Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
SHQIPTARËT ME DY HOXHA ( Pjesa e tretë)


Si Enver Hoxha mburret për çfarë nuk ka bërë dhe Fadil Hoxha bën të kundërtën

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 15 gusht 2015)


Në maj 1941, tashmë shef i Komitetit të Partisë Komuniste Jugosllave për Gjakovën, Fadil Hoxha mbante lidhje me krerët e saj në Kosovë. Këta, mes të tjerëve, përveç Bora Vukmiroviçit, qenë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Historishkrimi ynë zyrtar i para vitit nëntëdhjetë, por edhe ai kundërkomunist pas këtij çasti dhe më vonë, bashkëkombësve të vet në Shqipëri janë përpjekur t’u ngulitin në kokë dogmën se dy të fundit ishin serbë.
Në të vërtetë qenë malazezë.
Patjetër qenë jugosllavë, nënshtetas të atij vendi. Kësaj kohe jugosllav, nën këtë kuptim administrativ, ka qenë edhe Haxhi Lleshi. Po ashtu edhe vetë bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmije Xhunglini.
Bashkë me serbizimin e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës ka vazhduar tek ne nxitja e një dogme tjetër: sikur ata dy nuk kishin asnjë lidhje jete dhe pune me Kosovën. Kjo dinakëri është kryer për ta futur çështjen në një terren mërie etnike, ku fryrja e ultranacionalizmit u jep krahë konsensusi demagogëve të politikës dhe çdo mashtrimi historik.
Por ne jemi të detyruar ta zhvoshkim nga cipa këto përralla, sepse ndryshe nuk e realizojmë dot vëzhgimin rreth lojës politike që kanë kombinuar për pothuaj një gjysmë shekulli dy Hoxhat shqiptarë, Enveri me Fadilin, si edhe i treti mes tyre, Josip Broz Tito.
Nuk e kuptojmë dot, pa këtë saktësim, se si ka vepruar realisht misioni i ndërlikuar i ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në gjendjen e pafavorshme të dy diktaturave paralele, këtej nga ne, ku ishte plumb e rëndë, dhe përtej kufirit, në Jugosllavi, në të cilën shtrëngimi totalitar politik qe shumë më i lehtë, por jo i tillë ai etnik ndaj shqiptarëve.
Lëvizja komuniste e viteve të Luftës së Dytë Botërore, e cila hodhi themelet e pothuaj pesë dekadave të marrëdhënieve mes dy shtetesh me yll të kuq në flamur dhe në ballë, ndërmjet nesh, njerëzve të Tiranës dhe atyre të Prishtinës, ka funksionuar si mes dy enësh komunikuese. Çfarë pakësohej në një krah shtohej në tjetrën.
Edhe pse malazezë në etninë e tyre, qytetarisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha janë kosovarë. Si figura të para komuniste në Kosovë ata nuk u eksportuan aty prej PKJ-së apo nga Tito. Jetonin në ato vise prej kohësh, mes shumicës shqiptare. Qenë bashkëjetues territori të njëjtë të një etnie tjetër. Në Kosovë u bënë edhe bolshevikë.
Ndërkaq Fadil Hoxha, shumë më parë se të shndërrohej në një veprimtar të spikatur komunist në vendlindje, i tillë qe bërë në Shqipëri. Ai qe një stalinist i Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se ishte një shqiptar i të gjitha trojeve etnike, një nga ata që jetonte me frymën dhe realitetin e muajve të paragjymtimit, nga 28 nëntori 1912 deri në fundmars 1913.
Fadil Hoxha ishte autokton, në Shkodër të ishte, në Pejë të qe, në Gjakovë, në Tiranë apo në Elbasan të ndodhej. Këtë ndjesi përkatësie me të gjithë hapësirën kombëtare ai nuk e humbi tërë jetën, çfarë i dha energjinë e nevojshme t’i hynte në shërbim çështjes së shqiptarizmit pa marrë parasysh ndasitë, qofshin këto piramida kufiri shtetëror apo edhe kunja ideologjike si Titizmi dhe Enverizmi, çfarë në të vërtetë qenë mbyllje më të mëdha se vetë kufindarja.

