrit të Jashtëm të Federatës, Eduard Kardel, prej 1952 deri në 1956, këtë vit të fundit (deri në 1958) Veljko Miçunoviç ishte ambasador në Moskë. Ky i ka pohuar intimisht Profesor Nushit se e kishte takuar njëherë Enver Hoxhën. Kjo pati ndodhur në kryeqytetin sovjetik. Për këtë prani vetë Hoxha nuk dëshmon, por e lë të nënkuptohet bashkëshortja e tij, Nexhmija. Në faqen 327 të librit të saj “Jeta ime me Enverin”, shkruan se në verë të vitit 1956 qenë ftuar nga Hrushovi në Moskë Kardeli dhe Rankoviçi, posaçërisht për të një takim të tyre me numrin një të Tiranës. Kjo bisedë e imponuar u realizua në fund të gushtit. Ambasadori Vukashin vetëm në këtë rast mund ta ketë parë Enver Hoxhën.
Ndërkohë edhe i vëllai, Vukashin Miçunoviçi, ministri federativ i arsimit dhe i kulturës, pas vizitës në Tiranë, do t’i besonte zëvendësit të tij, Pajazit Nushit, çfarë i pati ndodhur njëherë. Kishte qenë gjeneral dhe para se të drejtonte profilin civil të arsim-kulturës, pati kryer detyrën e komandantit të Marinës Jugosllave. Njëherë po udhëtonte me avion nga qyteti Pula për të shkuar në Beograd dhe raportuar tek Tito. Kur qenë nisur nga aeroporti koha pati qenë shumë e mirë, por gjatë fluturimit papritur hynë në një tufë me re të zeza. Vukashini shkoi tek kabina e pilotëve dhe kur pa se ata nga kjo gjendje e papritur ndiheshin në telash, i tha të parit të tyre se shihte diku, në një pjesë të qiellit, më pak re. Ndoshta duhej shkuar në atë kahe, propozoi. Por kryepiloti ia preu rreptësishtë: Komandant këtu nuk je ti, por jam unë.
Kështu fluturimi vazhdoi në kursin e mëparshëm, por ndërkohë u lidhën me tokën. Këta i thanë të kthenin drejtim menjëherë se po hynin në kufirin shqiptar, madje qenë fare afër Shkodrës.
“Bu-bu!”, pati thirrur Vukashin Miçunoviç. Do të binte drejt për së drejti në duart e Enver Hoxhës! E mbuluan djersë të ftohta dhe teshat e brendshme iu bënë qull. Kur zbriti në Beograd, edhe pse Tito ia priste raportimin me ngut, komandanti i Marinës Jugosllave më së pari shkoi në shtëpi, u ndërrua krejt nga rrobat dhe vetëm pastaj u paraqit tek shefi i tij.

Çfarë në një mbledhje sekrete u tha Tito kryetarëve të republikave?

Viti 1968 do të kishte edhe një rast tjetër të shfryheshin sadopak tensionet mes Tiranës dhe Beogradit. Hedhjen e hapit i pari këtë radhë e bëri Enver Hoxha, fillimisht me gojën e Mehmet Shehut.
Profesor Nushi, i cili është gjakovar, ndodhej në këtë qytet sa për të takuar të vetët, motrat dhe dajën, kur dëgjoi në radio, prej stacionit të Tiranës, se qeveria shqiptare, duke denoncuar pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë, nëpërmjet kryeministrit të saj bënte edhe këtë deklaratë: në rast se sulmohen kufijtë e Jugosllavisë populli dhe ushtria shqiptare do të jenë në llogore për mbrojtjen e vendit fqinj.
I befasuar, sapo u kthye në Prishtinë, e pyeti kryetarin e Kosovës, Mahmut Bakallin, nëse kjo qe e vërtetë. “Po”, iu përgjigj ky. Ndërkohë shtoi edhe një provë tjetër. Josip Broz kishte mbledhur urgjentisht kryetarët e republikave dhe të dy krahinave, Vojvodinës dhe Kosovës. Fillimisht pati raportuar për gjendjen luftarake të vendit dhe aftësinë e mbrojtjes së kufijve shefi i Shtatmadhorisë Jugosllave, Bumbaç. Ai paraqiti një për një dhe për të tetë përbërësit e federatës numrin e njerëzve dhe të mjeteve që kishin për mbrojtje prej një agresioni të mundshëm sovjetik. Kur ky kishte mbaruar paraqitjen e vet, pati ndërhyrë menjëherë Tito. Fjalët e tij për pjesëmarrësit kishin qenë hutuese. Ishin afërsisht “Nuk i keni marrë parasysh të gjithë forcën që kemi. Pse nuk e keni llogaritur edhe ushtrinë e Shqipërisë? Në mbrojtje të Jugosllavisë janë ushtria e tetë republikave dhe e krahinave tona plus ushtrinë shqiptare”.

Një Nushi i njohur në Kosovë, por edhe dy të tjerë në Tiranë

Kur punonte në qeverinë federale ambasadori jugosllav në Tiranë, me të cilin ishte takuar disa herë në Beograd, i kishte thënë se shqiptarët kanë një zakon të çuditshëm: llagapin e bashkonin me emrin dhe ndërtonin kështu një llagap tjetër. Si dëshmi për këtë ai paraqiti mbiemrin e një shkrimtari. Ishte në formën Prenushi (Vinçenc). “A e njihni?”, e pati pyetur menjëherë Pajazitin. Ky iu përgjigj se nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri dhe asnjë lidhje në këtë vend me persona me të njëjtin mbiemër.
Në Tiranë, sigurisht qe një anëtar i Byrosë Politike me mbiemër të njëllojtë, Gogo Nushi. Në Jugosllavi kjo qe gjë e njohur, por nuk vonoi të qarkullonte edhe një emër i dytë, çfarë e bëri më të ndezur kërshërinë e vendasve sllavë për lidhjet e mundshme gjinore të nënministrit federativ me udhëheqjen politike të Tiranës. Gjallërimi i fjalëve për një Nushi të dytë nga Shqipëria u shkaktua për arsye se pritej të vinte në Beograd si ambasadori i ri i saj Ksenofon Nushi. Në një mbledhje pune profesor Pajazitit iu afrua një kolegu i tij malazez. E pyeti nëse dinte ndonjë hollësi më tepër për diplomatin shqiptar në ardhje. “Nuk e njoh”, ngriti supet ky. Tjetri vazhdoi t’i thoshte se ambasadori i ri kishte qenë më parë me të njëjtën detyrë në Romë, se në vendin e vet vlerësohej si një ndër intelektualët më të spikatur dhe se i vinte mirë që Tirana caktonte të tillë për të punuar në Beograd.
Nxitur nga mbiemri në ambasadën e Rumanisë e kishin pyetur njëherë nëse qeveria e Shqipërisë, në kuadrin e kujdesit ndaj minoriteteve, interesohej për popullin e Kosovës. “Jemi një komb, u pati thënë Pajazit Nushi, edhe pse kemi dallime të shumta në ideologji”. Pastaj enkas, për ta larguar tej fjalën përulëse “minoritet”, kishte mëshuar: “Kemi lidhje mjaft të ngushta”.
Profesori ishte me shërbim në qeverinë e Kosovës, ku si zëvendëskryeministër përveç se fushën e arsimit, të kulturës, të shëndetësisë, të çështjeve sociale, të mjeteve të informimit, mbulonte edhe marrëdhëniet me botën e jashtme (në thelb vetëm.ato me Shqipërinë). Atë kohë kryeministër ishte një serb, Ilia Vakiç, që siç thotë Pajazit Nushi “ka qenë njeri problematik”. Gjithsesi atë kohë qe i vetmi kryeministër dhe i pari që pati vizituar Shqipërinë. Sapo u kthye, i tha: “Në Tiranë ka edhe një Nushi tjetër. Ishte shumë i gjatë”. Pastaj e kishte parë ngulmët në sy zëvendësin e tij. “Keni takuar Ksenofon Nushin, sqaroi Pajaziti, por ai është nga Shqipëria e Jugut dhe i fesë së krishterë”.
Ilia Vakiç megjithatë shtoi se i kishin bërë një pritje të shkëlqyeshme, por qe hidhëruar shumë kur në një hartë të vendosur në një muze e kishte parë Kosovën të futur brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Me siguri ai do të kishte parë ndonjë hartë historike të para pavarësimit dhe jo hartë politike të ditës, por kur i shqiptonte Pajazit Nushit ato fjalë vështrimin e kishte shumë të errët. Profesori thotë se serbët nuk ta falin kurrë po ua more Kosovën. Dhe i kujtohet një shok i mirë i rinisë, Qazim Vokshi, të cilin rojet kufitare serbe e patën vrarë në periferi të qytetit, tepër e tepër larg piramidave shtetndarëse. Qyteti i Gjakovës konsiderohej zonë kufitare dhe për t’u hyrë e dalë duhej të kishe një leje speciale nga Ministria e Brendshme. Përfituar nga kjo rrethanë vrasja kriminale ishte sajuar si tentativë e një arratisjeje (imagjinare).