Me biçikletë drejt Tiranës për të krijuar Partinë

Në qershor 1941, pasi kishte marrë pjesë në aksionin e minimit të një sektori të minierës së Trepçes dhe po kthehej ilegalisht drejt Pejës, në qytezën e Rozhajës, Miladin Popoviçin italianët e kapën dhe e internuan në Shqipëri. Sipas kujtimeve të Fadil Hoxhës menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai u takua me grupin tjetër të komunistëve kosovarë, ku ishte edhe Dushan Mugosha: Qenë të një mendjeje rreth një çështjeje: Lëvizja Nacionalçlirimtare duhej të zhvillohej dhe të rritej sa më shpejt në Shqipëri, sepse kjo do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin e kësaj Lëvizjeje edhe në territorin e tyre, në Kosovë.
Kështu nisi veprimi i lidhjes së bolshevikëve kosovarë me ata të Shqipërisë. Qe gjesti i parë në këtë drejtim, në kahun e anasjellë do të ndodhë shumë më pas.
Bashkë me misionin për të mbledhur të dhëna rreth vendit të internimit të Miladin Popoviçit si edhe të një mundësie shpëtimi të tij, “Për t’i vënë lidhjet, vendosëm që unë e Duqi të nisemi për në Shqipëri. Nuk më kujtohet saktësisht muaji. U ktheva në Gjakovë për t’u përgatitur dhe pastaj përsëri shkova në Pejë. Vendosëm që unë e Duqi të udhëtonim me biçikleta. Arritëm në Gjakovë dhe aty bujtëm. Duqi dinte të fliste shqip. Të nesërmen sërish me biçikleta shkuam në Prizren. Aty bujtëm një natë e të nesërmen morëm një veturë që qarkullonte Prizren-Shkodër”.
Në këtë qytet Fadil Hoxha mes të tjerash tregon se të dy u takuan me Tuk Jakovën, “udhëheqës i Grupit të Shkodrës. Kemi biseduar gjerë e gjatë për situatën politike. Nga Shkodra kemi vazhduar rrugën për në Tiranë. Në Tiranë Dushani duhej të takohej me udhëheqësit e grupeve komuniste”.
Ishte pikërisht Fadili që e lidhi Dushan Mugoshën me Vasil Shanton, Qemal Stafën, Anastas Lulon dhe Ramadan Çitakun. Bisedimet filluan të nesërmen e mbërritjes në Tiranë. Protagonist në këto takime Fadili bën Mugoshën dhe vetë lë përshtypjen se ka qëndruar mënjanë: “Dushani filloi të bisedonte një nga një me shokët. Ata e njohën Dushanin detajisht për situatën në Shqipëri. Pasi merren vesh, Dushani kërkon të takohej me udhëheqësit e Korçës. Grupi i Korçës nuk e pranoi Dushanin, pasi nuk e dinin kush ishte dhe prej tij kërkuan një letër me vulë, të cilën ai nuk e kishte. Biseda me Grupin e Korçës përfundimisht nuk u bë.
Pas disa ditësh u kthyem në Kosovë”.
Pasi u kthye prej Tiranës në kujtimet e veta Fadil Hoxha shkruan: “Në Komitetin Krahinor, Duçi referoi për bisedimet me shokët e Shqipërisë. Aty u vendos që përsëri të mbajmë kontakte me komunistët e grupeve në Shqipëri”.