Si e kuptuan në Beograd mosfirmosjen nga Tirana të Marrëveshjes së Helsinkit

Sipas profesor Pajazitit ishte viti 1975, kur, ndërsa punonte në Prishtinë si nënkryeministër, i erdhi posaçërisht nga Beogradi për ta takuar konsulli grek. “A do ta nënshkruajë Shqipëria Marrëveshjen e Helsinkit?” Iu përgjigj se, edhe pse mbiemrin e kishte si një politikan i rëndësishëm i Tiranës, nuk kishte të bënte as me të dhe as me qeverinë përtej kufirit.
Por nuk do të ishte vetëm konsulli grek që shpresonte që nënkryeministri i Kosovës mund t’i informonte për zhvillime të Tiranës. Ndërsa pritej të mblidhej për miratim Marrëveshja e Helsinkit, e patën kërkuar dhe takuar shumë diplomatë, përfshi edhe ambasadorë. Në fillim nuk e pikasi këtë këmbëngulje, por e kuptoi shpejt se interesimi i të huajve kishte të bënte me një “sekret”. Në Helsinki do të vendosej për të rënë dakord të mos kishte ndryshim të kufijve. Duke qenë se Shqipëria ishte shprehur për një gjendje shtypëse të bashkëkombësve të saj në Kosovë, po ta firmoste, dëshmonte se nuk kishte asnjë pretendim territorial ndaj Jugosllavisë dhe se kjo krahinë mbetej përgjithmonë brenda federatës titiste.
Kur mbledhja e Helsinkit bë dhe Marrëveshja u firmos prej të gjithëve, por Shqipëria as që mori pjesë, u bë e qartë se Kosova duhej të bëhej gati një ditë të ikte, me hir apo pahir, nga Jugosllavia. Serbët nga ky veprim fare i qartë i Tiranës, dëshmon profesor Pajazit Nushi, u dëshpëruan shumë.

Tefta Cami, Kristaq Rama, Sokrat Plaka, Stefanaq Pollo... në një delegacion në Prishtinë

Ardhja nga Tirana, në tetor 1980, e kësaj dërgate të lartë zyrtare, e drejtuar prej ministres së Arsimit dhe Kulturës, Tefta Cami, ishte një kulmim. Pritës i delegacionit në Prishtinë qe nënkryeministri Nushi. Për nga jehona publike që pati, profesori e krahason këtë rast me atë të grupit qeveritar që në vitin 1942 kryesohej nga ministri i Arsimit i qeverisë së Tiranës Ernest Koliqi. Atë kohë ai qe nxënës në shkollën fillore, një vit më parë tërësisht serbe, por tashmë në kuadrin e “Shqipërisë së Madhe” të modelit fashist italian, e kishte emrin “Bajram Curri”. Atëherë tërë Gjakova pati dalë në rrugë. Mes pritjes festive të gjithë nxënësit qenë veshur me bluza të kuqe dhe pantallona të zeza.
Për vizitën e dërgatës qeveritare të prirë prej Tefta Camit kjo e fundit ka shkruar një libër: “Katër ditë vizitë në Kosovë”. Në një fragment të tij ministrja rrëfen takimin me Enver Hoxhën, realizuar më 19 janar 1980, ndërsa qe kryer në Tiranë vizita e ministrit të arsim-kulturës së Kosovës, Ymer Jaka.
Ajo shkruan: “Enver Hoxha më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi mbarova, tha: Jam i informuar për punën që bëhet në drejtim të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Këto marrëdhënie po na ecin mirë, se ti je ministre e Arsimit dhe Kulturës, që vjen nga një familje patriotike. Ti do të jesh e privilegjuar, se sivjet do t’i kthesh vizitën ministrit të Kosovës, pra do të shkosh në Kosovë. Ata janë më patriotë se ne këtu, sepse po luftojnë për të mbijetuar e përparuar dhe për të ringritur ndërgjegjen kombëtare në kushtet e një regjimi të dyfishtë, të atij titist, dhe të shovinizmave serbe, maqedonase dhe malazeze, që po ngrenë krye e po acarojnë gjendjen në Kosovë. Të mos i lejoni që t’i etiketojnë shqiptarët e Kosovës si agjentë të UDB-së e spiunë. Ata janë e mbeten vëllezërit tanë të një gjaku e të një etnogjeneze historiko-kulturore”.

Hekurudha nga Shkodra të shkonte drejt Titogradit apo Prizrenit?

Ishte viti 1978, saktësisht koha e pushimeve verore dhe qeveria e Kosovës e kishte lënë për këtë periudhë nënkryeministrin e saj Nushi si kujdestar të gjithë qeverisë. Ndërkohë në Tiranë qe marrë vendim për ndërtimin e hekurudhës Shkodër-Titograd. Një ditë në zyrën e tij erdhi Fadil Hoxha dhe e pyeti: “A mundesh me shku me bisedu me Enver Hoxhën?”
“Po unë nuk kam ndonjë marrëdhënie apo njohje me të”, u përpoq të shpjegohej Pajaziti. “Duhet patjetër”, e shtyu bisedën më tej tjetri. “U duhet thënë se kanë marrë një vendim të gabueshëm me ndërtimin e udhës së hekurt Shkodër-Titograd. Para saj duhet bërë ajo nga Shkodra në Prizren”.
Pastaj pati ngulur këmbë: “Ti mund ta bindësh Enver Hoxhën se hekurudha me Malin e Zi nuk është rentabile. Të shtyhet ai vendim”. Nushi arsyetoi sërish se nuk kishte asnjë ndikim tek Enveri dhe Hoxha tjetër, Fadili, kryepartizani i famshëm, i kërkoi ndonjë emër tjetër ndërmjetësi. Pajaziti përmendi pedagogun e tyre universitar që jepte leksione edhe në Tiranë, Hajredin Hoxha. Ky e pranoi misionin, por hapat e tij shkuan deri tek nipi i Enver Hoxhës, profesor Luan Omari. Ishte ky i fundit që e përcolli deri tek numri një i Shqipërisë.
Siç dihet vendimi i mëparshëm nuk ndryshoi dhe u ndërtua hekurudha Shkodër-Titograd. Rruga e hekurt e kombit Shkodër-Prizren, e dëshiruar prej rilindësve që në fillim të shekullit, as tani nuk është në ndonjë projekt.
Veçse, në realizim të kësaj ëndrre gjithëshqiptare, është bërë më e madhja udhë e kombit: autostrada forcëdhënëse Tiranë-Prishtinë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 9 qershor 2015


.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com