Kur kanë ngjarë këto? Fadil Hoxha, me pohimin e tij se “Nuk më kujtohet saktësisht muaji”, nuk na e jep mundësinë ta përcaktojmë, qoftë edhe me afërsi. Sidoqoftë Enver Hoxha tek “Kur lindi Partia” shfaqet i sigurt se Dushan Mugosha është parë në Tiranë në muajin gusht 1941, mbase në ditët e fundit të tij.
Duke heshtur për të vërtetën e mësipërme, pra që shtysa e lidhjes erdhi nga Kosova, ai ngul këmbë se nga fillimi i muajit gusht 1941 Koço Tashko bashkë me të shoqen bënë një udhëtim “turistik” në Itali. Shkuan për të siguruar ndonjë kontakt me Partinë Komuniste të këtij vendi, por, ironizon Enver Hoxha, “Kur erdhi, s\\\'na solli asgjë”.
“Né këtë kohë, ngul këmbë vazhdimisht Hoxha i Shqipërisë, erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili, pasi ishte takuar me përfaqësues të Grupit të Shkodrës e të “Té Rinjve”, kërkoi takim me “kryetarin”tonë. Mirëpo, me të drejtë, Koçoja nuk pranoi të takohej me të, sepse rruga që u përdor ishte nga më të gabuarat”.
Hoxha i Shqipërisë, që e fsheh praninë në këto kontakte të Hoxhës së Kosovës, si arsye refuzimi nuk thotë variantin e Fadilit (mungesën e autorizimit me vulë), por sepse për t’u kryer takimi i Mugoshës me Koço Tashkon pati ndërhyrë Anastas Lula i Grupit të të Rinjve.
“Kështu, siç shkruan Enver Hoxha, Dushan Mugosha, pasi mori pjesë né një mbledhje të përbashkët me përfaqësues nga Grupi i Shkodrës e i “Té Rinjve”, iku. Por nëse ne, me të drejtë, nuk pranuam të takoheshim me Dushanin, né të njëjtën kohë shfaqëm mendimin që né një moment të përshtatshëm të dërgonim Koçon né Kosovë për të marrë lidhje direkt me shokët e atjeshëm. Pasi e diskutuam çështjen, vendosëm dhe e dërguam Koçon né Kosovë për të marrë kontakt fillimisht me Xhevdet Dodën, që ishte anëtar i Grupit të Korçës dhe, nëpërmjet tij, me Komitetin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën”.
Shkruan Fadil Hoxha: “Pas disa ditësh (prej kthimit nga Tirana-shënimi ynë) vendosa të takohem me Xhevdet Dodën, anëtar i Grupit Komunist të Korçës, i cili ndodhej në Prizren, ishte i organizuar, por jo anëtar i Partisë. Gjithë ditën bëmë bisedë të hollësishme, ai të vetën e unë timen. Ai provonte të më bindte se unë duhej të isha në Grupin e Korçës, sepse, siç pretendonte ai, Grupi i Korçës ishte Partia. Unë i thashë se po flas në emrin e Komitetit Krahinor dhe se unë jam sekretar i Komitetit në Gjakovë. I thashë se është mirë që të shkosh në Korçë e t’u thuash se kanë bërë gabim që nuk e kanë pranuar Dushanin, që kishte tentuar të vinte në kontakt me grupin e tyre. Qëllimi i PKJ-së nuk janë intrigat, por ndihma e Kominternës për t’u bashkuar grupet. Këto grupe duhej të bashkoheshin në një parti.
Pas bisedës Xhevdeti shkoi në Shqipëri, për t’u marrë vesh me anëtarët e Grupit Komunist të Korçës. Pas dhjetë ditësh u kthye në Gjakovë dhe më tregoi se me të në Kosovë ka ardhur edhe Koço Tashko”.
Takimi i palës kosovare me atë të porsaardhur nga Shqipëria u krye në Vitomiricë dhe zgjati dy ditë. Takimin e drejtoi Bora Vukmiroviç, i cili ishte një malazez i lindur në Bullgari, por që prej moshës dyvjeçare, bashkë me familjen e vet, ishte vendosur në Pejë. Ndërsa përballë Vukmiroviçit qe Koço Tashko dhe Xhevdet Doda, nuk mungonte në bisedime edhe Dushan Mugosha. Sipas kujtimeve të Fadil Hoxhës “Bora këshillonte që grupet komuniste të Shqipërisë të bashkoheshin. “Shokët e Kosovës do t’u ndihmojnë në bashkimin e grupeve”, tha ai”.
Ndërkohë sipas Fadil Hoxhës: “Kur e mori fjalën Koço Tashko, ishte i përgatitur shumë mirë. Nga ato thashetheme që pata dëgjuar për Koçon se ishte një intelektual sharlatan, ranë të tërat në ujë...Më fascinoi paraqitja e tij. Ishte një njeri i pjekur dhe bëri me dije se nuk ishte kundër bashkimit”.
Sipas Enver Hoxhës: “Prisnim që Koçoja të na sillte andej gjëra të reja, por ai pothuajse si vajti, erdhi. Atje u lidh me shokë shqiptarë dhe jugosllavë, por asgjë të rëndësishme nuk na solli”.
Sërish sipas Fadil Hoxhës: kjo mbledhje dyditore e Vitomiricës midis komunistëve shqiptarë dhe atyre kosovarë “ka pasur rëndësi të madhe dhe janë miratuar konkluzione të mira. Bora shpjegoi se jemi të autorizuar nga Kominterna që t’ju ndihmojmë. Ai tha gjithashtu...se ne e dimë çfarë është fraksioni dhe është mirë që të formohej një udhëheqje e përkohshme derisa të formohej Komiteti Qendror”.
Njëkohësisht Fadil Hoxha shkruan se “Të gjithë e morëm përsipër që të shkonim në Shqipëri që të ndihmonim”.
Një çast sqaron: “U mor qëndrimi që të shkonte Ali Shukriu. Pas mbledhjes u shpërndamë, por tani Komiteti Krahinor vendosi që në vend të Aliut, në Shqipëri të shkonte Duçi”.
Këtë ngjarje të veçantë të mënjanimit të një të deleguari shqiptar dhe të zëvendësimit të tij me një malazez, si të dëshirojë që të mos na shpëtojë nga vëmendja, Fadili e përsërit po aty edhe njëherë tjetër: “Në bazë të asaj që u diskutua, dërguam në Shqipëri një shok për të biseduar me grupet. Ishte Dushani ai që shkoi në Shqipëri, me qëllim që grupet të bashkoheshin në një parti komuniste. E dinim se në Shqipëri ekzistonte një rezistencë e madhe, prandaj ishim të gatshëm që t’i ndihmonim”.
Pasi u mbyll ky takim i mënjanuar tërësisht nga kujtesa kombëtare jo vetëm gjatë periudhës së para vitit nëntëdhjetë, por edhe më pas, mbledhje ku e mori fjalën jo vetëm Xhevdet Doda, por edhe Fadil Hoxha, “ka diskutuar gjerë e gjatë se si e ka parë punën e grupeve në Shqipëri” edhe Dushan Mugosha.
Ndoshta kjo, fakti që kishte qenë protagonist në këtë ngjarje, ishte edhe epërsia e tij ndaj kandidaturës së Ali Shukriut, i ri shqiptar i cili gjithsesi ndihej jugosllav.

Enver Hoxha mburret, Fadil Hoxha hesht

Shfaqja e Miladin Popoviçit në ngjarjet shqiptare dhe prania e tij mjaft ndikuese në historinë e saj për tre vite me radhë, çfarë më së shumti është shmangur dhe disa herë të tjera edhe mbivlerësuar, nis në vjeshtë të vitit 1941.
Mbetet e vështirë të përcaktohet data e nisjes së veprimit të tij konkret para se të themelohej PKSH dhe me këtë rast rezistenca antifashiste dhe vetë fati i Shqipërisë të fillonte ecjen në kursin që u përjetua: vendosjen pas lufte të një sistemi shoqëror e politik stalinist të orientuar ideologjikisht nga Moska dhe të varur politikisht e administrativisht prej Jugosllavisë.
Gjithsesi sipas Fadil Hoxhës nxjerrja nga burgu i Popoviçit ka ndodhur në fillim të nëntorit 1941. Enver Hoxha nuk e merr përsipër ta saktësojë kohën. Gjithsesi, nisur prej rrjedhës së ngjarjeve që rrëfen në kujtimet e tij, lirimi i Miladinit duhet të ketë ngjarë në fillim të dhjetëditëshit të tretë të muajit tetor.
Sipas Fadil Hoxhës vendndodhjen e Miladinit të burgosur e kishte zbuluar vetë ky me një letër që ia kishte dërguar familjes në Kosovë. Adresa e kampit të internimit në Peqin ishte e shkruar mbi ballin e zarfit. Italianët nuk e patën penguar këtë dekonspirim.
Sipas Enver Hoxhës prania në Shqipëri, në gjendje internimi, e Miladin Popoviçit, i cili për të ishte “sekretar i Komitetit Qarkor të Partisë i Kosmetit”, u mësua rastësisht. Më pas ai rrëfen se si personalisht pati mbledhur menjëherë komunistët e Grupit të Korçës që vepronin në kryeqytet dhe u pati propozuar të bënin aksionin e lirimit të Popoviçit. Nga sa dimë prej Fadil Hoxhës dhe variantit të tij këtë nismë duhet ta ketë marrë Vasil Shanto ose më saktë Grupi i Shkodrës. Pasi bashkë Dushan Mugoshën në Tiranë ia kishin lutur këtë shpëtim bashkëbiseduesve të tyre dhe qenë rikthyer në Kosovë “Unë, shkruan Fadili, ia dërgova një letër Vasilit, me të cilin kërkoja që të gjenin burgun ku ishte burgosur Miladini”.
Ai pranon se lirimi i shefit të tyre për Kosmetin (Kosovë-Metohinë) bëhej që ky të rikthehej në detyrën e tij e jo të qëndronte në Shqipëri.
Por Enver Hoxha ngul këmbë në një zhvillim tjetër të ngjarjes. Pasi i kishte mbledhur shokët “u propozova se edhe neve të Grupit të Korçës na takonte të vepronim për të çliruar Miladin Popoviçin”. Sipas tij, “Të gjithë ishim të një mendjeje, veç Koço Tashkoja filloi të filozofonte - Ne nuk morëm lidhje me Dushan Mugoshën e pse të marrim me këtë që nuk e dimë kush është?” Koço Tashko edhe paska këmbëngulur: “Ne mund ta çlirojmë Miladinin, por ta çojmë në Kosovë”.
Ndërkohë në këtë mbledhje të organizuar dhe të prirë prej tij Enver Hoxha paska deklaruar: “Ne duhet ta çlirojmë Miladinin, të bisedojmë me të si komunistë dhe ai mund të na ndihmojë në zgjidhjen e kontradiktave që kemi me grupet e tjera. Neve na vihet detyra, - theksova duke iu drejtuar Koços, - të krijojmë unitetin, të sheshojmë kontradiktat dhe të themelojmë një parti të vetme komuniste të tipit të ri”. Pas kësaj “Koçoja heshti...Teza ime u aprovua dhe fillova veprimet“.
Në vijim të këtij rrëfimi shumë të personalizuar dhe të paprovuar nga burime të tjera, Hoxha i Shqipërisë thotë se u takua me Vasil Shanton dhe i tha për domosdoshmërinë e lirimit të Miladinit. Ky, në emër të Grupit të Shkodrës, i paska deklaruar se “Edhe ne jemi dakord ta çlirojmë Miladin Popoviçin...Kemi qenë dakord që ato ditë kur erdhi Dushan Mugosha nga Kosova”.
Ndërkohë Enveri vijon variantin e tij e ideatorit dhe të udhëheqësit të gjithë këtij aksioni, duke shkruar në librin “Kur u themelua Partia” se pas Vasilit thirri, për ta ngarkuar me të njëjtën detyrë, edhe Mustafa Gjinishin. “Bëmë planin, thotë, sipas të cilit ai do të shkonte të bënte një herë rikonjicionin e terrenit: fushën ku ndodhej kampi i internimit, rojat e armikut që patrullonin, t\\\'u vinte syrin njerëzve nga të tijtë, që do të përdorte, plus një ose dy shokëve të tjerë që do t\\\'i rekomandonte Vasil Shantoja”. Kështu më në fund “Aksioni u krye, me sukses. Miladin Popoviçi u çlirua dhe u vendos në një bazë të sigurt në Tiranë”.

(Vijon)

Ylli Polovina


.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com